Ushtria amerikane do të ngrejë baza të reja ushtarake në Arabinë Saudite. Lidhur me këto plane po shqyrtohet mundësia e përdorimit të një porti të Detit të Kuq dhe dy fushave të tjera ajrore në Arabinë Saudite në një kohë kur tensionet me Iranin janë shtuar.

Në funksion të këtij zhvillimi, që ushtria amerikane e ka cilësuar “të paparashikuar”, është testuar shkarkimi dhe transportimi i ngarkesave në tokë nga porti i Arabisë Saudite në Yanbu, një terminal i rëndësishëm për tubacionet e naftës në mbretëri.

Përdorimi i Yanbu, si dhe bazat ajrore në Tabuk dhe Taif përgjatë Detit të Kuq, do t’i jepnin ushtrisë amerikane më shumë mundësi përgjatë një rruge ujore shumë të rëndësishme që ka qenë shpesh objektiv sulmi me mina dhe dronë nga rebelët Houthi të Jemenit, që mbështeten nga Irani.

Ju pëlqen!

Një zhvillim i tillë vjen në një kohë kur marrëdhëniet saudite-amerikane mbeten të tensionuara që prej vrasjes së gazetarit të “Washington Post”, Jamal Khashoggi në vitin 2018, dhe luftës së vazhdueshme të mbretërisë në Jemen në ditët e para të administratës së presidentit Joe Biden. Vendosja – qoftë edhe përkohësisht – e trupave amerikane në bazat e reja në Arabinë Saudite, ku ndodhet Meka, mund të ringjallë zemërimin e ekstremistëve.

Në shtetet arabe të Gjirit janë të vendosura disa baza ushtarake amerikane. Ato janë trashëgimi e Luftës së Gjirit në 1991, kur forcat e aleatëve të SHBA-së dëbuan Irakun nga Kuvajti, gjë që u pasua nga pushtimi i Afganistanit në 2001 dhe ai i Irakut në 2003. Amerika i tërhoqi forcat e saj nga Arabia Saudite pas sulmeve të 11 shtatorit. Osama bin Laden e pati cituar vendosjen e tyre në sulmet e tij drejtuar SHBA-ve.

Komanda Qendrore e ShBA-së ka zyra në Katar. Flota e 5-të e Marinës Amerikane operon nga mbretëria ishullore e Bahreinit pranë brigjeve të Arabisë Saudite. Në Kuvajt gjendet një seli e Ushtrisë Amerikane, ndërsa në Emiratet e Bashkuara Arabe priten aviatorët dhe marinarët amerikanë.

Këto vendndodhje nuk përfshijnë praninë e trupave amerikane në Afganistan, Irak dhe Siri. Pas tensioneve me Iranin, ish-presidenti Donald Trump i vendosi trupat e para në Arabinë Saudite, që nga 11 shtatori 2001. Rreth 2500 trupa amerikane tani përdorin avionë luftarakë dhe bateri raketash “Patriot” në bazën ajrore “Prince Sultan”, në juglindje të Riadit.

Irani ka të ngjarë t’i shohë bazat shtesë si rrezik për qeverinë e tij. Tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mbeten të larta pasi Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore në 2018.

Alireza Miryousefi, zëdhënës i misionit të Iranit në Kombet e Bashkuara, e kritikoi lëvizjen e SHBA, duke e quajtur praninë e trupave të huaja në Lindjen e Mesme “një nga arsyet kryesore të situatës kaotike dhe pasigurisë në rajon”.

“Çdo ‘kontigjencë për konflikt’ me Iranin do të kishte kuptim vetëm nëse një vend tjetër synon të sulmojë Iranin dhe ne jemi të vendosur të mbrohemi nëse sulmohemi”, tha Miryousefi.

Mbetet e paqartë se si do të jenë marrëdhëniet e Biden me Arabinë Saudite gjatë presidencës së tij. Sidoqoftë, Arabia Saudite dhe shtetet e tjera arabe të Gjirit mbeten klientët kryesorë për armatimin amerikan dhe mbështeten te ShBA-ja për sigurimin e kalimit të naftës dhe mallrave përmes ngushticës së Hormuzit.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.