Stresi i akumuluar nuk ju lë as të vendosni se çfarë dëshironi të hani për darkë, e jo më t’ju lindin ide inovative. Megjithatë, njerëzit presin nga ju që të vini me ide të reja dhe zgjidhje kreative, pavarësisht gjendjes psikologjike që po kaloni. Nëse e gjen veten në këtë situatë, atëherë po ju ofrojmë disa ide, ose “truke”, se si mund të dilni me sukses nga kjo gjendje, e të vazhdoni procesin normal tuajin përpos mënyrës se si ndiheni.

Si fillim, duhet të hiqni dorë nga përpjekjet për të “sforcuar” veten që të gjeni me patjetër ide kreative. Nëse jeni duke luftuar me stresin, t’i shtoni kësaj lufte edhe një tjetër betejë, atë kundër vetes, vetëm sa do t’i përkeqësojë gjërat. Ndaj, në vend që t’i thoni vetes “Duhet të jem kreativ”, “Kjo duhet të ndodhë tani”, provoni t’i thoni vetes “Do ta eksploroj këtë mundësi”, ose “Unë do të luaj me këto ide”.

Ju duhet të krijoni një ndjenjë sigurie psikologjike, në mënyrë që të mos përqendroheni në performancën e dobët. Pasi të keni krijuar ndjesinë e sigurisë psikologjike, atëherë mund të eksperimentoni me aktivitete që mund të shkaktojnë gjendjen e “mendimit shpërndarës”. Ky lloj aktiviteti është ai në të cilin truri juaj operon në mënyrë më të lirshme, duke kërkuar të krijoni lidhje midis pjesëve të ndryshme të trurit tuaj, përkundrejt operimit në  gjendjen e “të menduarit e përqendruar”. Aktivitete si ecja, ngrënia, ose pushimet e llojeve të ndryshme, natyrisht ju vendosin në gjendjen e “mendimit shpërndarës”, duke ju lejuar të hapni mendjen tuaj për mundësi të reja.

Për të maksimizuar përfitimet nga kjo kohë, shmangni detyrat e shumta në mënyrë që të lejoni mendjen tuaj që të hulumtojë sa më shumë. Bëjini vetes pyetje sfiduese – “Çfarë do të ndodhte nëse do të vepronim kështu? Po në rast se do t’i drejtoheshim një klienti hipotetik (nëse merreni me shitje) në këtë mënyrë?” Mos gjykoni asnjë mendim tuajin. Lënia e  hapësirave edhe për mendime cilësore edhe për ato sasiore ju lejon të zhvilloni edhe më shumë kreativitetin.

Një tjetër element i rëndësishëm, është të pozicionoheni në “hapësirën tuaj të lumturisë”. Kjo është diçka tejet personale, ndaj askush më mirë se ju nuk e di. Mund të jetë një zonë afër një liqeni, një kafene, një cep në dhomën tuaj të fjetjes, etj. Pasi të keni kaluar pak kohë vetëm, atëherë shoqërohuni edhe me të tjerë. Alternimi mes të punuarit vetëm dhe të punuarit në grup rezulton pozitiv për ide të reja.

Takohuni me kolegët, ose pini një kafe me miqtë, apo takoni familjarët tuaj. Diskutimet mes dy mendjeve të ndryshme janë stimulues dhe nxitës për të prodhuar edhe më shumë ide.  Së fundmi, jepini vetes kohë. Kur truri operon në kapacitet të plotë, ju mund të keni aftësinë të prodhoni ide nga më të ndryshmet. Por, kur e shihni që jeni poshtë 100% të kapacitetit, atëherë jepini vetes disa ditë pushim, që të evitoni trysninë. /harvardbusinessreview/