Në rrënojat e qyteteve të lashta shqiptare, hajdutët e thesareve gërmojnë, pothuajse pa u ndëshkuar, për ar, argjend apo objekte të rralla arkeologjike që më pas mund t’i shesin. Kjo ka shqetësuar studiuesit.

Në rajonin e Korçës, mbetjet e Hijes së Korbit, një qytet i rëndësishëm antik, janë të mbuluara me bimësi. Kudo dallohen vrima në tokë. Toka është e mbuluar me mbetje qeramike, tregues i gërmimeve të paligjshme. Administrata nuk po e mbron këtë zonë arkeologjike disa mijëvjeçare. “Gërmojnë kudo me shpresën për të gjetur ar, argjend dhe sende të tjera me vlerë”, shpjegon 60-vjeçari Axhem Lagështari, banor i zonës.

Zbulimi në zonë në vitin 1980 i 618 monedhave argjendi (disa të Aleksandrit të Madh), ndoshta nga shekulli i tretë para erës sonë, ka tërhequr këtu gjuetarët e thesarit. Kjo zonë malore ruan një trashëgimi të rëndësishme të përbërë nga nekropole, fortifikime dhe mbetje të tjera që datojnë që nga epoka e bronzit deri në Mesjetë. Arkeologët thonë se pothuajse të gjitha vendet janë gërmuar ilegalisht.

Ju pëlqen!

“Problemi është veçanërisht shqetësues në Hijen e Korbit (në Korçë), një qytet i rëndësishëm që ende nuk është gërmuar nga arkeologët”, ankohet Rovena Kurti, drejtuese e Departamentit të Parahistorisë në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë (kryeqyteti shqiptar).

Shkatërrimi i provave shkencore

Grabitësit punojnë natën me lopata, kazma dhe buldozerë. Në rrjetet sociale nuk mungojnë reklamat për blerjen e detektorëve “ar, argjend dhe sende me vlerë”.

Me veprimet e tyre ata “dëmtojnë truallin dhe vjedhin trashëgiminë”, sqaron Rovena Kurti.

“Ato gjithashtu i pengojnë shkencëtarët të mbledhin të dhëna dhe t’u japin objekteve një kontekst që i ndihmon ata të kuptojnë kohën”, thotë Cécile Oberweiller, e cila drejtoi një mision arkeologjik në Korçë.

Në verilindje të Tiranës, në Brrar, gjendja e rrënuar dhe vrimat në mure kanë shpërfytyruar një kishë të shekullit XI-XII, dëshmi e lakmisë së grabitësve. Në tokë duken gërmimet e kohëve të fundit.

Megjithatë, kjo kishë është e regjistruar në trashëgiminë kulturore dhe duhet të mbrohet.

Studiuesit bëjnë thirrje për ndëshkim të ashpër të grabitësve dhe për një koordinim më të mirë midis policisë, autoriteteve lokale dhe kulturore për të parandaluar trafikimin e objekteve arkeologjike, që shpesh bien në duart e bandave të organizuara, transmeton AFP.

Ministria e Kulturës ka theksuar se janë “përforcuar masat” për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe është rritur bashkëpunimi “me organizatat ndërkombëtare për të luftuar trafikimin e paligjshëm të pasurive kulturore”.

Megjithëse nuk ka një përllogaritje për vlerën e mallrave të grabitura në tregun ndërkombëtar, disa prej studiuesve shqiptarë janë të bindur se këto objekte përfundojnë në ankande, në muze apo përfundojnë si koleksione.

“Është një betejë që Shqipëria nuk mund ta bëjë e vetme, përgjegjësia bie edhe mbi autoritetet e vendeve, të cilët mbyllin sytë kur këto objekte përfundojnë në muzetë e tyre”, thotë historiani i njohur i artit, Neritan Ceka.

Aktakuza në Francë e Jean-Luc Martinez, ish-drejtues i Muzeut të Luvrit (më i madhi në botë), për trafik të supozuar të objekteve antike nga Lindja e Mesme, vuri në qendër të vëmendjes këtë lloj tregtie të paligjshme.

Nga ana tjetër arkeologu francez Pascal Darcque denoncon, “praktikat e dyshimta të muzeve që shiten (në tregun e antikave) pa u shqetësuar shumë për origjinën e objekteve”,

“Duke pasur parasysh se shumica e vendeve kontrollojnë gërmimet arkeologjike në territorin e tyre, “objektet që dalin në treg sot (…) janë apriori të dyshimta,” shpjegon ai.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.