Gëzim Mekuli

Gjuha, fjala e shkruar, si kurrë më parë, është shndërruar në një mjet të fuqishëm për të ndiku e për të drejtu proceset shoqërore-politike. Sot, politikanët, ushtarakët apo edhe udhëheqësit e institucioneve të rëndësishme nuk i shkruajnë vetë fjalimet që këta i lexojnë. E kjo është një praktikë që ka dobësitë dhe përparësitë e veta.
Shohim se fjalimet politike të kryeministrit, kohëve të fundit janë më të dobëta nga aspekti gjuhësor e retorik; fjalimet janë të mbushura me fjalë zbukuruese, klishe, fjali të zbrazëta, pa përmbajtje logjike dhe me plot patos.
Qeverisë i mungon një shkrues “i mirë” i fjalimeve. E dimë se kryeministri është i ndihmuar nga të tjerët për të shkruar fjalimet e tij. Por ky nuk është i vetëm. Qeveria norvegjeze ka më shume se 120 këshilltarë dhe shumë nga këta ndihmojnë në të shkruarit e fjalimeve.

Mund të themi se fjalimet politike të Barak Obamës janë fjalimet politike më të mira në botë. Është Jon Favreau ai cili e ndihmon Obamën të shprehë mendimet e tij në mënyrën me bindëse. Në hapësirën intelektuale, Favreau konsiderohet gati edhe si një idol; djaloshi 30-vjeçar i cili edhe në kafiteri ka aftësi të formuloj fjalët të cilat ndikojnë në tërë botën.
Politikanet e fshehin se janë të tjerët, ata që i formësojnë fjalët e tyre
Manuskripti i Roosevelt-it i shkruar me dorën e tij sot gjendet në muzeun e Rooseveltit. Këtu mund të shihen përmirësimet gjuhësore dhe fshirja e fjalëve. Bile-bile këtu gjendet edhe dokumenti me nënshkrimin i tij që vërteton se ky është manuskripti i tij origjinal i fjalimit që u mbajt në Capitol.
Por këtu është “vetëm një problem”: Roosevelti nuk e shkroi vetë këtë fjalim. Ai nuk “e gjeti” fjalinë dhe thënien e famshme ”E vetmja gjë që ne duhet frikësuar është vet frika”. Fjalimi është formësuar nga Raymond Morley, ndërsa citati vjen nga shoku dhe këshilltari Louis Howe. Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Roosevelt-i, shkroi me dorë e me kujdes fjalë për fjalë, fjalimin e shkruar nga të tjerët, me qëllim që askush të mos dyshonte se ai kishte fjalimshkruesit e tij.

Çfarë mund të mendojmë rreth kësaj?

Nëse Roosevelt-i vetë nuk i ka menduar fjalët, atëherë a janë këto fjalët e tij? Mendimet e tij? Politikat e tij? Këto pyetje nuk vlejnë vetëm për Presidentët amerikanë.

Që nga Sokrati e deri sot tek shqiptarët, fjalëmbajtësit kanë pasur ndihmë në të shkruarit e fjalimeve dhe formulimin e mendimeve. Kur kryeministri i Kosovës mbajti fjalimin e tij për pavarësinë e Kosovës, atëherë vlen e njëjta gjë, si ajo tek fjalimi i Roosevelt-it: Edhe këta nuk i formësuan fjalimet e veta. Politikanët parapëlqejnë që të mbajnë në fshehtësi se, ata nuk formulojnë vet fjalët e veta. Dhe, ata që i shkruajnë fjalimet heshtin rreth asaj se çfarë bëjnë. Në sistemin politik ndoshta askush nuk punësohet si fjalimshkrues; ata punësohen si sekretar/e ose këshilltar/e, ndonjëherë edhe si bashkëpunëtorë për marrëdhënie me publikun. (Public relation)

Pse kemi fjalimshkrues?
Më e mira prej të mirave do të ishte që politikanët të shkruanin vetë fjalitë e tyre. Pike së pari politikanet mbajnë shumë më shumë fjalime, se sa ata kanë mundësi të arrijnë e t’i shkruajnë këto. Për kryeministrat tanë nuk është e pazakonshme që të mbajnë edhe deri 20 fjalime brenda një muaji. Aq intelegjent e dishëm qenka ky? E pabesueshme?!

Fjalimeve u mungojnë origjinaliteti dhe qartësia
Kryeministri duhet të sigurohet që të mos thotë diçka të papërshtatshme, pra fjalimi duhet të jetë politikisht ”i përshtatshëm”. Gjithsesi ky duhet të ketë kujdes që të mos thotë diçka jokompetente apo diçka që mund të ketë pasoja politike. Keni vënë re se si fjalimshkruesit i kanë shtuar e përsëritur kohëve të fundit fjalimeve të kryeministrit edhe fjalën ”Kosova multietnike”? Apo edhe tjetra: Dëgjoni e numëroni me kujdes sa herë kryeministri përdor fjalën ”kombi shqiptar” dhe/apo fjalën ”shqiptarë”. Shumë pak, apo jo? Në të gjitha fjalimet e shkruara nga fjalimshkruesit, fjala ”shqiptar” dhe fjala ”flamuri kombëtar” është, thuajse e shkrirë në ”Kosovar” dhe ”flamuri i Kosovës”. A nuk na kujtojnë këto fjalime politikat e Josip Broz Titos?

