Një prej prezantimeve më mbresëlënëse në TED Talks, nga Ric Elias

Imagjinoni një shpërthim të madh, teksa jeni duke fluturuar në një lartësi mbi një mijë metra. Imagjinoni një aeroplan të mbushur me tym. Imagjinoni një motorr që bën zhurmë kra-kra-kra. E frikshme.

Unë kisha një vend unik në avion atë ditë, ndodhesha në sediljen 1D. Isha i vetmi që mundesha të flisja me stjuardesën. Hodha sytë menjëherë drejt tyre, dhe ato më thanë: “S’ka problem, me siguri kemi goditur disa zogj”. Piloti e kishte kthyer tashmë avionin dhe ne nuk ndodheshim shumë larg, Manhattani shihej me sy të lirë.

Ju pëlqen!

Kur kaluan vetëm dy minuta, tre gjëra ndodhën në të njëjtën kohë. Piloti e drejtoi avionin përgjatë lumit Hudson (nuk është kjo zakonisht rruga që bën avioni për t’u ulur). Ai fiku motorrët. Imagjinoni tani, të jeni në një avion ku nuk ka fare zhurmë. Dhe më pas, ai tha vetëm tre fjalë. Ishin tre fjalët më pa emocion, që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time: “Bëhuni gati për përplasje!”.

Nuk kisha më nevojë të flisja me stjuardesën. Mund ta shihja në sytë e saj terrorin. Jeta kish marrë fund.

Tani dua të ndaj me ju, tri gjëra që mësova në lidhje me veten time atë ditë.

Mësova se gjithçka mund të ndryshojë në një moment. Ne kemi listat tona të dëshirave, kemi listat e gjërave që duam të bëjmë në jetë, dhe unë mendova për të gjithë njerëzit që kisha dashur të takoja por nuk e kisha bërë, të gjitha urat që kisha dashur të ndërtoja me njerëzit, të gjitha eksperiencat që kisha dashur të kisha. Teksa mendoja gjithë këto, më vonë u fiksova me një shprehje, që është: “Unë koleksionoj verëra të këqia”. Sepse nëse vera është gati dhe personi është aty, unë e hap menjëherë.

Unë nuk dua të shtyj më asgjë në jetën time. Dhe kjo ndjesi urgjence, ky sens qëllimi e ka ndryshuar vërtetë jetën time.

Gjëja e dytë që mësova atë ditë është se, unë kam jetuar një jetë të mirë, një jetë plot qëllime dhe jam përpjekur vazhdimisht të përmirësohem në gjithçka që kam bërë në jetë. Por, nga ana tjetër, kam lejuar vazhdimisht egon time që të ndërhyjë. Dhe u ndjeva i penduar për kohën që kisha harxhuar, për gjëra që nuk kanë rëndësi, me njerëz që kanë rëndësi.

Mendova për marrëdhënien me bashkëshorten time, me miqtë, me njerëzit. Dhe më pas, teksa reflektoja mbi këtë gjë, mora vendimin të eleminoja energjinë negative nga jeta ime. Nuk është perfekte, por është shumë më mirë.

Nuk kam patur një grindje me time shoqe prej tre vitesh dhe ndihem shumë mirë. Tani nuk përpiqem më që të kem të drejtë, thjesht zgjedh që të jem i lumtur.

Gjëja e tretë që mendova (dhe kjo ndodhi teksa ora në mendjen time numëronte mbrapsht sekondat, 15-14-13, dhe shihja ujin që afrohej dhe thoja me vete: “Të lutem shpërthe”, nuk dua që ky avion të bëhet një mijë copa siç kam parë në dokumentarë) ishte: “Ua, vdekja nuk është kaq e frikshme”. Eshtë pothuaj sikur të jemi përgatitur për të, gjithë jetën tonë. Por ishte shumë e trishtë. Nuk doja të ikja. E dua jetën time. Dhe gjithë ai trishtim erdhi e u formësua në një mendim të vetëm, në një dëshirë: “Nuk dua të iki, sepse dua të shikoj fëmijët e mi të rriten.

Rreth një muaj më vonë, ndodhesha në një performancë artistike të time bije, e cila është në klasë të parë. Dhe nisa të qaj si një fëmijë i vogël. Dhe gjithçka kishte gjithë kuptimin e botës për mua. Kuptova në atë moment, se e vetmja gjë që ka rëndësi në jetën time, është që të jem një baba i mirë. Mbi të gjitha, i vetmi objektiv që kam në jetën time, është të jem një baba i mirë.

Më ishte dhënë një dhuratë atë ditë, kur nuk vdiqa. Më ishte dhënë dhurata që të shihja në të ardhmen, dhe të rikthehesha e të jetoja ndryshe.

Dua që të ndaleni pak dhe të mendoni, sa gjëra që janë që nuk i bëni, sepse mendoni se do të jeni në këtë botë përgjithmonë? Si do t’i ndryshonit marrëdhëniet tuaja dhe energjinë negative në to? Dhe mbi të gjitha, a po jeni prindi më i mirë që mundeni të jeni?

Faleminderit.

©MekuliPress/ Dhuro sot vetëm 1 euro dhe shpëtoje MekuliPress. Ndihmo gazetarinë e pavarur nga partitë politike dhe oligarkët. FOTO: No copyright infringement is intended.