Një hulumtim i detajuar i fundit nxori në pah një detaj të panjohur për një nga pikturat më të famshme në botë, “Britma” e Edvard Munch. Mesazhi i shkruar në këndin e sipërm të majtë të pikturës, për të cilin mendohej se ishte një akt vandalizmi, në fakt është shkruar nga vetë Munch.

Museu Kombëtar i Norvegjisë zbuloi se fraza “Kan kun være malet af en gal mand” (Mund të jetë pikturuar vetëm nga një i çmendur) u shkrua nga vetë artisti, duke zgjidhur kështu një nga misteret e veprës.

“Shkrimi është padyshim i Munch,” tha (përmes CNN) Mai Britt Guleng, kuratori i muzeut. “Vetë shkrimi i dorës, si dhe ngjarjet që ndodhën në vitin 1895, kur Munch prezantoi pikturën në Norvegji për herë të parë, të gjitha tregojnë të njëjtin drejtim.”

Ju pëlqen!

Nisur nga fakti që piktura nuk u vlerësua nga disa kritikë të kohës, studuesit janë të mendimit se fraza ishte një reagim i artistit të zhgënjyer nga kritikat.

“Në një natë diskutimi në Shoqatën e Studentëve, ku Munch besohet të ketë qenë i pranishëm, një student i mjekësisë vuri në dyshim shëndetin mendor të Munch duke pretenduar se pikturat e tij vërtetonin se ai nuk kishte mendje të shëndoshë. Ka mundësi që Munch të ketë shtuar mbishkrimin në vitin 1895, ose pak më vonë në përgjigje të gjykimit mbi punën e tij,” tha muzeu.

“Britma” mendohet se frymëzua nga përvoja e Munch teksa shëtiste gjatë muzgut në Olso, kur qielli u bë jashtëzakonisht i kuq dhe i përjetoi një gjendje shqetësuese fizike dhe mendore. Megjithatë interpretimi i saj mbetet çështje këndvështrimi.

Kryevepra ekspresioniste është një nga veprat më të famshme të kohëve moderne, e konceptuar vazhdimisht si një përshkrim i përjetshëm i ankthit njerëzor. Fytyra e subjektit është kaq e njohur, sa ka shërbyer edhe si frymëzim për krijimin e një emoji (emoji: U+1F631).

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.