Para tri ditësh, dikush nuk harroi të sillte në media rastin e pushkatimit nga francezët të Themistokli Gërmenjit nga francezët gjatë Luftës së Parë Botërore. Arsyeja është fare drejtvizore: Franca na ka inat. Ja një shembull. 

Mirëpo bota është portokalle thonë. Qysh prej dy ditësh tashmë gazetarët e pushtetit kanë krijuar togën e tyre të pushkatimit: ata po pushkatojnë presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Kuptohet po përdorin municionin ekskluziv të tyre: pështymën, mallkimin, jargët dhe zhgarravinat e porositura. Janë ekzekutime që të bëjnë ta shohësh këtë vend si kopsht zoologjik. Kështu u pushkatua para ca kohësh deputeti gjerman, Kirchbaum. Kështu kryeministri grek Tsipras. Nëse këta do të silleshin ndryshe, pra do të mbështesnin qeverinë e z. Rama, do të dekoroheshin dhe madje do të kishin parë veten në faqet e para të lavdërimeve.

Gjallesat inteligjente që bëjnë këtë punë, sigurisht që nuk kanë patur luksin të pushkatojnë edhe presidentin e Amerikës, atij thjesht i kanë ngritur pusi me letra anonime, e kanë denigruar në sytë e popullit proamerikan, për të pranuar se pushkatimi verbal i Trump është ekskluzivitet i kryeministrit. Bam. Qitje e thatë që dëgjohet anekënd botës: Trump është rrezik për qytetërimin.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Kryeministri i Shqipërisë po që është shtëpi pushke. Jo më kot futi në Parlament lloj lloj harbutësh me armë e pa armë, sepse si i thonë fjalës “trimi i mirë me shokë shumë”.

Kjo mërzi me Europën e komitëve me diplloma të Tiranës,  i ka dhënë krye idesë se Shqipërisë i mbetet vetëm Amerika. Ajo ia ka hapur derën vendit, ajo është shpresa. Vullnetarët e kësaj ideje nuk mungojnë. Janë po këta pushkatarët barutlagur që sot dërgojnë letra me foton përkatëse, një lloj CV-je për departamentin. Ka shkruar analisti 1, 2, 3 e me radhë, sipas listë borderosë dhe preferencave. Shpjegohet politika e brendshme, ngushtësia e Macron, loja e Merkel, gjithë tollovia europiane për Ne.

Sytë nga Amerika e cila për vete ka bërë shumë në Shqipëri. Ka mbajtur me shpresa njëshin, dyshin, treshin e analizave, se do fusë në burg atë, këtë dhe ca të tjerë. Do bëjë drejtësi në këtë vend fisnikësh të rënë nga vakti osman.

Njëherë do futej Berisha në burg, pastaj Shullazi u kap se donin ata, më tej do futet Meta.  Ky patjetër duhet futur. Për këtë ka pallavra story pafund: njëherë se dekretoi atë për një arsye që e dinë amerikonët, pastaj se shtyu zgjedhjet se ashtu është një hall po me amerikonët, pastaj se lidhet me grekët se ia kanë bërë benë. Prapë amerikonët. Dhe me këto përralla ikën 6 vjet. Të lumtur për xhepat e dikujt dhe fare bosh për të tjerë.

Ndërkohë monopolin e ofrimit të shpresës në këtë vend tanimë e kanë amerikanët, amerikonët si i pëlqejnë me i qujt. Të cilët kanë zëdhënës të veçantë këtu, europianë të frustruar që denoncojnë kurvën e motit si shqiptarë të nëpërkëmbur me litaninë e bezdisshme të aureolës së shpikur historike të një kombi që është imagjinuar. Letra e taposur është hedhur tashmë në Lanë e bashkë me mbetjet dhe fekalet panshqiptare të Tiranës po del në Adriatik. Ajo po udhëton drejt Perëndimit dhe në këtë llurbë të pistë shohim metaforën e Golgotës së mbarë kombit që ka mbrojtës kaq të çkëlqyer te pakica e europianëve të frustruar.

Ikën 30 vjet dhe demokracia nuk erdhi. As drejtësia jo e jo. Se bëri dot as Amerika. Po pse tallet vallë kaq keq me dashamirësit e saj në Tironë, pse i përdor kaq lirë? Pse e mbron Metën dhe Berishën, se Ramën kuptohet se përse? 

Ne nuk e meritojmë këtë tallje. Kurrsesi jo. Jemi një vend kaq i mençur saqë maksimën “e shkruara mbetet” e kemi korrigjuar me atë tjetrën: Ruaj veten nga gjërat e shkruara në Tiranë! Sepse shëndeti mendor dhe nevoja për të mos urryer njëri-tjetrin e bëjnë të domosdoshme që mos të lexojmë pështymat verbale të snobëve dhe gagarelëve që i kanë zënë fytij këtij vendi. Le t’i marrë era apo vija e plehrave…Ndaj edhe harrojmë shpejt. Këto kujtime dhe kjo flamë, kjo shtirje dhe ky bizantinizëm, shkruar në pafundësi, do kishte ndotur edhe ëndrrat e atyre që ende nuk kanë lindur. 

Shaptilografisti

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...