Media malazeze “Analitika” raporton për një plan teorik të përpunuar nga një qendër politologjike ruse, Këshilli i Marrëdhënieve Ndërkombëtare që drejtohet nga ish-ministri i Jashtëm Ivor Ivanov.  

Sipas medias malazeze, dokumenti quhet “Rusia në Ballkan” dhe në të renditen pesë kapituj. Sipas tij, Ballkani përshkruhet si rajon që është në epiqendër të zhvillimeve ndërkombëtare çka e bën të domosdoshëm qasjen e re të Rusisë për të ruajtur apo thelluar ndikimin e vet në një zonë ku ka qenë tradicionalisht e pranishme, 

Dokumenti merr në konsideratë si faktor të parë dështimet e Bashkimit Europian dhe vendimet dritëshkurtra të disa vendeve anëtare sidomos në raport me një vend kandidat si Serbia. Ky aspekt është faktor pozitiv për ndikimin e Rusisë, ndërkohë që zgjerimi i NATO-s pranohet se është një proces të cilin Kremlini nuk ka me çfarë ta kundërshtojë realisht dhe në mënyrë efektive. 

Në çështjet e sigurisë, Moska përballet me problemin strategjik të koordinimit të mirë euroatlantik dhe vihet në dukje se për sa i përket Ballkanit, qoftë ShBA, qoftë Britania e Madhe kanë të njëjtin qëndrim të harmonizuar me vendet e Grupit të Vishegradit. Pra që Ballkani duhet të anëtarësohet në familjen europiane. 

Autorët rusë vlerësojnë se integrimi përfundimtar i Rusisë në BE dhe NATO do të lehtësojë pozitën e Brukselit që do t’i ketë duart të lira për të propozuar zgjerimin drejt Lindjes, që është përhërë sfida strategjike e perceptimit të Rusisë. Nga kjo pikpamje strategjia e rritjes së ndikimit në Ballkan është politikë mbrojtjeje dhe elementët taktikë që sugjerohen janë: 

  • Mbështetje e forcave politike konstruktive në Serbi, Slloveni, Kroaci dhe Shqipëri të cilat do të orientohen drejt projekteve të Moskës.
  • Zgjerim i pranisë mediatike në Ballkan duke synuar zëvendësimin e narrativës “Rusia si garantus sigurie” dhe “Rusia si furnizues energjetik” me narrativën “Rusia si motorr e stabilitetit rajonal”, “Rusia si një motorr i bashkëpunimit humanitar”, “Rusia si një furnizuese e e-teknologjive dhe zgjidhjeve efektive teknologjike”. 
  • Shtim i investimeve në kompanitë vendase
  • Konvertim i pranisë ekonomike në rritje arsimore, ekonomike dhe bashkëpunim ekonomik. 

Dokumenti nuk gjendet në faqen e Këshillit që ka si publikim të fundit për Ballkanin datën 19 shkurt 2019. Nuk është e sigurtë nëse dokumenti vetë është real, apo është spekullim i qëllimshëm për të ngritur shqetësime për rrezikun rus në Bruksel, por drejtimet e parashtruara në të në të vërtetë kapin nevojën e ndryshimit të qasjes ruse duke rindërtuar fytyrën e një aktori konstruktiv. Edhe në qoftë i vërtetë dokumenti nuk përbën domosdoshmërisht vijën e re të diplomacisë ruse në Ballkan.