Interesimi i madh i lexuesve për fjalën e .z Kurti në Seul të Koresë së Jugut, detyroj agjensionin “MekuliPress” që të sjellë për publikun shqiptar fjalimin madhështor të Albin Kurtit.

Lexojeni:

Shkelqësi, zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër, të dashur miq,

Kam nderin dhe kënaqësinë të marr pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Federatës së Paqes Universale. Jam për herë të parë në një organizim të FPU dhe për herë të parë në Seul të Koresë. Por, ndihem sikur kam qenë më herët këtu, sikur të gjithë juve ju kam parë diku tjetër. Mbase ndihem kështu ngase jemi mbledhur si njerëz që jemi bashkë edhe atëherë kur s’jemi bashkë, meqë e ndajmë bashkë betejën për paqe dhe bashkim, barazi dhe siguri, përparim dhe drejtësi.

Ju falemnderit për ftesën dhe për mundësinë për të qenë këtu sot bashkë me ju.

“Ëndrrat më të bukura për lirinë shihen në burg” theksonte Friederich Schiller në kohën e tij. Ngjashëm do të mund të thuhej se ëndërrat më të mira për paqen shihen në luftë. Gjithashtu, aspiratat më të mira për bashkim dhe integrim ëndërrohen nga njerëz, të cilët janë të ndarë, nga pjesëstarë të familjeve të shkëputura, ose nga qytetarë që mbahen të copëzuar me forcë.

Shtypjen e burgun, luftën e ndarjen, i kam njohur e përjetuar personalisht, megjithatë, i kam gjetur të shkrira në një si kurrë më parë vetëm në prijëtarin e lëvizjes sonë çlirimtare, ambasadorin e lirisë, laureatin e çmimit Saharov për paqe, z. Adem Demaçi, biografia dhe përvoja jetësore e të cilit i ngjan aq shumë përvojës martirizuese dhe triumfuese të shprirtit liridashës dhe paqedashës të themeluestit të Federatës së Paqes Universale, Reverend Sun Myang Moon.

Kam pasur fatin dhe mundësinë e jashtëzakonshme të veproj dhe të punoj bashkë me z. Demaçi kur ai ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fund të viteve të ’90-ta.

Si shkrimtar dhe intelektual disident, si politikan liberator dhe progresist, ai në mënyrë të padrejtë u dënua me 28 vjet burgim. Megjithatë, këtë vuajtje të gjatë në burg, Demaçi e krahasonte me qiririn, i cili digjet dhe tretet në errësirë për të bërë dritë për të tjerët përreth tij – miqtë e tij, popullin e tij. Ai ndërroi jetë verën e kaluar, por do të na bëjë dritë gjithnjë dhe përgjithmonë.

Për Demaçin, lirimi i tij nga burgu në kohën kur Kosova dhe trojet e tjera shqiptare ishin ende të pushtuara, ishte – si e shpjegonte ai – sikur të dalësh nga një burg më i vogël dhe të futesh në një burg tjetër më të madh, ku ishte mbyllur një popull i tërë.

Pas përfundimit të suksesshëm të fushatës nëdërkombëtare për çlirimin e Kosovës, Adem Demaçi i këshillonte bashkëkombasit e tij që të mos i identifikonin qytetarët e pafajshëm serbë me ithtarët e regjimit pushtues serb. “Dje luftuam kundër shovenistëve serbë,” – thoshte ai – “Tash është përgjegjësi e jona t’i mbrojmë fqinjtë tanë serbë, të cilët duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë në Republikën e Kosovës.” Më pas, e përmbyllte në stilin e tij me fjalët: “Nëse ndonjë shqiptari i shkon në mendje ta sulmojë një serb të pafajshëm, le të vijë e ta sulmojë djalin tim, Shqiptarin.”

