Shaban Murati, ka ribotuar artikullin e vet, me titull “Akademia e Shkencave e Shqipërisë kundër pavarësisë së Kosovës”, të botuar për herë të parë më 24 nëntor 1998, si përgjigje ndaj broshurës së Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, të titulluar “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, të hedhur në qarkullim në tetor të vitit 1998. Në krye të artikullit të ribotuar Shaban Murati ka vënë titullin “Kosova dekoron kundërshtarët e pavarësisë”

Në parathënie të këtij ribotimi ai thekson:

“Me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës presidenti i Kosovës dekoroi me motivacionin e kontributit për pavarësinë e Kosovës një grup njerëzish nga Shqipëria, në mesin e të cilëve ka njerëz, që jo vetëm nuk kanë shkruar një rresht e nuk kanë thënë një fjalë për Kosovën, por edhe që kanë qenë kundër pavarësisë së saj.
Kulmi i absurditetit arrin me dekorimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila ka shprehur botërisht qendrimin zyrtar “akademik, shkencor dhe politik” kundër pavarësisë së Kosovës në tetor të vitit 1998, në kulmin e luftës së përgjakshme të popullit shqiptar të Kosovës dhe të UÇK për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

E përshëndes zotërinë Shaban Murati për ribotimin e artikullit të tij fort analititk dhe me argumente mjaft bindëse, por dëshiroj të nënvizoj se atë grupin e njerëzve dhe Akademinë e Shkencave në Tiranë nuk i ka dekoruar Kosova, i ka dekoruar argati i regjur i Beogradit që mban padrejtësisht postin e presidentit të Kosovës dhe që shumica e Kuvendit të Kosovës, po padrejtësisht, e lejon ta mbajë një post të tillë, meqenëse ajo vetëështë një shumicë mercenare në shërbim të Beogradit. Pra, tradhtari i Kosovës ka dekoruar një grup tradhtarësh në Tiranë.

Me këtë rast, në mbështetje të artikullit të ribotuar të zotërisë Shaban Murati, në faqet e gazetës “Bota Sot” dëshiroj të ribotojartikullin tim në vijim, të botuar për herë të parë më 06 prill 2012, me titullin e mëposhtëm.

Tradita antikombëtare në veprimtarinë e Akademisë së Shkencave

Në analizën e vet me titull “Çamëria dhe shqiptarët e saj ekzistojnë, do apo nuk do Vangjel Dule e Athina e tij”, zoti Hyqmet Zane shkruan:

“…Akademia e Shkencave ka harruar detyrën e vet, që t’u japë përgjigjen e merituar këtyre bastardëve që sillen në Shqipëri si historia me gjarprin e fshatarin që e mori ta ngrohte në zjarr se i erdhi keq nga që kishte ngrirë në akull dhe gjarpri iu kthye atij që ta kafshonte. Nejse, kur nuk flet Akademia dhe të ashtuquajturit akademikë, detyrimisht që do të flasë Vangjel Dule e kompani” (Citohet sipas faqes së internetit“Tribuna Shqiptare”. 06 prill 2012).

Fatkeqësisht, nuk është hera e parë që Akademia e Shkencave braktis mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar. Në vitin 1998, kur në Kosovë kishte dalë në skenë UÇK-ja, ajo botoi një broshurë me titull “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”. Sapo lexoje titullin e asaj broshure asokohe, të krijohej përshtypja sikur do të njiheshe me të vërtetë me piketat që Akademia jonë e Shkencave “paskësh vënë” për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Asokohe, profesori i mirënjohur i filozofisë i Universitetit të Tiranës, dr.Hysamedin Feraj, ka zhvilluar një polemikë të fortë me Akademinë e Shkencave për përmbajtjen e asaj platforme, e cila e varroste përfundimisht zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Për të argumentuar me fakte se cili ka qenë qëndrimi i Akademisë së Shkencave vetëm  ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, këtu po mjaftohem vetëm me citimin e një fragmenti të shkurtër nga ajo platformë e turpshme:

“Në rrethanat e tanishme, Akademia e Shkencave kërkon ndërhyrjen e përbashkët të forcave demokratike shqiptare dhe të faktorëve me peshë ndërkombëtare për ta njohur Republikën e Kosovës si element konstitutiv të Republikës Federale të Jugosllavisë…” (Citohet sipas: Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë.“Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”. Tiranë, 1998, f. 51).

