Liderët e Kosovës dhe të Serbisë sot zhvilluan bisedimet e para në 18 muaj për zgjidhjen e një prej mosmarrëveshjeve territoriale më të vështirë të Evropës, duke rënë dakord për një takim ballë për ballë javën e ardhshme mbi procesin “shumë të vështirë”.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, mbajtën një video-samit në të cilin morën pjesë edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Këto diskutime do të pasohen nga bisedime tjera online të dielën mes Hotit dhe Vuçiqit dhe zyrtarëve të BE-së, dhe më pas në takimin e tyre në Bruksel të enjten, ka thënë një zyrtar presidencialë francez.

“Janë perspektiva shumë të vështira për rezultatin e këtij dialogu, por ka përkushtim nga të gjithë për të vazhduar hap pas hapi”, ka thënë për AFP-në një zyrtar, që s’ka dashur të identifikohet me emër, transmeton Zeri.info.

Ju pëlqen!

Si Kosova, ashtu edhe Serbia, janë përballur me presione të shtuara nga Perëndimi për të rinisur negociatat, ku zgjidhja e kësaj mosmarrëveshjeje shihet si qenësore për rrugën e Beogradit drejt BE-së.

Në takimin e sotëm online, të pranishëm ishin edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçaku, i dërguari special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo shtysë e re vjen pas publikimit të aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, javën e kaluar, për krime lufte nga prokurorët në Hagë.

Hoti i tha samitit online se normalizimi i marrëdhënieve “mund të arrihet vetëm nëse Kosova dhe Serbia ia respektojnë njëra-tjetrës shtetësinë”.

“Ne besojmë se dialogu nuk ka alternativë. Jemi të gatshëm të përkushtohemi e angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi si të barabartë”.

Burimi presidencial francez i tha AFP-së se shkëmbimet territoriale nuk ishin pjesë e bisedimeve.

Vuçiqi, i cili po përballet me një krizë të madhe në vend pas protestave masive si pasojë e rikthimit të masave izoluese për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus, para takimit tha se nuk pret diskutim të lehtë.

“Askush s’do na përkëdhel apo të na japë ndonjë dhuratë. Përkundrazi, do të na bëhet presion të japim. Nuk do të jetë e lehtë”, tha ai.

Një samit i mbajtur në Berlin prillin e vitit 2019 veçse kishte dështuar të riniste bisedimet. Por BE-ja duket më e përkushtuar që ta rikthejë dialogun në binarë sërish.

Zyrtari francez pranoi se kjo çështje ishte “një test i lidershipit evropian”, duke shtuar se takimi i së premtes tregoi se evropianët tani janë në krye të dialogut.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.