Ky rrjet premton një transmetim shumë më të shpejtë të të dhënave përmes internetit, rreth 100 herë më të shpejtë se teknologjia aktuale 4G.

Përmes një deklarate zyrtare më 20 maj, Kisha Ortodokse e Moldavisë i bëri thirrje qeverisë që çdo vaksinë e mundshme ndaj koronavirusit të merret në baza vullnetare nga ana e qytetarëve.

“Në shumë vende evropiane, shoqëritë po protestojnë kundër një detyrimi për vaksinim, veçanërisht ndaj vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, sepse i shohin ato si një mundësi për sistemin global kundër të krishterëve, që të fusin mikroçipet në trupin e njeriut dhe të kontrollojnë njerëzit me ndihmën e teknologjisë 5G”, thuhet në deklaratë.

Ju pëlqen!

Gjatë kësaj periudhe të pandemisë kanë ekzistuar lloj-lloj teorish të çuditshme të komplotit, shumë prej të cilave janë ndërlidhur me zhvillimin e gjeneratës së re të shërbimeve të internetit 5G.

Dhe, nuk është vetëm kisha e Moldavisë që mendon kështu.

Më 2 maj, kreu i rajonit të Osetisë së Veriut të Rusisë, Vyacheslav Bitarov, u tha gazetarëve se huliganët kishin shkatërruar një kullë të rrjetit telefonik në fshatin Nogir, nga frika e ndonjë lidhjeje midis teknologjisë 5G dhe koronavirusit.

“Shumë njerëz thonë që nuk ka koronavirus dhe nuk ka asnjë rrezik, por që tërë kjo histori është e organizuar nga disa forca globale që janë të interesuar të detyrojnë njerëzit….t’i bllokojnë dhe pastaj t’i rrezatojnë përmes antenave të rrjetit 5G, në mënyrë që ata të humbasin ndërgjegjësimin dhe më pas atyre t’u implantohen mikroçipat”, citohet Bitarov nga agjencia TASS.

“Ka shumë njerëz që mendojnë kështu”, ka thënë ai.

Akuzat e tilla të pabazuara forcojnë skepticizmin e gjerë publik ndaj qeverive për çështjet e shëndetit dhe sigurisë. Këto akuza janë veçanërisht të dëmshme gjatë krizës aktuale globale të shëndetit, pasi ngufasin informacionet e domosdoshme dhe të bazuara në shkencë, në lidhje me pandeminë vdekjeprurëse të COVID-19 dhe se si të luftohet në mënyrë efektive përhapja e koronavirusit.

“Çfarëdo ndërlidhje midis teknologjisë 5G dhe COVID-19” është “plotësisht e pa vlerë”, tha për BBC, Simon Clarke, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin Reading në Britani të Madhe.

Një tjetër ekspert, Stephen Powis, drejtor për çështje mjekësore i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë së Madhe, ka thënë se pretendimet e një ndërlidhjeje të tillë janë “lloji më i keq i lajmeve të rreme”.

Origjina e kësaj historie

Teknologjia e rrjetit të gjeneratës së pestë (5G) filloi të vendoset globalisht në vitin 2019.

Ky rrjet premton një transmetim shumë më të shpejtë të të dhënave përmes internetit, rreth 100 herë më të shpejtë se teknologjia aktuale 4G.

Megjithatë, kjo arrihet duke përdorur një frekuencë më të lartë se rrjetet 4G. Disa nga këto frekuenca arrijnë gjatësinë vetëm rreth 1.6 kilometra dhe kanë probleme të depërtojnë në materiale të caktuara ndërtimore.

Si rezultat, një rrjet 5G kërkon vendosjen e një numri më të lartë të antenave.

Që nga muaji prill i vitit 2019, 224 operatorë në 88 vende kanë filluar vendosjen e teknologjisë 5G.

Në rrjetet sociale menjëherë filluan të formohet grupe kundër teknologjisë 5G. Njerëzit postuan fotografi të rreme ku paraqiteshin shenja paralajmëruese të rrezikut nga rrezatimi, që supozohej se ishin të bashkangjitura në antenat e rrjetit 5G.

