Regjisori dhe shkrimtari rus Andrei Tarkovsky krahas arritjeve në kinema shquhet edhe për mendimet e tij të thella mbi jetën, njeriun dhe botën.

Në një video të shkurtër, të regjistruar në kohën kur Tarkovsky ishte në moshë të shtyrë, regjisori rus ofron disa këshilla shumë të vlefshme për të rinjtë. Më poshtë po i sjellim të transkriptuara dhe të përkthyera në gjuhën shqipe:

Personi që e filmon Tarkovskyn e pyet: Cka do të doje t’iu thoje njerëzve?

Tarkovsky përgjigjet:

“Nuk e di..mendoj se do t’iu thoja vetëm këtë: duhet të mësoheni të qëndroni në vetmi dhe të harxhoni sa më shumë kohë që të mundeni me veten tuaj. Mendoj se njëri prej gabimeve tek të rinjtë sot është përpjekja e tyre që të shkrihen në turma që janë të zhurmshme dhe nganjëherë edhe agresive.

Në opinionin tim, kjo dëshirë e të rinjve sot për t’u bashkuar në turmë, për t’i ikur kështu vetmisë, është një simptomë e rrezikshme. Secili duhet të mësojë që nga fëmijëria sesi të harxhojë më shumë kohë me veten.

Kjo nuk do të thotë se ai duhet të jetë një vetmitar, por vetëm që të mos rritet i mërzitur me veten. Sepse njerëzit që rriten duke e urrejtur vetveten më duken njerëz të rrezikshëm”.

Përktheu dhe përshtati: Agon Sinanaj