Zonja dhe zotërinj,

Tash unë jam deputet dhe përfaqësoj dhe udhëheq opozitën e re në Kosovë, e cila në thelbin e saj e ka synim parësor paqen e vërtetë. Përvoja na ka mësuar se paqja e pavërtetë, si thotë mendimtari Lu Xun është vetëm një armëpushim i përkohshëm dhe është e mbarsur me luftë të re. Kur arriten marrëveshje të mangëta për paqe mund të bëhet më keq se sa të mos arriteshin fare. Paqja e vërtetë dhe afatgjatë është e vetmja paqe e drejtë.

Paqe ka edhe në burg, ka edhe në varreza. Paqja e padrejtë është konflikt i ngrirë, konflikt i pashmangëshëm dhe shpërthim potencial. Pa liri të vërtetë, paqja është ngulfatje e lirisë mbyllje sociale, si dinamiti, i cili sa më shumë të ngulfatet, aq më fort do të shpërthejë më pas.

Vendi prej nga vij unë, Kosova, dhe hapësira shqiptare, është arë pjellore për farën e shëndoshë të paqes. Vlerat dhe parimet universale të paqes dhe të harmonisë globale janë të mishëruara në kodin e jetës së popullit të Skënderbeut dhe të Nënë Terezës. Mirëpo, populli shqiptar vazhdon të jetë i ndarë, i copëzuar dhe i kërcënuar nga ndarja dhe copëzimi i mëtejshëm dhe në një konflikt të ngrirë e gjithmonë kërcënues. “Territori mund të ndahet, por nuk mund të ndahet populli,” theksonte Reverend Moon.

Rreziqet dhe kërcënimet e tilla po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në kohën tonë. Andaj, për paqe nevojitet punë e palodhshme, ndërsa për mirëmbajtjen e paqes duhet punë e mundimshme gjithashtu.

Paqja pa siguri është paqe e përkohshme. Siguria pa paqe është siguri për disa. Na duhen të dyja, paqja dhe siguria, dorë për dore, së bashku, të bashkuara në një. Megjithatë, ky mbetet një vizion paksa statik përderisa nuk ka zhvillim. Derisa paqja dhe siguria na e kujtojnë hapësirën, zhvillimi është ai, i cili e sjellë në këtë kombinim kohën. Për sa i përket hapësirës, ne duhet të kemi paqe dhe të ndihemi të sigurtë. Për sa i përket kohës, duhet të zhvillohemi, të shënojmë përparim, si njerëz, si qytetarë, si shoqëri, si popuj.

Për ta arritur këtë, duhet të fitojmë. Për hir të fitores që e synojmë, duhet të bashkohemi. Ajo që na bashkon si njerëz është edhe më e rëndësishme se ajo që na prinë përpara. Përpjekja është bashkim mes vete. Vartësia dhe ndër-subjektiviteti e përbëjnë rrafshin e imanencës si platformë, prej ku burojnë angazhimi shoqëror dhe institucionet politike. Patjetër që kemi dallime, por kudo dhe në çdo kohë, kemi shumë më shumë gjëra të përbashkëta. Gjithmonë duhet të nisemi nga ajo që kemi të përbashkët. Dhe ky është një rrafsh tjetër, rrafshi i universalitetit. Prandaj, këmbënguljes sonë në vlera universale, besoj se do të mund t’ia shtonim universalitetin si vlerë.

Të nderuar pjesëmarrës të Samitit,

Ajo që mund të duket jo aq e gjasshme, së bashku mund ta bëjmë më shumë se të mundshme. Paqja na bashkon dhe për paqen mbidhemi bashkë, sepse paqen e mësojmë përmes arsimit dhe përgjatë jetës, në shkolla dhe në shtëpi.

Ashtu si kanë theksuar Reverend Moon dhe Nënë Tereza – paqja fillon në shtëpi, në familje, ajo zë fill në zemrën dhe shpirtin e secilit.

Ju falemnderit.

Përktheu për MekuliPress, Dilaver Goxhaj

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]