Fjalimshkruesit, pra mendimpërpunuesit, duhet me një kujdes kirurgjik të sigurojnë kryeministrin që të mbetet brenda kornizave që i parashtron agjenda politike e UNMIK-ut dhe/apo EULEX-it.
Si pasojë e kësaj, fjalimet e tilla nuk janë të ”bindshme” dhe ”të gjalla”. Arsyeja është se nga qarqet politike vjen porosia e cila urdhëron se, kush do te mbaj fjalimin dhe, në cilin vend duhet të mbahet fjalimi. Porosia vjen edhe me detyra tjera, ku ndër tjera, theksohet se çfarë duhet të theksohet në fjalim, e çfarë nuk lejohet të mos ceket fare.

Fitohet përshtypja se fjalimet e shkruara nga të tjerët u ofrohen politikanëve tanë pak kohë para se të bëhet porosia e kamerave televizive. E them këtë sepse gjuha e përdorur në këto fjalime është gjuhë e zbrazët, është një fjalor thuaja romantik e me premtime shumë. Tjetra; gjuha e trupit dhe zëri nuk përputhën fare me tekstin që lexohet. Është një kopjim joprofesional i retorikës së shkruar nga “të tjerët”. Fjalimet e kryeministrit e të Presidentes së Kosovës janë edhe fjalime, që nisur nga rrafshi social, kulturor e etnologjik nuk përputhen fare me zhvillimet historike të kombit shqiptarë.
Sa më e madhe rëndësia e një ndodhie politike, aq më shume ka ndërmjetësime të fjalimshkruesve. Këta flasin tek shqiptaret me kode te panjohura për kulturën dhe traditën e tyre.
Aq shumë dëshirohet të manipulohet me fjalën dhe gjuhën, sa që krijon idenë se je duke dëgjuar fjalimet e Titos, Enver Hoxhës e Hrushqovit; Nënvizohet se ”qytetarët” janë të barabartë (vë re se si fjala popull nuk ceket në fjalimet e politikave tanë, kjo fjalë sot është zëvendësuar me fjalën “qytetar”). Në fjalimet e tyre thuhet se Kosova ka të arritura të mëdha politike e ekonomike, shumetheksohet se demokracia ka depërtuar ne te gjitha poret e shoqërisë, propagandohet e provohet qe Kosova të paraqitet si shoqëri me pak probleme ekonomike, e me pak defekte politike; ndoshta më e mire se edhe shoqëria norvegjeze. E kësaj i thonë manipulim dhe propagandë.

Procesi i shkrimit të fjalimeve nga të tjerët shtrembëron porosinë, atmosferën dhe deformon të vërtetën. Fjalimeve të tilla u mungojnë qartësia; u mungon ”brumi shqip”.

Një dukuri shqetësuese në fjalimet e politikanëve tanë është se këta flasin në vetën e parë “UNË”: “Unë kam bërë”, “Unë intervenova që të dhurohen 1 milion euro”, “Politikat e mia”, “Unë do ta zgjedhë problemin e Kosovës”, etj. Këta nuk përdorin shumësin “NE”. Përmes kësaj krijohet bindja se populli tanimë nuk ka nevojë të jetë i gjallë në proceset politike, sepse tanimë është një politikan që i zgjedhë të gjitha problemet. Këto fjalime duan që popullin ta largojnë e ta izolojnë nga proceset politike.
A nuk na kujton kjo fjalimet e Stalinit?

Është edhe tjetra: Përmes fjalimeve të tilla karakteri i fjalimbajtësit është i paqartë dhe i pabesueshëm për popullin. Sepse, ai apo ajo që shkruan për tjetrin është shpesh më i kujdesshëm dhe më diskret. Dhe, është e vështire qe ta qëllosh saktësisht stilin gjuhësor të një personi tjetër. Aq më tepër rreziku shtohet kur në tekst ngatërrohen shumë fjalimshkrues, sepse kështu ”lindë” një fjalim jo nga një person me një personalitet e karakter, por nga një ekip, të cilëve nuk u shihen as edhe fytyrat.
Rreziku serioz që paraqitet duke ndarë fjalimshkruesin nga fjalëmbajtesi, është se në këtë mënyrë bëhet ndarja e fjalimit dhe mendimit.
Warren Harding, i cili ishte Presidenti i 29 i SHBA-së, pasi pati lexuar një paragraf nga një fjalim që ai e kishte mbajtur, tha këtë,: ”Unë kurrë se kam pare këtë me parë. Unë se kam shkruar këtë fjalim dhe nuk besoj ne atë që unë sapo e lexova”.
Ndoshta kryeministri, kryetarja apo ministrat tanë, një ditë, do e pranojnë një gjë të tillë! /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

/Ribotim nga viti 2013/

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]