Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Kurti për takimin me Albright ka njoftuar edhe të premten në një postim në Twitter, ndërsa sot Kryeministria përmes një njoftimi për media bën të ditur se ky takim shënon fillimin e negociatave me MCC-në për projektin Kompakt.

“…Do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, i cili kalon shumën e 200 milionë dollarëve dhe parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se Kurti falënderoi Albright për punën dhe fokusin e veçantë të MCC-së në ekonominë e Kosovës.

“Nga ana tjetër, znj.Albright falënderoi kryeministrin Kurti për punën dhe angazhimin për këtë projekt. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të ShBA-së për Republikën e Kosovës përmes MCC-së për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj”, thuhet në njoftim.

Në takimin e përbashkët me kryeministrin mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli, Koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit Kompakt me MCC, Lum Mita, ndërkaq nga përfaqësuesit e MCC-së, morën pjesë Jonathan Brooks, zëvendëspresident për programet në Europë, Azi, Paqësor dhe Amerikë Latine,

Thomas Kelly, zëvendëspresident për politika dhe vlerësim, si dhe Paula Garcia Tufro, shefe e stafit të kryeshefes Albright.