Gëzim Mekuli
Eshtë e premte, 1 shtator 1939, ora 4.30. Avionët luftarakë gjermanë, të ashtuquajtur STUKAS – sulmojnë qytetëzën në Poloni, Vielun. Vielun është një qytet i vogël pa ushtri, pa rëndësi strategjike. Shumë shpejt qendra e qytetit bëhet shkrumb e hi…
“Polonia ka qëlluar edhe me ushtarë të rregullt sonte natën për herë të parë ndaj territorit tonë, Gjermaninë. Qysh nga ora 5.45 po i kundërpërgjigjemi sulmit. Tani e tutje për çdo bombë hakmerremi me bombë. “ – deklaronte, duke bërtitur në radio, Adolf Hitleri.
Gënjeshtra e Hitlerit bëhet arësye për luftën e II-të botërore. Faktikisht ishin ushtarët gjermanë të SS-ve, të cilët të veshur me uniforma polake sulmuan një radio në Gleivic duke dhënë kështu arsyen e rreme të luftës; Ushtarë gjermanë sulmuan kufirin polak. Polakët u gjendën në befasi dhe makineria e propagandës së Hitlerit jepte arsyet e rreme për këtë sulm ushtarak.
“Ishte një shtet dhune. I qeverisur prej shkopinjve të gomës, policisë dhe ushtrisë. Fati i gjermanëve në këtë shtet ishte i tmerrshëm.“– deklaronte me forcë Adolf Hitleri.
Të nderuar lexues,
Unë kam ca pyetje miradashëse për ju, pavarësisht botëkuptimeve politike.
1. Çka po ju kujton fjalia e Hitlerit e thënë në radion e tij propaganduese: “Ishte një shtet dhune. I qeverisur prej shkopinjve të gomës, policisë dhe ushtrisë. Fati i gjermanëve në këtë shtet ishte i tmerrshëm.“
2. A është kjo fjalia, që përgjaku botën, e përafërt me retorikën e Vuqiçit, kur dje dhe sot, para kamerave deklaroi se: “Serbia do t’i mbrojë serbët në Kosovë sepse serbët e kanë jetën e vështirë në Kosovë”?
Analizojeni në qetësi dhe ma thuani, këtu më poshtë, mendimin e juaj, ju lutem.
Pyetja e 3 dhe e fundit për ju, të dashur lexues.
Lexojeni edhe njëherë fjalinë e thënë me pompë nga Adolf Hitleri:
“Polonia ka qëlluar edhe me ushtarë të rregullt sonte natën për herë të parë ndaj territorit tonë (Gjermani). Qysh nga ora 5.45 po i kundërpërgjigjemi sulmit. Tani e tutje për çdo bombë hakmerremi me bombë. “
A po ju duket sikurse e ka thënë dje këtë fjali, ndoshta edhe sot, Vuqici, por tani me një “shkak” tjetër, jo si të Hitlerit që solli si shkak gënjeshtrën për “sulmin e ushtrisë polake ndaj Gjermanisë”, por gënjeshtrën dhe ‘shkakun’ tjetër; TARGAT e veturave dhe “jetën e vështirë të pakicës serbe në Kosovë të bërë nga Qeveria Kurti”.
Për fund fare:
Retorika është lojë e rrezikshme; është e rrezikshme sepse mund të keqpërdoret. Sepse fjala mund të përçajë. Fjala mund të urrejë. Fjala mund të ngushëllojë. Fjala mund të tregojë dashuri, të ndërtojë ura, e të bëhet sakaq dhunë. E, po kështu, fjala mund të shkaktojë edhe gjakderdhje, luftë, varfëri e mjerim.
Le të kujtojmë pra për një çast artin e frikshëm të fjalimeve të Hitlerit e të Goebelsit. Çdo gjë fillon nga fjala, nga komunikimi e nga fjalimi.
Hitleri është i gjallë! Ai nuk është kallë në bunkerin e Berlinit. Ai, shpirti, lakmia hegjemoniste e politike e tij, dhe ideja e tij, është e gjallë në Beograd, biles shumë afër ambasadave të Bashkimit Europian e Amerikan.
Putini po pret!