Akri Çipa
(Dërguar në redaksinë e MekuliPress nga autori)

Me përjashtime të vogla, dy dekadat e fundit e kanë gjetur Luginën e Preshevës të harruar në politikat e shteteve shqiptare. Përballë kësaj indiference, rreth 80 mijë shqiptarë autoktonë janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me forma të ndryshme represioni, mungesë investimesh dhe një perspektivë pesimiste për të ardhmen.

Përtej gjesteve simbolike, shumë pak kohë është shpenzuar nga dy shtetet shqiptare për të ravijëzuar një politikë koherente në lidhje me Luginën. Autoktonia dhe prezenca e shqiptarëve aty është përpjekur të luftohet me gjithfarë mjetesh nga institucionet qendrore serbe, duke filluar nga anashkalimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në projektet zhvillimore ekonomike, deri në përdorimin e mjeteve burokratike për të anormalizuar jetesën e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Sot, Lugina e Preshevës është nga zonat më të prapambetura ekonomike në Serbi. Përtej elementeve bazike, banorët nuk mund të marrin shërbime mjekësore përveçse duke udhëtuar dhjetëra kilometra, kryesisht në qytetin e Nishit. Investimet në arsim janë inekzistente.

Si një pjesë integrale e kombit shqiptar dhe si përjetuesit më të mëdhenj të diskriminimit shtetëror serb, shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë një vëmendje më të madhe institucionale si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Kohët e fundit ka pasur mëtime për ta ndrequr këtë gabim.

Për fat të keq, opinioni publik shqiptar u kujtua për shqiptarët e Luginës vetëm kur kjo e fundit u bë subjekt i diskutimeve në lidhje me shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshjeje hipotetike për të zgjidhur konfliktin ndërmjet tyre. Megjithatë, përtej kësaj hipoteze që u refuzua forcërisht, ka pasur rishtazi një sërë përpjekjesh për ta riparë qasjen e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, pati një rol aktiv në përbashkimin e entiteteve të ndryshme politike në Luginën e Preshevës përgjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Serbi. Në të njëjtën kohë, si Ministri Cakaj, edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, kanë ngritur si çështje format më të targetuara dhe eksplicite të diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi. Në takimin e përbashkët të qeverive më 2 tetor, Shqipëria dhe Kosova u dakordësuan për ngritjen e fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës.

Këto hapa janë të nevojshëm dhe duhen përshëndetur si një moment i ri. Por është e dukshme që këto përpjekje duhen shumëfishuar dhe thelluar nëpërmjet një qasjeje më të gjerë dhe afatgjatë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe për faktorizimin e tyre.

Një nga shfaqjet më problematike të diskriminimit shtetëror serb është fshirja e adresave të vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë. Nëpërmjet verifikimeve jo transparente dhe tendencioze, institucionet serbe kanë shfrytëzuar ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim për të pasivizuar adresat e përhershme të vendbanimit. Kjo ka sjellë “zhdukjen” nga regjistrat e Luginës të qindra e mijëra shqiptarëve.

Duke pasivizuar adresat e vendbanimeve, Serbia po shkel në mënyrë flagrante të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë duke iu pamundësuar atyre marrjen e letërnjoftimeve të reja, marrjen e shërbimeve mjekësore ose asistencave sociale. Në mënyrë të përçudnuar, institucionet serbe po i shndërrojnë këta subjekte në qytetarë të dorës së dytë duke iu hequr të drejtën e votës. Përmes proceseve burokratike dhe diskriminimit sistemik, shteti serb është duke realizuar, pa zhurmë dhe pa derdhur asnjë pikë gjak, një pastrim të mirëfilltë etnik në Luginën e Preshevës.

Ngritja e fenomenit malinj të pasivizimit të adresave në raport me komunitetin ndërkombëtar është tejet e nevojshme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës kanë gjetur në këtë drejtim një konsistencë vokale. Megjithatë, kjo problematikë dhe simotrat e saj nuk ekzistojnë në vakuum. Ato janë produkt i institucioneve dhe politikave shtetërore të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye, këto çështje duhen ngritur në nivelet maksimale edhe në kontaktet bilaterale me Serbinë.

Për Shqipërinë është e pafalshme që të mos ngrihet në nivel institucional ky shqetësim me palën serbe. Kjo mungesë bëhet edhe më e theksuar duke marrë parasysh intensifikimin e kontakteve ndërmjet dy shteteve në vitet e fundit – edhe për hir të platformave rajonale që po synohen. Raportet e Shqipërisë zyrtare me Serbinë nuk mund të anashkalojnë politikat e jashtme destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve dhe politikat e brendshme diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Kosova, nga ana e saj, duhet t’i ngrejë shqetësimet për Luginën e Preshevës në të njëjtin nivel me shqetësimet e presupozuara nga Serbia për pakicën serbe në Kosovë. Kjo do të thotë që Lugina të imponohet si një pikë diskutimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Përballë këmbënguljeve malinje të palës serbe për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, përfaqësuesit e Kosovës duhet të bëjnë të qartë se detyrimet e Serbisë ndaj minoritetit shqiptar janë po aq substanciale sa ato të Kosovës ndaj minoritetit serb. Nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet asnjë lloj bishtnimi ndaj këtyre përgjegjësive.

Është e rëndësishme që nëpërmjet një qasjeje të re nga Tirana dhe Prishtina zyrtare të motivohen dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës për një ndërgjegjësim më të madh dhe aktivizëm të shtuar. Kjo nënkupton kontakte të shumëfishuara me Këshillin Kombëtar Shqiptar, institucionin e vetëqeverisjes së komunitetit shqiptar në Serbi. Hapja e degës së Këshillit në Medvegjë, me mbështetjen e autoriteteve të Shqipërisë, është një fillim i mirë, por sigurisht jo i mjaftueshëm.

Së treti, është e nevojshme që Shqipëria dhe Kosova të formojnë një strukturë të posaçme për të bashkëvepruar dhe mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në takimin e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në tetor të këtij viti, Kryeministri Hoti njoftoi krijimin e një zyre për Preshevën në varësi të tij. Normalisht një pozicion i tillë në varësi të Kryeministrisë ka më shumë vizibilitet. Megjithatë, do të ishte e udhës që një zyrë e tillë të hapej nga Ministria e Jashtme dhe të shndërrohej në një strukturë të qëndrueshme institucionale. E njëjta strukturë duhet të ngrihet edhe në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë ose, edhe më mirë akoma, ajo mund të konceptohet si një iniciativë e përbashkët e dy Ministrive të Jashtme.

Fondi i përbashkët për Luginën, i dakordësuar nga Shqipëria dhe Kosova, mbetet modest në vetvete. Të dy shtetet, në bashkëpunim edhe me diasporën, kanë mundësi për ta rritur shumë më shumë kontributin e tyre. Kjo mbështetje duhet të fillojë nga elementët më bazikë në arsimin shqip, median dhe aktivitetet kulturore, për t’u zgjeruar më pas me pak vullnet dhe koordinim me përfaqësuesit lokalë në fusha të tjera zhvillimore.

Nëpërmjet tre rrugëve – intensifikimit të marrëdhënieve me vetë përfaqësuesit dhe strukturat lokale, reagimit në rrugë zyrtare ndaj Serbisë për politikat diskriminuese dhe ndërkombëtarizimit të formave të diskriminimit shtetëror serb – mund të rikonceptualizohet roli i Luginës. Lënia në harresë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës pas luftës në Kosovë është një mëkat i madh që nuk duhet të rëndojë më mbi politikëbërësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë.