Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka themeluar Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19, që për kryesues do të ketë infektologun Lul Raka.

Këtë e ka bërë të ditur Zemaj përmes një postimi në “Facebook”, ku mes të tjerash deklaron se ky bord është i përberë prej njëmbëdhjetë anëtarësh.

“Themelova Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19, me prof. dr. Lul Rakën kryesues. Një elitë mjekësh, studiuesish, shkencëtarësh dhe figurash profesioniste me profil të lartë të fushave të ndryshme do të përbëjnë këtë bord prej njëmbëdhjetë anëtarësh”, deklaron Zemaj.

Ministri shton se këta anëtarë vijnë nga fusha të ndryshme si: epidemiologjia, mikrobiologjia, praktika klinike, shëndetësia publike, shkenca e sjelljes, menaxhimi i krizave, mbrojtja civile, komunikimi, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, transmeton “Zeri.info”.

Zemaj tregoi se për çfarë do të shërbejë ky Bord.

“Bordi nuk do të jetë vetëm si dekor në këtë luftë, por organ profesional këshillimor për Ministrinë e Shëndetësisë. Do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e COVID-19, rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të COVID-19”, shkroi Zemaj në këtë postim, transmeton “Zeri.info”.

Në fund, ministri Zemaj tha se të gjitha propozimet nga ky bord do të vlerësohen dhe do të rekomandohen edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike – IKSHP sipas legjislacionit në fuqi.