Pastaj, kishte pretendime të pabazuara se kjo teknologji shkakton kancer ose sëmundje mendore, se ka shkatërruar një pemë apo ka vrarë kafshë të egra, e kështu me radhë.

Lëvizja anti-5G gjeti aleatë në mesin e atyre që kundërshtojnë të gjitha llojet e vaksinimeve të detyrueshme në shumë vende, siç është Rumania dhe këto lëvizje praktikisht u bashkuan.

Në maj të vitit 2019, një artikull i gazetës amerikane New York Times vuri në dukje se RT America, rrjeti transmetues i financuar nga shteti rus në Shtetet e Bashkuara, kishte botuar një artikull kundër rrjetit 5G në vitin 2018. Por, në katër muajt e parë të vitit 2019 kishte botuar shtatë të tillë. Njëri ndër shkrimet pretendonte se fëmijët ishin veçanërisht të ndjeshëm ndaj kancerit dhe sëmundjeve të tjera, për shkak të rrezatimit të sistemeve 5G.

“Qindra blogje dhe uebfaqe online duket se merren me pretendimet e transmetuesit rus. Shumë rrallë, ose asnjëherë, nuk bëhet e ditur origjina ruse e shkrimeve” argumenton New York Times.

Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi (ICNIRP) ka kryer një studim të gjatë dhe ka arritur në përfundimin se nuk ka rreziqe shëndetësore të shoqëruara me llojet e rrezatimit të përdorur nga teknologjia 5G.

Teoritë e konspiracionit gjatë pandemisë

Kur në fillim të vitit 2020 u shfaq pandemia globale e COVID-19, teori të shumta të pabaza të konspiracionit u përpoqën të ndërlidhnin koronavirusin me teknologjinë 5G.

Disa argumentuan se rrezatimi i 5G dobësoi sistemin imunitar dhe i bëri njerëzit më të ndjeshëm ndaj sëmundjes. Të tjerët shkuan përtej kësaj, duke pretenduar se virusi është transmetuar nga sinjalet e rrjetit 5G.

Disa të tjerë, sikurse Kisha Ortodokse në Moldavi, argumentuan se teknologjia 5G dhe një vaksinë eventuale e koronavirusit, ishin pjesë e një komploti masiv për kontrollin e mendjes së njerëzve.

Një numër i personave të famshëm, përfshirë aktorin Woody Harrelson, boksierin Amir Khan, prezantuesen e famshme televizive Amanda Holden -dhe të tjerë – postuan pretendimet e dyshimta në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.

Disa bënë pretendime të gabuara se dizajni i ri i monedhës britanike prej 20 funtash përmban simbole të fshehta të një antene të rrjetit 5G dhe koronavirusit.

Rusia shfrytëzoi pandeminë për të shpërndarë lajme të rreme

Këto dezinformata, siç janë quajtur “infodemia e koronavirusit”, u përhapën shumë shpejt, thotë kompania suedeze e të dhënave, Earhart Agency.

Kjo kompani hulumtoi 35 videot më të njohura për 5G dhe koronavirusinin që u shfaqën në rrjetet sociale gjatë muajit janar dhe zbuluan se brenda disa javësh ato ishin shikuar gati 13 milionë herë.

Studimi zbuloi se aplikacioni mjaft i popullarizuar për shpërndarjen e videos, TikTok, është shfaqur si “një mjet shumë i fuqishëm” që synon audiencën e re.

Thashethemet e pabazuara ngjallën një valë globale vandalizmi kundër antenave të rrjetit 5G dhe objekteve që besohet të jenë të lidhura në rrjetet 5G.

Më shumë se 70 objekte të 5G janë dëmtuar ose shkatërruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Sigurisë së Brendshme lëshoi një paralajmërim se teori të tilla konspirative që e ndërlidhin rrjetin 5G dhe COVID-19 “po nxisin sulme kundër infrastrukturës së komunikimit”.

“Ekstremistët e dhunshëm janë tërhequr nga fushatat e dezinformatave në internet që pretendojnë se infrastruktura pa tel është e dëmshme për shëndetin e njeriut dhe ndihmon në përhapjen esëmundjes COVID-19. Kjo ka rezultuar me një përpjekje globale nga individë për të shkëmbyer udhëzime operacionale dhe justifikime për kryerjen e sulmeve kundër infrastrukturës 5G. Disa prej tyre tashmë kanë shkaktuar sulme në disa shtete amerikane”, thuhej në paralajmërim.

