“…Xheladin Beu zbriti çukën, hyri nëpër sallkëme, iu afrua pusit. Aty ishin nja shtatë a tetë çupërlina që flisnin e qeshnin. Ca kishin mbushur stomnat, ca po i mbushnin e nja dy prisnin radhën. Namëta, ay me një këmbë u nxori përpërpara Xheladin Benë!
Çupërlinat klithën sikur të paskej rënë ujku, lanë stomnat e u përhapën ku mundën: kush hodhi ledhin, kush çau drizat e kush mori vijën tatëpjetë. Shumë gjemba hynë atë ditë në mish të butë, po më mirë nëpër gjemba se sa në dorë të beut…Sa të mbyllësh e të hapësh sytë ikën të gjitha.

Të gjitha, veç njëje, që i ra stomna nga dora e iu thye. Çupa e shikonte benë si zogu gjarpërin, që i afrohet t’i hedhë helmin, dhe s’ikte dot. Sikur e mbante të rëndët e dheut. Një ciflë e stomnës së thyer ja kish gjakosur njërën këmbë, po shkaku nuk ishte ky: frika e kish mbërthyer në vend. “Qënka pëllumbeshë e butë, peshqesh nga zoti” tha beu me vete dhe ju qas më pranë.

Çupa sikur s’ish nga kjo botë, po nga bota tjetër: një hyrije e veshur e tërë në të bardha: linjë të bardhë, shami të bardhë mbi leshrat e verdha, trup të hedhur, sy të gjelbër si bari i njomë i kënetës. Beu e peshoi me sy, që nga kiskat e holla, mbi noçkë, ku zbriste një fije gjaku, gjer lart në pulpat që ngjiteshin nën linjë, pastaj lart, në belin si të shkuar nëpër unazë, edhe më lart, Në gjinjtë e vegjël, në qafë, në gojën e vogël, me ca buzë të tulta, të këryera, me hundën të derdhur si qiri, me sytë e blertë të kënetorë dhe ballin e sheshtë, të bardhë.

“Shiko, shiko, efenm, ç’bereqet bëka çifligu i Këlpishtes e unë s’ditkam gjë. Hyrije e zbritur nga xheneti! Po t’ja dërgoj padishahut më bën menjëherë pasha. Jo, s’më duhet pashallëku! Imja është e do ta mbaj vetë. Kjo ja shkon njëqind herë Gurijes e gjithë të tjerave. Do ta marr që tani! Sonte, në jatak…” Kur ju afrua më shumë, sa ta prekte me dorë, çupa u drodh, po më fort ju drodh buza e poshtme.

Dhe ndërkaq, nën linjën e qëndisur me të kuq e të zi gjinjtë ngjitu-zbrit, ngjitu-zbrit, sytë ju mbushën plot lot. Po beut s’iu bë vonë; ay ish mësuar me gjëra të këtilla: qengjet blegërijnë kur u vë thikën kasapi çupat qajnë kur i merr beu në dyshek. Pastaj, kur e shkon në hell dhe e pjek, qengji bëhet shumë i shijshëm; çupa e marrë së dyti e së treti në jatak bëhet edhe më e shijshme se qengji…” – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]