Pra, në tetor të vitit 1998, kur ishte hedhur në qarkullim kjo Platformë, kur tashmë kishte dalë në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur nga ngrehina e mikroperandorisë jugosllave kishin mbetur edhe dy “ngastrat” e Serbisë dhe të Malit të Zi, kur emërtimin ”Republikë Federale e Jugosllavisë” shovinizmi serbomadh po pëpiqej ta mbante “me thonj e me dhëmbë”, paçka se faktikisht ai tashmë ishte i paqenë, Akademia jonë e Shkencave, përmes Platformës së saj antikombëtare,  kërkonte vazhdimin e robërimit të mëtejshëm të popullit shqiptar të Kosovës nën çizmen serbe, në kuadrin e të ashtuquajturës Republikë Federale e Jugosllavisë. Ndërsa për çështjen çame, ajo nuk thoshte as edhe një fjalë të vetme. As nuk e përmendte fare të drejtën e popullsisë çame që ndodhet në Shqipëri për t’u kthyer në trojet e veta stërgjyshore, në Çamëri. Për shqiptarët e Greqisë, Akademia jonë e Shkencave mjaftohej vetëm me rekomandimin që jepte për t’u siguruar atyre vetëm “të drejtën të mësojnë në shkollat shtetërore edhe gjuhën e tyre amtare” (po aty). Dhe vetëm kaq!

Për sa i përket zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare, si të vetmes çështje ende të pazgjidhur në kontinentin evropian, Akademia e Shkencave duhej të ishte në pararojë të mendimit politik shqiptar. Me largpamësinë politike që duhej ta karakterizonte, ajo duhej të bëhej shprehëse e aspiratave shekullore të kombit shqiptar dhe udhërrëfyese për realizimin në praktikë të këtyre aspiratave, që nënkuptojnë vetëm krijimin e shtetit të unifikuar kombëtar shqiptar në mbarë trojet tona etnike. Por Akademia e Shkencave, fatkeqësisht, ka qenë zëdhënëse e drejtpërdrejtë e ideologjisë komuniste, e cila i kishte vënë këmbën një herë e mirë zgjidhjes së Çëshjes Kombëtare. Në kushtet e diktaturës së egër enveriane, është e kuptueshme që edhe Akademia e Shkencave do të notonte në batakun e mashtrimit ideologjik të njerëzve, larg trajtimit të të vërtetave shkencore, duke u marrë me retushimin e historisë, ashtu siç bënte edhe “ofiçina” e fuqishme ideologjike e Nexhmie Hoxhës, me emrin “Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste”.

Pluralizmi në Shqipëri u vendos që në dhjetor të vitit 1990, kurse Akademia jonë e Shkencave vetëm pas tetë vjetësh kujtohej të përgatiste dhe të botonte një platformë për “zgjidhjen” e Çështjes Kombëtare Shqiptare, platformë kjo, e cila, në të vërtetë, duke iu rekomanduar mbarë shqiptarëve të përtejkufijve politikë që të vazhdojnë të rrinë nën sundimin e sllavogrekëve, duke i mësuar ata se si të lypin ndonjë të drejtë nga sundimtarët e tyre shekullorë, tregonte hapur se si nuk duhet zgjidhur kurrë Çështja Kombëtare Shqiptare në Evropën Juglindore. Shembja e sistemit komunist, normalisht, duhej ta kishte çliruar Akademinë e Shkencave nga vargonjtë e ideologjisë komuniste dhe ta vendoste në krye të nismës për ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të unifikuar kombëtar. Por, fatkeqësisht, Akademia jonë e Shkencvave, nuk u çlirua dot kurrë nga vargonj të tillë, meqenëse ata që kanë qenë në krye të saj kanë kaluar përmes kudhrës së enverizmit, i cili çështjen e copëtimit të tokave shqiptare nga ana e diplomacisë shoviniste evropiane, asnjëherë nuk e shtroi për zgjidhje në asnjërin nga forumet më të rëndësishëm ndërkombëtare. Përkundrazi, pikëpamjet e Akademisë së Shkencave për këtë problem, kanë ecur dhe vazhdojnë të ecin në binarët e enverizmit, meqenëse mënyrën se si nuk duhet zgjidhur kurrë çështja kombëtare shqiptare e ka përcaktuar vetë Enver Hoxha që asokohe, kur atë e kishte përflakur afshi i nxehtë i miqësisë me Jugosllavinë titiste.

Prandaj edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, duke ndjekur hullinë enveriste të “zgjidhjes” së Çështjes Kombëtare Shqiptare, hodhi në qarkullim një platformë, si ajo e vitit 1998. Kësisoj, ajo bëhej tashmë mbështetëse e Partisë Neokomun(social)iste të Shqipërisë, e cila, ashtu si edhe Enver Hoxha, duke e quajtur të varrosur aspiratën e kombit shqiptar për ribashkim kombëtar, dërgonte në Kretë për takim me Millosheviçin ish-kryetarin e saj Nano, që, gati një vit më vonë, në Lisbonë, pak kohë para vrasjes së Azem Hajdarit, deklaroi se shqiptarët e Kosovës kanë kryeqytet Beogradin! Kurse Akademia e Shkencave, në Platformën e vet, popullit shqiptar të Kosovës i rekomandonte për “kryeqytet” Republikën Federale të Jugosllavisë. Pra, ja ku bashkoheshin për një qëllim edhe Enver Hoxha [Partia Komuniste (e Punës) e Shqipërisë], edhe Fatos Nanoja [Partia Neokomuniste (Socialiste) e Shqipërisë], edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë – për braktisjen e popullit shqiptar të përtejkufijve politikë në mëshirën e sundimit të shovinizmit serbogrekomadh dhe tradhtimin e aspiratave madhore të kombit shqiptar për t’u ribashkuar në një shtet të unifikuar kombëtar.

