Struktura e tike e kanunit

Yamamoto KAZUHIKO

Tezat e profesorit japonez Kazuhiko, mbi etikën e shoqërisë njerëzore pa shtet

A është forma origjinale e etikës në shoqërinë njerëzore?

Fiset Gege në malësitë veriore të Shqipërisë kanë një kod zakonor të njohur me emrin Kanun. Në një shoqëri fisnore sikurse ajo e Shqipërisë Veriore, ku sistemi gjyqësor nuk funksionon mirë, një akt hakmarrjeje i kryer nga pala e dëmtuar, është sanksioni më i fundit për të ndëshkuar një dëmtues ose një palë ofenduese, një hap i domosdoshëm për të rivendosur dhe për të ruajtur rendin shoqëror në shoqërinë njerëzore. Në Shqipërinë Veriore, një akt hakmarrjeje kundër një ofenduesi i cili kryen një akt të shëmtuar, të cilin Kanuni e konsideron si një veprim joetik, gjykohet si një akt drejtësie. Çështja si lind dhe zhvillohet etika dhe rendi shoqëror në një shoqëri pa pushtet shtetëror, përbën një nga enigmat që qëniet njerëzore për një kohë të gjatë janë përpjekur ta zgjidhin. Me të drejtë është supozuar që para se në shoqërinë njerëzore të shfaqej pushteti shtetëror, qëniet njerëzore kanë jetuar në një shoqëri ku ky pushtet mungonte. Thomas Hobbes ishte i pari që tregoi se një kontratë shoqërore përbënte fillesën e rendit shoqëror në një shoqëri pa pushtet shtetëror. Rousseau, Nietzsche dhe Girard propozuan teori mbi fillesën e rendit shoqëror, mbështetur në teorinë e kontratës shoqërore të Hobbes. Megjithatë, të gjitha këto teori duhet të kenë dështuar në zbullimin që, një shoqëri pa pushtet shtetëror ka etikën e vet personale, e cila është zhvilluar në mënyrë të vetvetishme si rezultat i një kulture pagane. Shoqëria fisnore e Shqipërisë Veriore, ku Kanuni ushtron pushtet normativ në vend të pushtetit shtetëror, ka etikën dhe rendin shoqëror të përpiluar sipas mënyrës së vet. Në këtë kumtesë do të sqaroj konceptet etike të Kanunit dhe do të propozoj një teori të re mbi origjinën e etikës dhe rendit shoqëror në shoqërinë njerëzore, duke përdorur strukturen etike të Kanunit. Pjesa Veriore e Shqipërisë përbëhet nga një terren i thyer malor me gryka të thella ku bën përjashtim një rrip i ngushtë përgjatë bregut të Detit Adriatik. Popullsia e kësaj zone, e cila flet dialektin gegë të gjuhës shqipe, ka ruajtur strukturat fisnore të bazuara në Familjen, Vllazninë dhe Fisin, deri sa diktatori shqiptar Enver Hoxha e shkatërroi atë pas Luftës së Dytë Botërore. Malësitë e Shqipërisë Veriore që prej Mesjetës i janë nënshtruar kodit fisnor zakonor të quajtur Kanun. Kanuni është transmetuar gojë më gojë mes fiseve shqiptare deri sa frati françeskan Shtjefën Gjeçovi, më së fundi, ia arriti të përpilonte kodin, i cili u botua pas vdekjes së tij më 1933, nën titullin Kanuni i Lekë Dukagjinit (Lopasic 1992: 89-105).

