Ambasada e Arabisë Saudite në Hagë është sulmuar me një breshëri plumbash. Policia holandeze ka bërë të ditur se në këtë sulm nuk ka pasur të lënduar, ndërsa ka shtuar se njoftimin e mori në orët e hershme të së enjtes.

Zyrtarët kanë gjetur disa gëzhoja plumbash dhe janë në kërkim të dëshmitarëve. Ambasada saudite nuk ka komentuar sulmin. Breshëria e plumbave ndodhi një ditë pas shpërthimit në varrezën saudite në të cilën zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë po bënin homazhe për fundin e Luftës së Parë Botërore.

Në këtë shpërthim mbetën të lënduar tre persona. Policia holandeze ka bërë të ditur se ende nuk dihet motivi i sulmit dhe se vazhdon të mbetet e paqartë se kush mund të ketë qenë përgjegjës për sulmin.

Ju pëlqen!

Ambasada saudite nëpërmjet një komunikate e ka quajtur “qyqar” sulmin dhe u ka bërë thirrje shtetasve sauditë në Holandë që të kenë kujdes. Ende nuk dihet nëse sulmi është terrorist.

Muajve të fundit janë shpeshtuar sulmet terroriste në Evropë. Së fundmi, shqiptari Kujtim Fejzullahi me prejardhje nga Maqedonia la të vrarë katër persona në zonën qendrore të kryeqytetit austriak para se të qëllohej për vdekje nga forcat policore austriake. Për sulmin e mori përgjegjësinë “Shteti islamik”.

Të gjitha sulmet e fundit terroriste në Evropë kishin lidhje drejtpërdrejt ose tërthorazi me “Shtetin islamik”, ose me organizata të ngjashme terroriste që pretendojnë se po veprojnë në emër të islamit, edhe pse liderët e komunitetit mysliman në Evropë janë distancuar prej tyre.

Tre persona mbetën të vdekur pas sulmit me thikë në një kishë në Nice në Francë muajin e kaluar, në atë që presidenti francez, Emmanuel Macron, e quajti sulm terrorist islamik. Katër vjet më parë Nice ishte skenë e sulmit terrorist masiv, kur një burrë tunizian i dha maunës kundër turmës së madhe që po festonte ditën kombëtare franceze, të njohur si Dita e Bastijës, më 14 korrik, duke lënë 86 persona të vdekur.

Në nëntorin e vitit 2015, burra të armatosur dhe kamikazë islamikë lansuan sulme të koordinuara në sallën e koncerteve në Batalcan, në një stadium të madh dhe në restorante e bare në Paris, duke i lënë 130 persona të vdekur e qindra të plagosur. Në janarin e po të njëjtit vit, dy islamikë të armatosur u futën në redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo”, duke qëlluar dymbëdhjetë persona.

Edhe Belgjika është përballur me sulme masive terroriste. Para katër vjetësh, gjatë sulmeve të koordinuara mbetën të vrarë 32 persona dhe qindra të tjerë u plagosën në Aeroportin e Brukselit dhe në sistemin e metrosë së qytetit. Prej atëherë, autoritetet e sigurisë kanë neutralizuar edhe dhjetëra përpjekje për sulme terroriste. Me sulme të ngjashme, edhe me viktima, është përballur edhe Britania e Madhe.

Gjermania gjithashtu ka qenë skenë e një mori sulmesh, dhe forcat e sigurisë njoftuan në shtator se kanë arrestuar 670 terroristë potencialë. Një prej tyre ishte një 20-vjeçar sirian, që kishte sulmuar me thikë kuzhine një çift homoseksual më 4 tetor në Dresden. Më fatali ishte sulmi i dhjetorit të vitit 2016, kur një terrorist u fut me kamionçinë në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, duke i lënë 12 persona të vdekur.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!