Shumë probleme të mprehta, që kanë qenë tepër shqetësuese për mbarë kombin tonë gjatë këtyre njëzet vjetëve të pluralizmit në Shqipëri, domosdo  që duhej të kishin shërbyer si objekt shqetësimi të përhershëm për Akademinë e Shkencave, e cila duhej të përcaktonte pozicionin e vet, larg ndikimeve të politikës antikombëtare të partive që hipin e zbresin nga pushteti. Mbajtja e emigrantëve tanë nga ana e shtetit grek si pengje të politikës së saj shoviniste ndaj vendit tonë, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e Akademisë së Shkencave. Kësaj Akademie nuk mund të mos i ketë rënë në sy rrëmbimi i pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga ana e uzurpatorit Janullatos dhe shndërrimi i saj në një filial të Kishës Ortodokse Greke. Akademia e Shkencave nuk mund të bëjë të paditurin para polemikës së ortodoksit të shquar nacionalist, Atë Nikolla Markut, me sahanlëpirësit e Janullatosit për çështjen e pavarësimit të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe largimin një sahat e më parë të uzurpatorit Janullatos nga kreu i saj.

Para ca vjetësh u bë njëfarë riorganizmi i Akademisë së Shkencave. Por deri tani nuk kemi vënë re kund që kjo Akademia “e riorganizuar” ta ketë vënë në tehun e kritikës së rreptë Platformën e turpshme të vitit 1998. Përkundrazi. Akademia e Shkencave ka heshtur në mënyrën më të shëmtuar para aksioneve të kreut të shovinizmit grekokaragjoz në Shqipëri Anastas Janullatos për zhvarrimet e Kosinës, për mbjelljen e territorit të Shqipërisë së Jugut me varreza, manastire dhe memoriale në nderim të ushtarëve agresorë grekë, për shpërthimin e urrejtjes antishqiptare nga ana e mercenarit dhe tradhtarit me damkë Vasil Bollano dhe lakeut të Athinës Vangjel Dule.

Ohajo, Sinsinati.

06 prill 2012

————————-

*Shënim.

Në njërën nga faqet e internetit të datës 18 qershor 2019, ishte botuar një material mjaft interesant, me titull:

“Memorandum i ASHASHA (Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve), Nju Jork: Shqipëria të kërkojë sanksionimin juridik ndërkombëtar të kolonializmit sllav në tokat shqiptare”.

Në rubrikën Komente për këtë material, unë kam botuar shënimin e mëposhtëm:

Ky Memorandum ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Çështjen tonë Kombëtare, ende të pazgjidhur në siujdhesën e Ballkanit. Ai merr një rëndësi të dorës së parë edhe për arsye se është i pari, në të cilin kërkohet publikisht e drejta e mbi 2 milionë shqiptarëve që të kenë të drejtën e vetëvendosjes në trojet e tyre amtare që ndodhen ende të kolonizuara në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoninë Veriore dhe në Greqi.

Në këtë Memorandum më ka lënë mbresa të thella paragrafi i mëposhtëm:

“Në këtë vështrim, duke u bazuar në Nenin 1, paragarfi 2, dhe në Nenin 55 të Kartës, OKB-ja nevojitet që të “shpaketojë” dhe të sanksionojë juridikisht sundimin kolonial sllav (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia Veriore) mbi 2 milionë shqiptarë dhe mbi territoret e tyre autoktone të Shqipërisë etnike, duke iu njohur të drejtën e vetëvendosjes, që do të thotë shkolonizimin, pavarësimin dhe sovranitetin e tyre”.

Një kërkesë e tillë bëhet publike për herë të parë pas një shekulli, pikërisht pas Fjalimit të shkëlqyer të Atë Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, ku ai pati deklaruar burrërisht:

“Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve edhe përcaktimin e kufijve të tyre, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë”.

Mendoj dhe kam bindjen e plotë se ky Memorandum është një leksion kuptimplotë për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe për Akademinë e Shkcencave dhe të Arteve të Republikës së Kosovës, të cilat duhej të ishin kujtuar me kohë dhe duhej të kishin kontribuar në kohën e duhur për emancipimin e klasës politike, për t’ju drejtuar institucioneve ndërkombëtare për zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare, e cila vazhdon të mbetet pezull që prej vendimeve kolonialiste që mori Kongresi i Berlinit i vitit 1878 dhe Konferenca e Londrës e vitit 1913 për copëtimin e trojeve tona etnike, për interesat e grekosllavizmit, nën presionin e shovinizmit rusomadh, armikut të kahershëm të kombit shqiptar.

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]