Terroristi i vrarë në Vjenë pas sulmeve në qendër të qytetit është një i ri austriak me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i vendit, Karl Nehammer. Kujtim Fejzullai, 20 vjeç ishte një mbështetës i grupit terrorist të shtetit islamik.

Ai ishte dënuar me 22 muaj burg më 25 prill 2019, pasi kishte tentuar të udhëtonte drejt Sirisë për t’iu bashkuar ISIS-it. Më 5 dhjetor, ai ishte lënë i lirë me kusht. Autoritetet austriake janë vënë tani në kërkim të autorëve të tjerë të dyshuar të sulmit.

Ndërkohë edhe numri i viktimave të sulmit të kryer mbrëmjen e të hënës është rritur, duke shkuar në pesë, ndërsa 17 janë të plagosurit, prej të cilëve të paktën gjashtë janë në gjendje të rëndë. Më shumë se 250 janë pjesëtarët e forcave speciale austriake të angazhuar në operacionin e kërkimit, pas atentatit që ka përhapur panik në kryeqytetin austriak.