Konceptet etike të Kanunit

Kanuni i mbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi përbëhet nga 1263 nene. Meqë neni 1181 është i ngjashëm me nenin 1081, atëherë kemi të bëjmë në fakt me 1262 nene (GJEÇOV 1989 [1933]: 198, 208). Tipari më dallues i Kanunit është se ai lejon burrat të hakmerren, veprim ky që funksionon si një sanksion kundër dhunimit të të drejtave të të tjerëve. Nëse një akt hakmarrjeje i kryer nga pala e ofenduar nuk mbështetet nga koncepte etike, ai rezulton në veprime të mbrapshta dhe dhunë pa fund. Fakti që për disa shekuj Kanuni ka funksionuar si një kod zakonor në Shqipërinë Veriore dhe në Kosovë, i cili krijoi mundësi popullit të ruajë rendin shoqëror duke i zgjidhur konfliktet në bashkësi, tregon se popullsia në këtë hapërsirë e konsideron aktin e hakmarrjes të përcaktuar në Kanun, si një veprim etik. Në mënyrë të dukshme koncepti i hakmarrjes është guri themeltar i cili potencialisht mund ta zhdrivillojë strukturën etike të Kanunit. Meqenëse Kanuni e përcakton në mënyrë të qartë se gjaku i derdhur duhet të shpaguhet, kuptohet se hakmarrja është e lidhur pazgjidhshmërisht me konceptin e “Gjakut”. Kërkimi i shkaqeve të një dhune të tillë kaq shpaguese, e cila si pasojë rezulton në gjakderdhje, na pajis ne me çelësin për të shkuar drejt koncepteve të cilat ndërtojnë strukturën etike të Kanunit. Është e lehtë të zbulosh se katër konceptet, “Betimi”-“Beja”, “Besa” (besa është një betim për armëpushim), “Nderi” dhe “Miku”, bashkëshoqërohen me “Hakmarrjen”. Për shembull, kur një burrë është fyer, ai ka të gjitha të drejtat për ta rivendosur në vend nderin e tij duke vrarë fyesin. Kur një burrë ose një mik është vrarë, gjaku i derdhur duhet të shpaguhet. Në këtë mënyrë, që të katër konceptet, “Betimi”, “Besa”, “Nderi” dhe “Miku” do të puqen mbi konceptin e “gjakut” nëpërmjet një dhune hakmarrëse. Cili është sfondi etik që e bind një burrë të vrasë një ofendues kur ai është i turpëruar ? Pse është i detyruar një burrë të kërkojë shpagim kur miku i tij vritet? Kur përpiqemi të kuptojmë strukturën etike të Kanunit duke përdorur gjashtë konceptete: “Betimin”, “Besën”, “Gjakun”, “Nderin”, “Mikun” dhe “Hakmarrjen”, ne nuk ia arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë, sepse na mungon një lidhje e rëndësishme në mes këtyre koncepteve. Atëherë unë zbulova se teoria marebito (miku-hyj) propozuar nga Shinobu Orikuchi, një folklorist dhe shkrimtar japonez, ishte një çelës për zgjidhjen e kësaj mëdyshjeje. Sipas tij, hyji shfaqet i maskuar si mik ndër ritualet fetare të Japonisë së Lashtë. Kur Hyji-Zoti, i maskuar si një plak, viziton një fshat dy herë në vit për ta bekuar popullin, një mikpritës duhet ta trajtojë mikun-hyj me një mikpritje të veçantë (ORIKUCHI 1972 [1954]: 3-62). Në këmbim të mikpritjes, miku-hyj i jep një bekim mikpritësit, bekim që siguron lumturinë dhe shëndetin e familjes mikpritëse. Në ritualin e pritjes së një miku-hyj, ofrimi i ushqimit ndaj këtij të fundit është një moment i një rëndësie kritike. Nuk ka rituale të një miku-zot vizitor pa ushqim që hahet në një përpjestim të drejtë dhe së bashku.

Duket se shqiptarët e kanë konceptin e “Mikut” dhe traditën e mikpritjes të ngjashme me atë të japonezëve të vjetër. Kanuni thotë: “Shpija e Shqyptarit âsht e Zotit e mikut” (Nenin 602). Miku duhet të nderohet me bukë, kripë dhe zemër. Neni 608). Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare shkruan: “”miku brenda portës (shtëpisë) së dikujt, për një shqiptar është më i shenjtë se sa çdo gjë tjetër “Miku, në jetën e Shqiptarit përfaqëson kategorinë më të lartë etike, më të rëndësishme se sa lidhjet e gjakut”. Krahasimi i kulturës dhe traditës në mes shqiptarëve dhe japonezëve antikë na çon ne tek koncepti i “Ushqimit”, i cili është një element i domosdoshëm i kuptimit të Kanunit. Në këtë mënyrë, ne zbuluam shtatë koncepte etike në Kanun: “Betimi”, “Besa”, “Gjaku”, “Nderi”, “Miku (miku-zot)” “Ushqimi” dhe “Hakmarrja”.

