Gëzim Mekuli

Sa mund të kritikojë një media (apo edhe një gazetar) ata padronë dhe organizata që e ndihmuan atë të themelohet dhe të ekzistojë si media dhe si gazetar? Dhe, nëse kjo media ka guximin ta ushtrojë kritikën mbi ta, atëherë deri në ç’shkallë mund të shkojë kjo kritikë e kësaj gazetarie?

Retrospektivë
Situata mediale në Republikën Federale Gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Tentim nivelimi i politikës së shqiptarëve të Kosovës me politikën naziste gjermane.Plani i shtabit qendror ushtarak anglo-amerikan në lidhje me rregullimin e mediave gjermane orientohej në tri faza. Pas kapitullimit të fashizmit gjerman dhe futjes së armatës së aleancës në tokën gjermane, aleanca urdhëroi që të gjitha mediat gjermane të ndërpresin punën e tyre informative, veprim ky i drejtë moral dhe politik. Vendimi u mor më 24 nëntor të vitit 1944.

Gjatë fazës kalimtare ishin aleatët ata që ishin të detyruar që përmes fletushkave informative të siguronin informimin e opinionit ”të helmuar” gjerman. Vetëm shumë vite më vonë do të lejohen që prodhues dhe selektorë të lajmeve për opinionin publik të vendit të jenë vetë gjermanët (gjithsesi duke qenë nën monitorim të rreptë të fuqive evro-amerikane). Ishte një unitet dhe pajtim i plotë në mesin e aleancës që të ndalohet puna jo vetëm e organeve të shtypit nacional-socialist (shtyp që ushqeu makinerinë ushtarake dhe shpirtin gjerman për të bërë gjenocid të paparë mbi njeriun), por edhe i tërë shtypi që ekzistonte që para vitit 1945, pra edhe të shtypit të para vitit 1933. Politikat, strategjitë dhe vendimet e aleancës ishin vendosur në konferencën e Potsdamit. 


Në dokumentin përfundimtar të 2 gushtit 1945 fuqitë ngadhënjimtare formuluan dokumentin rreth qëllimeve dhe planeve të tyre demokratike: 
a) Të politikës së sigurisë: çnazifikimi dhe marrja e masave serioze në rastin e ndonjë revanshi të mundshëm të politikës gjermane; 
b) Të politikës ekonomike: çështja e riparimit dhe e riaftësimit të ekonomisë gjermane; 
c) Të jetës politiko-shoqërore: instalimi i një shoqërie demokratike, toleruese dhe jo ekspansioniste. 


Është më se e qartë se mediat, si transmetuese dhe ndërmjetësuese informative, ishin në fokus të interesave të aleancës dhe jo rastësisht në dokumentin e Postdamit ato kishin një rol të rëndësishëm. Një ndër kushtet për rindërtimin e gazetave të reja, sipas modelit anglo-amerikan, ishte “rimësimi” dhe “riedukimi i shpirtit” të gazetarëve gjermanë.

Britanikët, p.sh., kërkonin nga sistemi i gazetarisë së re gjermane që shërbimi profesional dhe oferta objektive të ketë vendin e vet dhe të jetë zotërues absolut i një lajmi e jo opinioni subjektiv i një gazetari. Në “Standig Directive NO.1” të 20 korrik 1945 thuhet: “Gazeta duhet të jetë një forum i përgjithshëm. Lajmi dhe komenti duhet të dallohen, të ndahen nga njëri-tjetri. Të mënjanohet ndërtimi i reportazheve tendencioze, luftënxitëse e naziste.” Aleanca perëndimore dëshironte, para së gjithash, të bënte një reklamë për demokracinë e që në mendjen e tyre kjo do të thoshte që Gjermania duhej të bënte përsëri pjesë në shoqërinë e shëndoshë dhe demokratike evropiane.

Qëllimi fundamental i shtypit dhe i politikës informative evroperëndimore ishte që “shpirtin” gjerman, me kuptimin e plotë të fjalës, ta rikrijojë dhe pastrojë. Riedukimi i gjermanëve të pas Luftës së Dytë Botërore, sipas aleancës perëndimore, mund të përfshihet në katër D-të: demilitarizim, decentralizim, denacifikim dhe demokratizim.

Sot
Situata mediale e pasluftës në Kosovë


Mediat, veçanërisht në Kosovë, kanë nevojë për ndihmë profesionale, morale dhe ekonomike.

Por, vetvetiu lind një pyetje: Pse gjithë ky presion politik, ideologjik dhe ekonomik mbi mediat shqiptare në Kosovë? Përse tentohet që të bëhet një riedukim dhe një rikrijim i popullit shqiptar?

Dënohet media që tenton të zbulojë e të ndihmojë në zbardhjen e fakteve për ata policë, ushtarakë dhe civilë serbë, që vranë e bënë gjenocid në Kosovë. Përse lejohet, përkrahet dhe djallëzisht ndihmohet tensionimi artificial i ambientit politik në Kosovë? Përse nuk thuhet e vërteta rreth zgjidhjes politike të Kosovës dhe rolit të UNMIK-ut në këto raste? Cili është roli i politikave mediale ndërkombëtare në Kosovë?

Ishte propaganda gebelsiane e qeverisë serbe ajo që nxiti qenien dhe energjinë ushtarake serbe për të marshuar në Kosovë. Ishin dhe ende janë edhe sot, fatkeqësisht, media, inteligjencia dhe politika serbe ato që në shekullin XX përsëritën kampin fashist në territorin e ish-Jugosllavisë. Ishin mediat, politikanët, pozitë dhe „opozitë”, ata që bënë përndjekjen mitike të shqiptarëve në shekullin XX.

Po cili është presioni i EU-se mbi mediat nacionaliste serbe? Cilat media serbe veprojnë në Mitrovicë? Kush i financon ato dhe çfarë është forma dhe përmbajtja e porosisë së tyre?

Pa ngurrim mund të themi se mungesa e profesionalizmit, e guximit intelektual, e sinqeritetit dhe e neutralitetit në profesion, është pjesë e një gabimi të vulosur nga shumë individë  kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Mbulesa politike e mediale e katastrofës së Tsunamit, siç duket, ka ngjashmëri me mbulesën politike dhe mediale të katastrofës së Kosovës, por me një të vetmin ndryshim: Atje burim i katastrofës humanitare ishte nëna natyrë e këtu, te ne, burim i katastrofës politike dhe ekonomike është faktori njeri, ai kombëtar dhe ndërkombëtar.

Të katër qëllimet apo “D”-të : (demilitarizimi, decentralizimi, dekombëtarizimi dhe demokratizimi) para se të përfundojnë në hapësirat shqiptare, së paku do të duhej të fillonin të ushtroheshin edhe në Serbinë e Ivo Andriqit.

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Askush nuk e kontrollon gazetarinë dhe kritikën tonë. Ndihmojeni MekuliPress të paktën me 1 euro. Mbështete sot median e pavarur kombëtare.