Arben Zajmi

Televizionet mbushur me histori varfërie ekstreme

Maradona tregon se si një herë vizitoi Vatikanin, mbushur me pasuri, vepra arti prej artistëve më të mëdhenj në botë. Kur takoi papën, dhe e dëgjoi të fliste për nevojën për të ndihmuar të varfërit, Maradona thotë se i tha “meqë je kaq i interesuar për të varfërit, shit ndonjë nga pikturat dhe ndihmoji”.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Po të kishte qenë papa pak më i shkathët në driblim mund t’i ishte përgjigjur “meqë shpallesh kampion e tribun i të varfërve, e njëkohësisht je nga lojtarët më të paguar të kohës, pse nuk e përgjysmon dozën e kokainës dhe me ato para të ndihmosh të varfërit”?

Televizionet tona janë mbushur përditë me histori varfërie ekstreme. Me kronika zemërthyese, i bëhet thirrje publikut të ndihmojë, për familje që nuk përballojnë dot kostot e shërimit për sëmundjet e fëmijëve, të pastrehë, që rrojnë në kushte të vështira.

S’ka ndonjë Maradona, të vinte në dukje se, mediat kaq të ndjeshme ndaj varfërisë ekstreme, janë rigorozisht pronë e njerëzve shumë të pasur. Nëse vetëm pronarët e mediave do të dhuronin një të tretën e pasurive të tyre, nuk do të kishte më njerëz që s’paguajnë dot shërimin, fjala vjen. Apo nëse drejtorët e mediave, që paguhen minimalisht sa dhjetëfishi i rrogës mesatare, apo VIP-at e influencerat një pallto apo një udhëtim i të cilëve kushton sa një shkollim vjetor i një fëmije… e kështu me radhë.

Varfëria objektifikohet, paketohet në emisione, dhe i shitet publikut, shoqëruar me reklama (as paratë nga reklamat nuk i dhurohen të varfërve).

Funksionet e transmetimit të kësaj varfërie të komercializuar janë dy:

a) Përmes fokusimit te varfëria ekstreme, të harrohet varfëria e përditshme. Pra përmes shock-ut, arrihet mpirja. Përmes tronditjes nga rrethanat e atyre që janë shumë keq, arrihet pandjeshmëria ndaj atyre që janë mesatarisht keq. Në këtë mënyrë, ulet standardi i përgjithshëm shoqëror, ulen pritshmëritë e kërkesat ndaj politikës dhe ekonomisë.

b) Krijohet një platformë për të qetësuar ndërgjegjet e njerëzve. Dmth. ti mund të mos paguash taksat, mund të privatizosh të përbashkëtën, mund të nxjerrësh njerëz nga puna, mund të mbështesësh uljen e rrogave, mund të mbështesësh partitë e bizneset e vjedhësve, por, mund të kontribuosh për një njeri në mjerim, dhe ndërgjegjja jote shplahet. Në një vend ku shplahen kaq shumë para, pse të mos shplahen edhe ca ndërgjegje?

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...