Për The Guardian

Cigaret, alkoli apo kokaina e bëjnë përdoruesin të mendojë se kështu është më afër realitetit, dhe të qenit afër reales është pikësynimi i çdo shkrimtari.

Varësia e vetme me të cilën jam familjare, është duhani: Unë fillova të tymos që kur isha 12 vjeç. Kam qenë gjithmonë kurioze për drogërat e tjera po asnjëherë nuk u tundova.

Ju pëlqen!

Unë doja të shkruaja dhe nuk besoja se mund ta bëja këtë nën influencën e alkolit apo lëndëve të tjera narkotike. Kisha frikë mos humbisja kontrollin mbi vetveten. Sigurisht, një numër i madh shkrimtarësh të njohur kanë përfituar rezultate madhështore falë uiskit apo substancave të tilla, dhe frika se po humb diçka më ka depresionuar deri diku. Çfarë lloj shkrimtareje do të isha, nëse nuk do të përdorja asnjë subsctancë që do të përçante ndërgjegjen time?

Po në fakt, unë i kisha që atëherë stimulantët e mi: duhan i kombinuar me shumë kafe. Sa e sa shumë kafeinë dhe nikotinë kam thithur gjatë gjithë kësaj kohë. Unë ndalova së piri kafe por për dekada me radhë, nuk kam gjetur asgjë tjetër që të barazohet me efektin që më fal duhani. Kënaqësia më e madhe për mua ishte të shkruarit ndërkohë që tymosja një cigare, të pirit një cigare ndërkohë që shkruaja.

E dija që është një kënaqësi mashtruese, e dija që duhet të ndaloja së vepruari kështu, e dija se po dëmtoja veten dhe të tjerët. Në intervale të barabarta kohore merja vendimin të çlirohesha nga kjo skllavëri, dhe e shpallja këtë me të madhe.

Por më pas e nisja përsëri, në fshehtësi. Një pasion klandestin që ka forcën më të madhe që mund të ekzistojë, sidomos sepse është klandestin.

Të takoj njerëz të panjohur dhe të mos pi një cigare? E tmerrshme. Të lexoj dhe të mos pi një cigare? E tmerrshme. Të shkruaj dhe të mos pi një cigare? E tmerrshme. Më në fund, për shumë arsye, e lashë edhe pse ishte tepër e dhimbshme. Të mos pasurit një cigare mes gishtërinjve më bëri të kisha ankth. Refuzoja të takoja njerëz që i admiroja, shoqërinë e të cilëve e doja dhe e vlerësoja.

Isha e bindur se patjetër do të thoja diçka të papërshtatshme, do tregohesha e pasjellshme, se asgjë e zgjuar nuk do të dilte nga goja ime dhe po këta njerëz kaq të admirueshëm nuk do të më respektonin më. Me fjalë të tjera, unë ndjehesha më e pavlefshme se zakonisht. Kisha frikë të zbuloja se isha shumë më keq nga sa e kisha imagjinuar veten.

Zbulova se nuk mund të çlirohesha nga varësia ndaj duhanit, sepse kisha frikë ta shihja botën në të gjithë qartësinë e saj të mprehtë. Cigaret, alkoli, kokaina, janë në nivele të ndryshme të xhamave të errët dhe na japin përshtypjen se kështu mund ta tolerojmë më lehtë përplasjen me jetën, ta shijojmë më lehtë atë.

Por a është e vërtetë kjo? Ajo çka na skallëvron, na forcon, apo jo? Për muaj me radhë unë besova se, pa ndezuar asnjë cigare, nuk do të isha e aftë të shkruaja qoftë edhe gjysmë rreshti, se të shkruarit, ajo për të cilët do të jepja gjithçka, do të ishte mbyllur përgjithmonë tek unë.

Ndonjëherë, edhe sot që nuk kam pirë prej vitesh, ndihem e bindur se kjo ka ndodhur, dhe se jam në pikën kur duhet të dorëzohem.

E ruaj veten sepse, vetëm një pjesë shumë e vogël e imja murmurit se ky është një budallallëk, se, në të vërtëtë, qetësimi i trupit me 40 cigare në ditë për kaq shumë kohë, më ka mbajtur nga të shkruarit ashtu siç duhet ta kisha bërë me kohë.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.