Kosova është renditur si vendi me numrin më të lartë të të vdekurve nga Koronavirusi në botë, në një milion banorë nga Universiteti John Hopkins.

Për këtë ka shkruar edhe gazeta britanike “The Telegraph”.

Gazeta e vlerëson Kosovën si një nga vendet më të varfra të Evropës, me një sistem të brishtë shëndetësor.

Ju pëlqen!

Lexo edhe: Media amerikane: Kosova e para në botë me më shumë vdekje nga Koronavirusi

Sipas “The Telegraph”, edhe pse 53 për qind e njerëzve në Kosovë janë nën moshën 25 vjeçare – ajo ka rezultuar veçanërisht e ndjeshme ndaj pandemisë.

Si shkak për numrin e madh të rasteve me Covid-19, gazeta përmend rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit dhe përplasjet mes politikanëve për pushtet.

“Paqëndrueshmëria politike ka ushtruar më shumë presion mbi shërbimin shëndetësor të sëmurë të Kosovës”, ka shkruar “The Telegraph”.

Shkrimi i plotë i “The Telegraph”:

Kosova aktualisht është vendi më vdekjeprurës për Koronavirus, pavarësisht se ka popullsinë më të re në Evropë

Kosova është një nga vendet më të varfra të Evropës dhe ka një shërbim të brishtë shëndetësor

Kosova është bërë vendi më vdekjeprurës në botë për Covid-19 pavarësisht faktit që ka popullsinë më të re në Evropë, pasi klasa politike e Republikës e ndarë lufton për të përmbajtur virusin.

Gjatë javës së fundit, shkalla e vdekjeve në Kosovë u rrit në 54.2 viktima për një milion banorë, duke e bërë Republikën prej 1.8 milion banorëve liderin botëror kur bëhet fjalë për vdekjet për kokë banori nga virusi, sipas shifrave nga Universiteti John Hopkins.

Kolumbia është në vendin e dytë, me 50 viktima për një milion banorë. Avdullah Hoti, kryeministri që ishte testuar pozitivisht për virusin në fillim të gushtit, ka paralajmëruar se spitalet në të gjithë vendin po mbarojnë shtretërit për shkak të një fluksi të rasteve të reja të Covid-19.

Ai gjithashtu ka thënë se qeveria është e gatshme të sjellë kufizime të reja në përpjekje për të përmirësuar luftën kundër virusit.

Megjithë popullsinë e re të Kosovës – 53 për qind e njerëzve të saj janë nën moshën 25 vjeçare – ajo ka rezultuar veçanërisht e ndjeshme ndaj pandemisë.

Kosova është një nga vendet më të varfra të Evropës dhe ka një shërbim të brishtë shëndetësor, por gjithashtu i është dashur të durojë paqëndrueshmërinë politike që ka minuar përpjekjet për të luftuar virusin.

Në mars, derisa Covid-19 po merrte një hov, vendi u hodh në kaos kushtetues kur qeveria u rrëzua pas mocionit të mosbesimit.

Vetë votimi u përshpejtua nga një përplasje midis Albin Kurtit, kryeministrit në atë kohë dhe Hashim Thaçit, presidentit, mbi mënyrën e kufizimit të përhapjes së virusit.

Përmbysja e qeverisë solli me vete shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë dhe pjesës tjetër, duke prishur përgjigjen e shtetit për urgjencën e shëndetit publik.

Qeveria e Hotit gjithashtu është akuzuar për heqjen e kufizimeve anti-virus shumë herët.

Paqëndrueshmëria politike ka ushtruar më shumë presion mbi shërbimin shëndetësor të sëmurë të Kosovës.

Që nga marsi rreth 1.200 profesionistë shëndetësorë janë infektuar me Koronavirus, përfshirë 494 mjekë, shtatë prej të cilëve kanë vdekur.

Në fillim të gushtit, infermierët protestuan në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, duke kërkuar që pagat e tyre të dyfishohen në 36 euro në ditë./BS

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!