Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp nga Prishtina, pas publikimit të marrëveshjes së Presidentit Hashim Thaçi me NATO-n, marrëveshje të cilën ai e quajti sekrete dhe shkelje të Kushtetutës, me keqardhje u shpreh se i duhej sërish të përsëriste se Serbia në vetvete dhe taksa 100% nuk ka qenë fokusi dhe zotimi i Kurtit apo qeverisë së tij.

Ndërsa në lidhje me reciprocitetin, Kurti tha se kjo gjë është diçka e zakonshme dhe normale, dhe se nuk bëhet për hakmarrje apo inat, por sepse Kosova ndihet e diskriminuar dhe kërkon barazi.

“Fokusi ynë nuk ka qenë tarifa 100%. Kryefjala jonë nuk ka qenë Serbia apo tarifa, por sundimi i ligjit, punësimi i grave, arsimi etj. Më vjen keq që duhet t’i përsëris prapë qëllimet tona. Reciprociteti nuk është për hakmarrje apo inat, por sepse ne ndihemi të diskriminuar dhe duam barazi. Reciprociteti është gjëja më normale dhe më e natyrshme. Por kur je i shtypur e i dhunuar, reciprociteti ngjan edhe radikal”, u shpreh Kurti.

I pyetur se a beson ai që Presidenti Thaçi mund të shkarkohet pa një vendim gjykate, Kurti u shpreh: Kjo i takon vendimit të deputetëve të Republikës së Kosovës.