Dy rrobaqepës, për vite të tëra, punonin përballë njëri-tjetrit. Prisnin e qepnin rroba pa u lodhur, ndërkohë që, herë pas here, edhe bisedonin me njëri-tjetrin, për gjëra të ndryshme.

Një ditë, njëri i tha tjetrit:
– A do të shkosh për pushime, këtë vit?
– Jo, – u përgjigj i dyti, pasi u mendua një çast.
Pastaj, heshtën dhe iu kthyen punës. Pak më vonë, rrobaqepësi i dytë, papritur, tha:
– Para njëzet vjetësh, kam qenë me pushime.
– Ke njëzet vjet që ke qenë me pushime? – pyeti i pari, tejet i habitur.

– Po, – u përgjigj, qetësisht, i dyti.
Atëherë, rrobaqepësi i parë, i cili nuk mbante mend që shoku i tij të kishte munguar në punë, i tha:
– Ku shkove me pushime?
– Në Indi.
– Në Indi?!
– Po. Shkova për të gjuajtur tigrin e Bengalit.
– Ti, shkove për të gjuajtur tigrin e famshëm të Bengalit?!
Që të dy e lanë punën dhe po shikonin njëri-tjetrin. Rrobaqepësi i dytë, që dukej shumë i qetë, e mori përsëri fjalën dhe tregoi si më poshtë:

– Një ditë, mbi një elefant madhështor, të cilin ma kishte dhënë hua një princ i vendit, u nisa për gjah. I armatosur me katër pushkë me qyta prej argjendi dhe i shoqëruar nga një shpurë vendasish që u binin tamtameve, iu ngjita të vetmit mal që kishte gjithë provinca. Nuk kisha bërë shumë rrugë, kur, befas, na del përpara një tigër shumë i madh. Ishte tigri i famshëm i Bengalit, megjithatë, kurrë nuk kisha parë tigër aq të madh dhe aq të frikshëm në gjithë zonën e Bengalit.

Tigri, në shenjë kërcënimi, ngriti krifën dhe nisi të hungërinte aq fort sa të kallte datën.. Elefanti, i tmerruar, u tërhoq mbrapsht me forcë dhe unë rashë mbi disa shkurre plot gjemba të gjatë e therës. Atëherë, tigri m’u hodh sipër, më shqeu e më hëngri.
– Të hëngri?! – tha rrobaqepësi i parë që po e dëgjonte i habitur.
– Po, më hëngri. Më gëlltiti të gjithin… Deri te copa më e fundit.
– Ore, çfarë po më thua…? Si të paska ngrënë tigri, kur ti je i gjallë? Ja ku po jeton ende!
Atëherë, rrobaqepësi i dytë mori gjilpërën me fill dhe duke vazhduar punën, gjithmonë i qetë, i thotë të parit:
– Pse jetë e quan ti këtë?

Në shqip nga Bajram Karabolli – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]