Sipas një studimi të ri, mbajtja sa më larg e kripës nga tavolina e ngrënies, mund t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë. Studiuesit në Universitetin Tulan, thonë se shtimi i kripës në vaktet tuaja, mund t’iu çojë drejt një vdekjeje më të hershme.

Studimi raporton se burrat humbasin 1.5 vite dhe gratë 2.28 vite në moshën 50 vjeçare, përkundrejt njerëzve që nuk i shtojnë kurrë kripë ushqimore, apo e bëjnë këtë gjë shumërrallë. U zbulua se konsumatorët që i shtojnë gjithnjë kripë ushqimit të tyre, kishin 28 për qind më shumë rrezik për të vdekur para kohe.

Studimi bazohet tek më shumë se gjysmë milionë britanikë në moshë madhore, të cilët i kanë raportuar stilet e tyre të jetesës dhe të dhënat shëndetësore në qendrën Biobank. Në përgjithësi, rreth 3 në 100 njerëz të moshës 40– 69 vjeç vdesin para kohe, thonë shkencëtarët. Rreziku i shtuar nga shtimi i kripës, sugjeron se një person më shumë do të ketë një vdekje më të hershme në atë grup.

Ju pëlqen!

“Me aq sa di, studimi ynë është i pari që analizon lidhjen midis shtimit të kripës në ushqime dhe vdekjes së parakohshme”– thotë Lu Qi, nga Shkolla e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale të Universitetit Tulan. “Ai ofron prova të reja për të mbështetur rekomandimet nëlidhje me modifikimin e sjelljeve të të ngrënit, me synim përmirësimin e shëndetit. Edhe një reduktim modest i marrjes së natriumit, duke shtuar më pak ose aspak kripë mbi ushqimin qëkemi në tryezë, ka të ngjarë të sjellë përfitime të mëdha shëndetësore”-shton ai.

Vlerësimi i konsumit të përgjithshëm të kripës është shumë i vështirë, pasi shumë ushqime, sidomos ato të parapërgatitura dhe të përpunuara, përmbajnë shumë kripë para se të arrijnë në tryezat tona. Dihet që kaliumi mbron nga rreziku i sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve metabolike si diabeti, ndërsa natriumi rrit rrezikun e sëmundjeve si kanceri, presioni i lartë i gjakut dhe goditjet në tru.

Kjo është arsyeja pse studiuesit zgjodhën të shihnin nëse njerëzit shtonin kripë në ushqimin e tyre në tavolinë. Studiuesit analizuan të dhënat e 501.379 pjesëmarrësve të Biobank. Kur iu bashkuan studimit midis viteve 2006-2010, pjesëmarrësit u pyetën nëpërmjet një pyetësori nëse i shtonin kripë ushqimeve të tyre me opsionet:kurrë/rrallë, ndonjëherë, zakonisht, gjithmonë, ose preferoj të mos përgjigjen.

Këta të fundit nuk u përfshinë në analizë. Po ashtu, studiuesit morën parasysh faktorë si mosha, gjinia, raca, privimi, indeksi i masës trupore, pirja e duhanit, alkoolit, aktiviteti fizik, dieta dhe sëmundjet si diabeti, kanceri dhe sëmundjet e zemrës dhe gjakut.

Ata i ndoqën pjesëmarrësit për një mesatare prej 9 vjetësh, dhe vdekja e parakohshme u përcaktua e tillë kur ndodh para moshës 75-vjeçare. “Shtimi i kripës në ushqime, është një sjellje e zakonshme gjatë të ngrënit, e cila lidhet drejtpërdrejt me preferencën afatgjatë të një individi për ushqime me shije të kripur.

Në dietën perëndimore, shtimi i kripës në tryezë përbën 6-20 për qind të sasisë totale të kripës, dhe ofron një mënyrë unike për të vlerësuar lidhjen midis marrjes së zakonshme të natriumit dhe rrezikut të vdekjes së parakohshme”- thotë Qiu.

U pa se shtimi i kripës në ushqime, lidhej gjithmonë me një rrezik më të lartë të vdekjes së parakohshme nga të gjitha shkaqet, si dhe me një reduktim të jetëgjatësisë. Studiuesit zbuluan se këto rreziqe priren të reduktohen disi tek njerëzit që konsumonin sasitë më të larta të frutave dhe perimeve, edhe pse këto rezultate nuk ishin statistikisht të rëndësishme.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.