Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA” u ka bërë thirrje të gjithë intelektualëve shqiptarë nga Kosova që të sjellin punime autoriale në lidhje me zhvillimet që kanë ndodhur midis viteve 1990-1999 në Gjakovë dhe fshatrat e saj.

“Shoqata “Jakova” tashmë ka vu në programin e saj edhe projektin me titull: “Gjakova: 1990-2000”, për ta sjellë në kujtesë dhe për të mos i harruar vitet 1990- 1999 dhe zhvillimet politike, sindikale, në arsim, në shëndetësi, në ekonomi (e sidomos industri), në zejtari, në kulturë, procesi i migrimit.. dhe të gjitha ato që e kanë karakterizuar jetën në Gjakovë dhe në fshatrat e Gjakovës”, ka bërë të ditur kryetari i saj, Ruzhdi Sefa.

Ai ka thënë se vend të veçantë, në këtë konferencë do të zënë ndodhitë dhe përjetimet e popullatës shqiptare të Gjakovës, si pjesëmarrja dhe lufta e UÇK-së, flakët e luftës, dëbimi i banorëve nga fshatrat, strehimi në familjet e Gjakovës, ndihmat… dhe çlirimi, kthimi i popullatës në vatrën e vet.

“Me këtë projekt unik, Shoqata e ka për qëllim t’i shënojë dhe të lërë gjurmë të zhvillimit historik të ngjarjeve, të situatave tepër të rënda, të angazhimeve, të veprimtarisë së personave dhe të familjeve”, ka thënë Sefa.

Ai ka shtuar se autorët këto të gjitha duhet t’i paraqesim sa më besnikërisht, sa më realisht, pa zbukurime e lavdërime.

“Me një fjalë, të paraqitet ashtu siç ka ndodhur gjithçka deri në imtësinë më të hollë, duke i paraqitur ngjarjet në shumë rrafshe, pa harruar kontributet e të gjithë atyre personave që kanë ndihmuar ta zbusin gjendjen dhe t’i kalojnë sa më me pak pasoja rrethanat e krijuara si pasojë e shkatërrimeve nga armiku”, ka thënë Sefa.

“Ky projekt është i të gjithë neve, kurse ideja është e Shoqatës ‘Jakova’, prandaj qytetarë të komunës së Gjakovës, jepni kontributin tuaj dhe ndihmoni ta shkruajmë kronikën tonë të përbashkët, sepse në vitin e largët 1913 të njëjtët armiq na e dogjën, ose na e vodhën kronikën (“sixhilin”) e Gjakovës, këtë radhë ndihmoni mos të na i vjedhë koha të gjitha ngjarjet që na kanë ndodhur dje”, ka thënë Sefa.

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]