Betimi’ -“Beja’:

“Beja âsht nji sjellje besimtare, për mjet së cillës nieri, tuj dashtë me dalë së keq prej nji zhgarkimi të dhûnshëm, do të përkasë me dorë nji shêj besimi, tuj e grishë êmnin e Perendís në dishmí të së vertetës” (Betimi është një shprehje deklaratë fetare, nëpërmjet së cilës një njeri, duke u përpjekur ta shfajësojë veten e tij nga një akuzë e turpshme, duhet të prekë me dorën e tij dhe të betohet në emër të Zotit si shenjë e betimit të së vertetës. Neni 529)”. Një njeri i akuzuar për vjedhje ose vrasje është i lejuar të shfajësojë veten e tij nëpërmjet bërjes së një betimi se ai është i pafajshëm në emër të Zotit. Në qoftë se ai kryen një betim të rremë, si në mënyrë të qëllimtë, ose në mënyrë të paqëllimitë, ai është një njeri i pandershëm që duhet të ndëshkohet, me një gjobë të rëndë, ose nëpërmjet dëbimit nga bashkësia. Ai që kryen betimin e rrejshëm mund të humbasë jetën e tij ose të grupit të tij farefisnor, mbasi supozohet se zemërimi i Zotit do të bjerë mbi të.

Besa:

“Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj mos i ndjekë për gjak përkohsisht e mje në vade të caktueme” (“Besa është një periudhë e lirisë dhe sigurisë të cilën ia jep familja e viktimës, vrasësit dhe familjes së tij, duke e pezulluar përkohsisht marrjen e gjakut deri në përfundim të periudhës së caktuar. (Neni 854)”. Kur një shpagimtar e vret armikun e tij, atij i jepet një besë prej 24 orësh gjatë së cilës ai duhet të presë funeralin e personit të vrarë, dhe më pas një besë prej 30 ditësh. Ai gjatë kësaj periudhe është nën mbrojtjen e besës, dhe armiqtë e tij e kanë të ndaluar ta vrasin atë. Besa është një lloj betimi i marrë nga pala e dëmtuar, duke sjellë një ndërprerje të përkohshme të gjakderdhjes.

Gjaku:

“Vargu i brêzavet të gjakut e të gjinís, shkon në të pasosun për Shqyptarin e malevet”, (“Për shqiptarin e Malësisë zinxhiri i marrëdhënieve të gjakut është i pafund”: Neni 695). ” Po më shau kush, e un e vrava, i a kam gjakun” (“Në qoftë se dikush abuzon me mua dhe une e vras atë, unë marr mbi vetë gjakun” Neni 910). ” “Gjaku s’hupë kurr” (“Gjaku nuk është kurrë i papagueshëm” Neni 917). “Mbasi t’a perziejn gjakun ase, mbasi t’a tundin mirë, i shndrrojn gotat, e, me duer kryqzue, i a kojn shoqi-shoqit, tuj e pí gjakun e njâni-tjetrit.-Nder njmí pergzime qesin pushkë e bâhen si vllazen të rí njij nânet e babet” (“Pasi perzjejnë gjaqet e njeri tjetrit dhe i tundin ato mire, duke pirë gjakun e njëri tjetrit, ato bëhën si vëllezër të rinj, si të lindur prej së njejtës nënë dhe babë.” Neni 990). Gjaku në Kanun është një metaforë për jetën njerëzore, farefisin dhe gjakmarrjen. Gjaku i një ofenduesi, ose e një anëtari të grupit fisnor dëmtues, është e vetmja gjë që i jep mundësi palës së dëmtuar të asnjanësojë çnderimin ose gjakun e derdhur.

Nderi:

“Ndera e mârrun nuk shpërblehet me gjâ, por a me të derdhun të gjakut, a me të falun fisnikisht (përmbas ndermjetsís së dashamirve të mirë” (“Një ofendim ndaj nderit nuk paguhet me pronën, por nëpërmjet derdhjes së gjakut ose nëpërmjet një faljeje të madhe publike” Neni 598)” Aj, të cillit i u muer ndera, xêhet i dekun ka kanûja” (“Një burrë i cili është çnderuar, në bazë të Kanunit konsiderohet i vdekur” Neni 600). “Ndera i merret burrit: a) Me i thanë kush se rrên faqe burrave të mbledhun në kuvend; b) Me pshty, me i u matë, me e shty e me i rá kush; c) Me i prishë ndermjetsín a besën; d) Me i a dhûnue gruen a me i a hikun”.” (“Një burrë është i çnderuar: a) në qoftë se dikush e quan atë gënjështar përballë një grupi njerëzish; b) në qoftë se dikush e pështyen, kërcënon, shtyn ose e godet atë; c) në qoftë se dikush tradhton mbi premtimin e tij për ndërmjetësim ose mbi dhënien e fjalës; d) në qoftë se gruaja e tij është turpëruar, ose në qoftë se ajo shkon me dikë tjetër” Neni 601). Kështu, kur pala e ofenduar nuk mund të falë një ofendues, ato do të hakmerren për çnderimin e pësuar në bashkësi.

