Dobësimi i shikimit, problemet me shtyllën kurrizore, mungesa e kohës për socializim, stres dhe ankth, deri te komplikimet në zemër. Këto janë disa prej rreziqeve që u kanosen profesionistëve në fusha të ndryshme, ose sipërmarrësve. Ekspertët e fushave përkatëse bëjnë thirrje për balancimin e jetës profesionale me atë personale, si dhe të formave për të reduktuar stresin e ankthin në rritje…

Të ulesh para një kompjuteri për gjithë ditën mund të jetë e rrezikshme për shëndetin tuaj. Dhembjet në shpinë, sytë e skuqur dhe problemet me gjumin mund të jenë pasoja të një mjedisi pune me nivel stresi në rritje apo edhe e jetës sedentare. Më keq akoma, niveli i stresit shkon deri në ankth, apo në probleme me zemrën. Të gjitha këto, kanë një emërues të përbashkët: puna! Qoftë kjo biznesi që drejton apo një punë ku je i kontraktuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka shpallur ‘sëmundjet profesionale’ si problematike kudo në botë; ato nisin nga problemet me sytë, shtyllën kurrizore dhe deri te sëmundjet që vijnë nga sektorë të cilën konsiderohen të rrezikshëm, si për shembull minierat.
Mjekja okuliste, Stela Ceca, shprehet për “Monitor”, se nga përvoja e saj profesionale ka parë jo rrallëherë persona që vuanin nga Sidroma Vizive nga Kompjuteri dhe nga sforcimi i syrit, duke mos marrë për bazë këshillat e duhura për shmangien e tyre.

Ajo shton se rreth 50-90% e njerëzve në kontakt me kompjuterin (kryesisht për punë) vuajnë nga shkallë të ndryshme të kësaj sindrome, statistikë kjo për të gjithë botën, përfshirë edhe vendin tonë. Dr. Ceca thotë se shpesh, probleme të tilla shkaktojnë uljen e produktivitetit në punë, kënaqësinë e të punuarit dhe performancën e përgjithshme në karrierë.

Specialistët e fushës së psikologjisë dhe të shëndetit mendor pohojnë se orari i zgjatur dhe koha e pamjaftueshme për të pushuar dhe për të rikuperuar energjitë, bëjnë që punonjësi të mos jetë efektiv dhe me kalimin e kohës, të jetë i stresuar dhe i lodhur. Specialistja e psikologjisë, prof. dr. Arjana Muçaj, pohon se pushimi me intervale të shkurtra, gjatë orarit të punës, është i nevojshëm, për të shmangur atë lloj lodhjeje që të shkakton stresin në një ambient pune. Sa i përket faktit se si mund të shmangim cenimin psikologjik nga puna e tepërt apo edhe thjesht stresi i shkaktuar, znj. Muçaj thotë se planifikimi dhe ndjekja e një programi të qartë, që do të shpërndajë punën në mënyrë të njëtrajtshme, eliminon “rraskapitjen” psikologjike.

Specialistët e fushës së psikologjisë shtojnë se, edhe zhvillimi teknologjik ka ndikimin e tij në të gjithë sferat profesionale apo biznese. Njerëzit janë shumë më në kontakt me një formë teknologjie apo tjetër, profesione të ndryshme si programues dhe zhvillues, ekspertët fiskalë dhe kontabilistët, kalojnë një kohë të gjatë para kompjuterit.

Mjekja okuliste Stela Ceca pohon se, në ditët e sotme, flitet për një fenomen i cili quhet mirëfilli “sindroma e kompjuterit”, që sipas saj përfshin një sërë problemesh të syve si rezultat i qëndrimit për një kohë të gjatë para kompjuterit, tabletit dhe telefonit. “Shumë individë që përdorin kompjuterin për një kohë të gjatë për shkak të punës së tyre ndiejnë lodhje të syve dhe shqetësime të ndryshme që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me kohëzgjatjen e përdorimit të pajisjeve elektronike”, – thotë znj. Ceca

E pyetur mbi efektet e punës me orare të zgjatura, mjekja okuliste thotë se simptomat më të shpeshta që lidhen me Sindromën e Kompjuterit janë: dhimbje të syve, dhimbje koke, shikim i turbullt, ndjesi e syrit të thatë, dhimbje qafe dhe të shpatullave. Këto shqetësime mund të shkaktohen nga drita e dobët e mjedisit, ose ndriçimi i tepërt i ekraneve të pajisjeve dixhitale, distanca jo e përshtatshme e shikimit, mbajtja siç duhet e shpinës gjatë punës, defekte të refraksionit të pakorrigjuara më parë ose një ndërthurje e gjithë këtyre faktorëve së bashku.

“Shfaqja e simptomave varet nga kapaciteti i syve të gjithsecilit për të përballuar punën para kompjuterit dhe kohëzgjatja e qëndrimit përpara pajisjeve elektronike. Për të ulur sa më shumë këto efekte negative është e nevojshme të çlodhni sytë vazhdimisht sipas rregullit 20-20-20 që nënkupton çdo 20 minuta pune, 20 sekonda pushim duke parë 20 këmbë larg.

Po ashtu, probleme të refraksionit të pakorrigjuara si miopia, astigmatizmi dhe hipermetropia ose probleme të shfaqura nga mosha, si presbiopia, si edhe probleme të koordinimit të syve mund të jenë shkaktarë të shfaqjes më të hershme të problemeve. Të tjerë hapa që mund të ndërmarrim janë kontrolli i dritës së mjedisit, duke punuar sa më shumë në dritë natyrale dhe duke ulur ndriçimin e ekranit të pajisjeve elektronike. Në rast se këto pajisje përdoren gjatë, e mira është të mbrohen sytë duke përdorur xhama mbrojtës nga drita blu. Po ashtu pulitja e syve apo përdorimi i lotëve artificialë ndihmon në pakësimin e shqetësimeve të lidhura nga thatësia e syve.”-këshillon znj. Ceca. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]