Margarete Gertrud Zelle, e njohur për brezat e mëvonshëm si Mata Hari, është një prej spiuneve më të “poshtëra” të shekulit 20. Sipas të gjithë rrëfimeve, Zelle nuk ka qenë një spiune e suksesshme, megjithatë historia e saj mishëron të gjithë elementët – guximin, ekzotizmin, si dhe një person kameleonik – që i bën të gjithë rastet e spiunazhit kaq tërheqës për njerëzit.

Në moshën 17 vjeçare, Zelle u martua me John Macleod, një zyrtar britanik në Inditë Lindore dhe shkoi bashkë me të në Java. Me të pati dy fëmijë, një prej të cilëve vdiq që foshnjë, ndërkohë që iu desh t’i nënshtrohet për 9 vite brutalitetit, abuzimeve, dehjeve si dhe sjelljeve të tij rrugaçërore, deri kur ai në fund e braktisi, duke marrë me vete edhe të bijën. Ndonëse Zelle mori më vonë të drejtën e rritjes së të bijës, në 1905 ajo e la me familjen në Holandë dhe u zhduk.

Zelle u rishfaq pak kohë më vonë në Paris si Mata Hari, një kërcimtare ekzotike që thosh se kish lindur në fiset Hindu. Në fillimin e Luftës së Parë Botërore, Mata Hari hyri në shërbimin e fshehtë gjerman, pasi ishte rekrutuar nga një prej të dashurve të saj, kreu i policisë i Berlinit. Vijoi të kërcejë në skena luksoze në Londër, Paris, Antverp dhe Bruksel ndërkohë që lufta ziente, e në të njëjtën kohë duke transmetuar raporte të fshehtë zbulimi për Gjermaninë, të cilat i siguronte prej shumë klientëve të saj diplomatë.

Pas një sinjalizimi prej shërbimit të fshehtë italian, autoritetet francezë kuptuan diçka dhe nisën të vëzhgojnë me kujdes lëvizjet e saj. Pa patur prova të mjaftueshme që ta dënonin për spiunazh, por duke dashur ta dëbojnë, autoritetet nisën procedurat e dëbimit. Gjithnjë e zgjuar dhe e mprehtë, Mata Hari bindi dëbuesit  saj se nuk qe një agjente për Gjermaninë dhe dëshironte që të spiunonte për aleatët si dhe të provonte besnikërinë e saj ndaj kauzës së tyre. Për të testuar këtë besnikëri, autoritetet franceze vendosën ta dërgojnë me mision të fshehtë në Brukselin e pushtuar. Edhe pse nisi të marrë pjesë në veprimtari të shkallës së ulet të spiunazhit për aleatët, Mata Hari vazhdoi të marë urdhëra nga Gjermania. Ajo kërkonte shuma të mëdha parash për shërbimet e saj, si nga gjermanët ashtu dhe francezët, ndërkohë që i binte kryq e tërthor kontinentit.

Më vonë, Mata Hari shkoi në Spanjë ku u takua me urdhëruesit e saj gjermanë dhe ra dakord të dërgojë një seri informacionesh për në Berlin. E kreu më së miri detyrën, ndonëse përdori një kod, të cilin gjermanët e dinin se tashmë francezët e kishin zbërthyer.

Veprimet e saj u dukën si një përpjekje e qëllimshme për të mos shërbyer më për gjermanët, të cilët nuk mund të paguanin më shumat e mëdha që ajo kërkonte. Gjermanët e pushuan pas kësaj gafe të përllogaritur, i paguan shumën e fundit dhe e urdhëruan të kthehet në Francë. Në Paris, Mata Hari u arrestua me në duar çekun që i kishin paguar gjermanët. Në fund të gjyqit dy-ditor, u dënua me vdekje për spiunazh dhe tradhëti. Mata Hari u ekzekutua nga një skuadër pushkatimi në 15 tetor 1917.