Libri përmban informacione mbi historinë, traditat, kostumet dhe çdo element tjetër të botës arbëreshe që gjendet në këtë vendbanim.
Spezzano Albanese, ose siç i thonë Arbëreshët Spixana ndodhet në një zonë kodrinore midis Piana di Sibari-t dhe luginës së Esaro-s, rreth 300 m mbi nivelin e detit. Kjo komunë përfshin fshatrat e Spezzano Scalo-s dhe Spezzano Terme-s, në të cilat janë vendosur prej shekujsh arbëreshët. Libri është i pasur edhe më fotografi, të cilat autorja i ka realizuar gjatë punës në terren për hartimin e këtij libri.
Ornela prej kohësh është një bashkëpunëtore e studiuesit arbëresh Papas Antonio Bellusci, një ndër protagonistët më në zë të universit arbëresh, me një kontribut prej shumë dekadash, të fokusuar në dokumentimin e elementeve etnografike, foklorike, kostumografi etj. Ajo ka botuar dhe një libër për të, “Rrugëtimi i një arbëreshi”. At Antonio Bellusci gjatë udhëtimeve inçizoi lirikat e dashurisë dhe familjare, këngët popullore, mënyrën e jetesës, kultet, lindjet, dasmat, vajtimet arbërore, fjalë e urta, anekdotat, ritet, mitet e veshjet popullore.
Së shpejti, pritet që Qendra e Botimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) të botojë librin “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, me autorë profesorin Antonio Bellusci në bashkëpunim me autoren Ornela Radovicka, libër i cili do të sjellë një pasqyrë të plotë historike të të gjitha ngulimeve arbëreshe në Itali./ Diaspora Shqiptare /