Miku:

“Për çdo mik duhet buka si han vetë” (“Çdo miku duhet t’i jepet ushqimi në shtëpi” Neni 611). ?Miku xên kryet e vendit në trevezë (sofër), mandej i hîn ndorja” (“Miku vendoset në vendin e nderit në tavolinë, dhe për pasojë është nën mbrojtjen e shtëpisë” Neni 653). “Një mik është një njeri i nderuar, i cili duhet të trajtohet me mikpritjen e duhur ashtu sikurse të ishte një qënie hyjnore. Në qoftë se miku, nën mbrojtjen e mikpritësit vritet, gjaku i tij duhet të merret me çdo kusht”.

Ushqimi-Buka :

“Udhtari si edhè shkuesi bâjn rrugë per kpucë e me bukë të vet, prandej s’jânë ndorja e kuej” (“Udhëtari, si lajmëtar, udhëton për pagesë dhe me ushqimin e tij, prandaj dhe nuk është nën mbrojtjen e ndokujt Neni 489). “Pushka e buka e dhânun me diejë të vrasës, i sjellin gjakun atij, qi e ep” (“Pushka ose buka e dhënë me njohuri paraprake që shkakton vdekjen, sjell gjak mbi atë që e jep” Neni 839). “Buka e gjakut âsht ajo, kúr ndermjetsit e pajtimit të gjakut me disá prej gjinijet, shokësh e dashamirësh të zot’t të gjakut t’i shkojn në derë dorërasit per pajtim të gjakut e të hajn buken e gjakut të pajtuem” (“Ushqimi i gjakut ndodh kur ndërmjetësit e pajtimit të gjakut, së bashku me disa të afërm, miq dhe shokë të zotëruesit të gjakut, shkojnë tek shtëpia e vrasësit për të pajtue gjakun dhe për me hanger një drekë, për të vëzhgue këtë pajtim. Neni 982). “Po hangri bukë Potota, bén e ká të bâme” (“Në qoftë se anëtarët e pleqësisë hajnë bukë me të akuzuarin, konsiderohet se ato kanë marrë besën. Neni 1068). Populli i Shqipërisë Veriore zhvillon dhe forcon marrëdhëniet e mes njëri tjetrit duke ngënë ushqimin së bashku. Në qoftë se nuk do të hahej ushqimi, (ose në qoftë ushqimi nuk do të hahej së bashku), rituale të tilla sikurse dhënia e besës dhe pajtimi i një gjakmarrjeje, në bazë të Kanunit nuk do të konsideroheshin si të permbushura.

Hakmarrja (Gjakmarrja)

“I korituni ká deren çilë, perkah ndera: peng s’shtron, pleq s’mêrr, gjyq s’lypë; gjobë s’merr-Burri i fortë mêrr gioben vetë.” (“Personi i dëmtuar ka çdo të drejtë të hakmerret për nderin e tij,” Asnjë gjykim nuk është i nevojshëm, asnjë gjobë nuk i merret “Njeriu i fuqishëm i mbledh gjobat vetë Neni 599). “Me gojë të kanunit: baba, vllau e deri kushrinija e dalun faret falet, porsè miku nuk falet (pose me të hím ndermjet të dashamirvet të zêmres” (‘Një ofendim kundër një babai, një vëllai dhe madje edhe kundër një kushëriri pa trashëgimtar mund të falet, por një ofendim kundër një miku nuk falet” Neni 649). Kur veprat joetike kryhen në bashkësi, pala e dëmtuar merr hak për të rivendosë ekuilibrin dhe pozicionin e barabartë në këtë bashkësi.

Përktheu dhe pajisi me shënime:
Romeo GURAKUQI