Mediat në shërbim të z. Rama kanë përcjellë me entuziazëm dje një shkrim të publikuar në New York Times për Shqipërinë. Agjencia Telegrafike Shqiptare e ka shtrudhur politikisht shkrimin e përkthyer për të nxjerrë një titull pozitiv për Tiranën e Erjon Veliajt. Për media si këto mjafton që diçka është botuar në New York Times. Të tjerat nuk kanë rëndësi. Fundja shqiptarët ecin pas berihajit të titujve.

Shkrimi ka për autor Alexander Lobrano, një gazetar që i dedikon punën e vet ushqimit, dekorimit të mjedisve të brendshëm dhe e ka shtrirë atë në vende të ndryshme. P.sh z. Lobrano ka një libër për Parisin dhe ushqimin që shërbehet në të. Kemi të bëjmë pra me një reportazhier të përshtypjeve mbi traditat, të cilin mediat në Tiranë e shndërrojnë sa hap e mbyll sytë në monedhë të qarkullueshme të zhvillimit të dukshëm të Shqipërisë.

Ky zanat ka nevojë të certifikohet zyrtarisht tashmë, meqenëse vështirë se një gjë e tillë mund të klasifikohet te mediat. Mediat kanë për detyrë të analizojnë dhe jo të rrëfejnë për shqiptarët sesi u duket Shqipëria të huajve që nga ana e tyre as nuk shkruajnë për shqiptarët, por për audiencën e tyre.

Këtë mrekulli të sapozbuluar, sekretin e fundit të Europës, vendin e bunkerëve, të hashashit, e të tjera përralla dylekëshe si këto, ne e jetojmë përditë. Nuk ka nevojë të na e tregojë aleksandri i radhës, megjithë respektin për punën dhe përshtypjet e tij. Lustra e shkrimeve të tilla thjesht bën dëm sepse mbulon ato që janë probleme me një optimizëm fals që i shërben të vetmes kategori të lumtur të këtij vendi: pushtetarëve dhe gazetarëve që lëpihen pas tyre për kockën e përditshme.

Këto gënjeshtra apo rrëfime sipërfaqësore nuk arrijnë dot asnjë lloj objektivi veçse të gënjejnë një numër njerëzish jashtë Shqipërisë që potencialisht do të shndërrohen në turistë dhe të legjitimojnë ndërtimet masive që po bëhen në bregdet nga pushtetarët dhe njerëzit e tyre në emër të parajsës së sapozbuluar shqiptare. Krimi, droga, problemet janë aty dhe nuk mbulohen dot. Asnjë vend në Shqipëri nuk bëhet dot model turizmi në Adriatik apo Jon, pavarësisht se numrat do të rriten. Asnjë zonë në vendin tonë nuk e bazon dot ekonominë mirëfilli mbi turizëm me 15 ditë apo një muaj bum.

Kjo që po ndodh me Shqipërinë ka ndodhur me vende të tjera më parë. Shikoni këtë shkrim të “The Guardian” në vitin 2018. Dikur Cancuni në Meksikë konsiderohej si xhevahiri i turizmit në rivierën meksikane. Sot është një gropë e zezë e krimit.

Edhe Kuba e famshme dikur kështu perceptohej. Një parajsë ku mund të bëhej qejf lirë. Kuba e Batistës ishte një kënetë korrupsioni, një miksim fedualizmi militarist që për amerikanët e veriut dukej thjesht ai vendi me kazino dhe plazhe të mrekullueshme ku pakkush donte të dinte se çfarë po e gërryente. Përfundimi dihet.

Nuk po themi se në Shqipëri do të shpërthejë revolucioni, sepse revolucioni ka si zakon historik që i seleksionon popujt ku mendon të ndodhë. Por se pasuria e turizmit sapo ka nisur të ndahet në këtë vend dhe në vijën e parë për ta kapur atë nuk janë investitorë seriozë, por krimi, politika dhe enturazhi i zakonshëm i një lloj hibridi mes biznesit dhe hajdutit që ia del përherë të marrë letra dhe leje për çdo gjë që kërkon të bëjë. Zapto plazhet dhe vijën bregdetare, rrit çmimet dhe kufizo lëvizjet, derisa fabula e Perlës së Mesdheut të jetë pasuruar me kapitullin sinjalistik: Ndal, këtu nuk lejohet kalimi! Dhe befas do të jemi dëshmitarë të gjallë të një lloj Arbëri Venedikase ku vija bregdetare është asgjë më shumë sesa privilegj i atyre që sot vjedhin, vrasin dhe përdhunojnë nën mbrojtjen dhe në emër të financimit që i bëjnë asaj politike që thjesht është në karrige për të qenë aksionere e një pasurie që duhej shpërndarë ndryshe. Jo për inat të njëri dhe tjetrit, por për ta bërë këtë vend funksional, ashtu siç u përkufizua në parimet minimaliste të 1913-ës: Viabël. Çka mesa duket ka dështuar në mënyrë spektakolare. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]