StratCom, një grup punues kundër dezinformimit i Këshillit Evropian, në një raport i tij të muajit prill, erdhi në përfundimin se teori të tilla konspirative kanë gjetur “vend në Ballkanin Perëndimor, ku dezinformimi se rrjeti 5G po shkakton pandeminë e COVID-19 është përhapur në rrjetet sociale dhe portale”.

Sindroma e Çernobilit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe organizata tjera, i kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur dezinformatat e tilla.

OBSH-ja ka krijuar një rubrikë në faqen e saj të internetit kushtuar përgënjeshtrimit të informacioneve konspirative për rrjetin 5G. Njëjtë kanë vepruar edhe organizatat tjera për kontrollimin e fakteve.

Për shembull, organizata britanike Full Fact , rregullisht shqyrton pretendimet e rreme për 5G.

Sidoqoftë, teori të tilla të pabazuara të komplotit shpesh fitojnë vëmendje për shkak të rritjes së mosbesimit publik ndaj qeverive në fushat e shëndetit dhe sigurisë.

Një mosbesim i tillë është shfrytëzuar dhe kultivuar nga lëvizjet kundër vaksinimit.

Më parë, në një intervistë për shërbimin bjellorus të Radios Evropa e Lirë, fituesja e çmimit Nobel për letërsi shkrimtarja bjelloruse, Svetlana Alexievich duket se i përkrahte teoritë e komplotit për rrjetin 5G.

“Pandemia është sfida më e madhe që nga Çernobili”, tha ajo, duke iu referuar aksidentit të vitit 1986 në termocentralin bërthamor në Ukrainë, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

“Mbetet të shihet nëse bëhet fjalë vërtet për një lloj gripi apo 5G ndikon në sistemin imunitar të njeriut. Sipas mendimit tim, shkencëtarët nuk kanë arritur te një përfundim”, tha ajo.

Edhe pse asnjë studim i njohur shkencor nuk e ka konfirmuar ndonjë nga pretendimet e komplotit rreth rrjetit 5G dhe koronavirusit, krahasimi i Alexievich me Çernobilin është i rëndësishëm.

Ky incident është bërë një shembull famëkeq i indiferencës së qeverisë ndaj shëndetit publik, pasi qeveria e atëhershme sovjetike fshehu shkallën e katastrofës për javë të tëra dhe i ekspozoi qytetarët e saj në rreziqe të rënda të menjëhershme dhe afatgjata të shëndetit.

Ky shembull është cituar shpesh nga teoricienët e komplotit të 5G.

Uebfaqja angleze e kontrollit të fakteve Full Fact ka thënë se “të kërkosh nga kompanitë e internetit të fshijnë këtë përmbajtje nuk është një përgjigje adekuate në një shoqëri të lirë, nuk ka gjasa të funksionojë, dhe madje mund t’i keqësojë gjërat”.

“Duhet kuptuar se njerëzit janë të frikësuar, të stresuar dhe të hutuar, dhe ne duhet ta marrim parasysh atë në çdo përgjigje”, tha kompania.

“Jo të gjithë do të binden: disa njerëz ashtu si teoritë e komplotit, mund të mos binden nga faktet. Por, pasi frika rreth 5G ka marrë këtë rrjedhë, na takon të gjithë neve që t’i kundërvihemi këtyre argumenteve me informacione të sakta dhe me cilësi të lartë për t’i bindur ata që kanë shqetësime”, ka thënë kompania Full Fact.

COVID-19 është një sëmundje infektive e shkaktuar nga një koronavirus që u shfaq në Vuhan të Kinës, në fund të vitit 2019.

Virusi transmetohet kryesisht përmes pikave të pështymës ose rrjedhjes së hundës, të shpërndara kur një person i infektuar kollitet ose teshtin.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, deri më tani janë regjistruar më shumë se 5.6 milionë të infektuar nga koronavirusi, dhe më shumë se 350,000 vdekje.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!