Elvis Hoxha

Vrasja prej informacionit bashkon sot, më shumë se kurrë, kulturën e përgjithshme, dijen e volitshme për opinionin e paditur, me njohjen e pretenduar më të lartë, atë të konspiracionit. Dija e sekretit nuk është dije, por nëndije, informacion për një situatë partikulare, pra që nuk synon domosdoshmëri e as rastësi, por vetëm arbitraritet. Pushteti është këtej e tutje i lumtur sepse mund të prodhojë vendimmarrje konspirative, pa pjesëmarrje të asnjë mase njerëzore legjitimuese, pa asnjë gradë dhe specialitet të dijes. Nga ana tjetër, opinioni është i lumtur sepse më shumë se të mësojë mbi gjendjen e fizikës moderne apo të artit klasik, shtjellon teza të një pushteti të errët. Nuk ka më mirë për të se ta shoqërojë kafenë me teza konspirative. Teoremat fizike nuk janë të këndshme për me e shoqëru kafenë apo rakinë.

Në mes të të dyve, pushtetit që prodhon konspiracion dhe opinionit që nuk nginjet me konspiracion, qëndron çifti media-financë. Financa nuk financon më prodhimin dhe krijimtarinë, por prodhon informacion pa formë, gjë që në administrimin politik është të drejtuarit pa ligj dhe pa metafizikë, dhe krijon burime komunikimi pa synim epistemik, gjë që do të thotë njohje pa shkencë ose pa co-scienza (vetëdije ose bashkë-me-shkencën). Dhe kështu gjendemi para një informacioni pa fill, por me kokën në litar. Dhe na ngopin me info, me adresa portalesh, me turmë kanalesh, me turli partish dhe më në fund me mori marrëveshjesh, akte nën-ligjorë në fb dhe ditare dekretesh. Migjeni thoshte: “fli e mjerë paragrafesh”!

Ju pëlqen!

Mes vetëdijes që po shuhet dhe nën-dijes që po fiton, shkollat e të gjithë niveleve vrasin inteligjencën dhe homogjenizojnë dijen. Foto-shopi është po aq i rëndësishëm sa dhe imagjinata e shkencës së kimisë, ndërsa në orën e edukimit fizik mjaft ta shtyjmë kohën duke i hedhur topin njëri-tjetrit sa për të kaluar ora. Aspak maniake të perfeksionizmit, dijet e gjymtuara do të na kryejnë punë. Sa për poezinë, do ta shkruajmë ndonjëherë përsaqë nuk kemi lexuar të tilla. Sepse, përndryshe, po e morëm vesh se ç’është poezia në të vërtetë, mes matematikës dhe muzikës, mes pikturës së figurës dhe skulturës së gërmës, do të na hapet punë. Poezia duhet të mbetet në gradën e rritjes sonë tragjike: poezia e një adoleshence të papërmbyllur. As fëmijë e as adult, çdo përpjekje do të bëhet që të mbetemi njerëzim adoleshent. Një njerëzim adoleshent i shkon për shtat pushtetit që prodhon konspiracione dhe mediave që financojnë portrete bajatë nëpër debate injorantësh. Adoleshenca, ura që nuk puth asnjë breg, në një det teknologjik informacioni që nuk mbart asnjë synim.

Veshët nuk janë ata të fjalisë: marr vesh. Janë tash e tutje timpanët e harresës.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.