Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kritikuar LVV-në dhe LDK-në të cilat tash e dy muaj pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, nuk po munden të dakordohen për koalicion qeverisës.

Në një takim me të rinjtë e partisë, në shënimin 20-vjetorit të themelimit të Rinisë Demokratike të Kosovës, Veseli LVV-në e LDK-në i quajti “frikacakë” që po i ikin marrjes së përgjegjësisë.

“Nëse këta frikacakë ikin si struc për të marrë përgjegjësi, shumë shpejt do të ketë fushatë elektorale dhe shumë shpejt do të jetë PDK-ja në krye të vendit”, tha ndër të tjera Veseli.

Ju pëlqen!

Duke iu drejtuar dy partive që po tentojnë të bëjnë qeverinë, ai tha se për të drejtuar shtetin, “duhet të marrësh përgjegjësi, duhet të kesh guxim, duhet të kesh vizion, duhet të kesh ndershmëri e moral t’i shërbesh vendit dhe shtetit tënd”.

“Kjo që po ndodh këto ditë e këta muaj, është një reflektim jo pozitiv, por më tepër është shqetësuese ajo që po përçohet si mesazh, si mentalitet, ajo çfarë po përçohet si frikë se çfarë mund të ndodhë me të ardhmen e shtetit tonë. Duhet të merren përgjegjësitë, rezultati zgjedhor ka qenë ai që ka qenë, populli ka folur. Askush s’ka të drejtë të mallkojë qytetarët e vendit të vet, por t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë. Ajo çfarë asnjëherë nuk duhet të dëmtohet është shteti, zhvillimi ekonomik e sovraniteti i Republikës së Kosovës. Me këtë formë, me këtë mentalitet, këta njerëz po e rrënojnë shtetin tonë e po forcojnë Serbinë. E ky është gabim dhe është mallkim që ata vet do ta marrin si përgjegjësi, PDK-ja nuk do të ndalet”, deklaroi kreu i PDK-së.

Ai tha se nëse partia e tij do të jetë në opozitë, nuk do të shajë e mallkojë, e as nuk do të shkatërrojë, por tha se “do të marrim përgjegjësitë që na takojnë”.

“Kosovës sonë i duhet një adresë e fuqishme që ka vizion, moral, guxim, ndershmëri dhe që e çon këtë vend përpara, e kjo jeni ju, rinia e PDK-së”, përfundoi Veseli.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.