Ka dy muaj që Shqipëria kohë pas kohe po goditet nga tërmetet. I fundit ndodhi mbrëmë, i cili u përcoll me 17 lëkundje të njëpasnjëshme, magnituda e të cilit arriti 6.4 shkallë. Ishte shkatërrues duke shkaktuar të paktën 8 viktima, si dhe 300 të lënduar të tjerë që po trajtohen në spitalet e Shqipërisë. Nga viktimat po dyshohet se ka edhe kosovarë. Viktima të tjera po raportohet të kenë mbetur nën gërmadha, ndërkohë kërkimet nga ana e qytetarëve, policisë e ekipeve të tjera janë ende duke vazhduar. Express ju sjell në një tekst përmbledhës për dhjetë orët e ferrit që qytetarët e Shqipërisë janë duke i kaluar nga goditjet e tërmeteve.

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 300 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas Emergjencave Civile, një person humbi jetën pasi u hodh nga banesa nga paniku, ndërsa dy të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati në Thumanë. Po ashtu, është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e një shtese të një pallati në Durrës.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.4 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndier pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Ju pëlqen!

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ishte mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën me dhjetëra persona të lënduar nga tërmeti i fuqishëm.

Ka lëndime të jashtëzakonshme. Shpresojmë të mos ketë viktima, pasi ka edhe të plagosur që janë në gjendje të rëndë. Të verifikohet nëse ka qytetarë që kërkojnë ndihmë. Dua të falënderoj personelin mjekësor këtu që është në gatishmëri të plotë. Të gjithë duhet të bëjmë detyrën, pasi Shqipëria është e tronditur shumë rëndë”, tha Meta.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka dalë në terren, ka shkruar në Twitter se të gjitha strukturat e shtetit janë duke punuar intensivisht për të shpëtuar çdo jetë.

“Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura. Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. Është një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje së bashku. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situatë”, shkruan Rama.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka biseduar me kryeministrin Edi Rama për t’i ofruar ndihmën e Kosovës, pas tërmetit që goditi Shqipërinë.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka biseduar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe ka mobilizuar nga autoritetet kompetente në Kosovë njësitet emergjente.

Shqipëria edhe dy muaj më parë është goditur nga një tërmet me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe intensitet 7.5 ballë. Ai u konsiderua si më i madhi i regjistruar në 20-30 vitet e fundit.

Ai tërmet u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet më të ulët.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!