Sot është 1 Maji apo Dita Ndërkombëtare e Punës. Kjo ditë e punëtorëve lindi nga lufta e tyre për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje:  ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Ju pëlqen!

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme, e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më  1 maj 1886.

Më 1 Maj të vitit 1886 mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Ndërkohë që gazetat do t’i vlerësonin ato si “absurde”. Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve. Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu Majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre.
Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, më 1889, Internacionalja e Dytë Socialiste, që u zhvillua në Paris (Francë), vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të të gjithë punëtorëve të botës. Sot, pothuajse pas 122 vjetësh, 1 Maji festohet në mbarë botën si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që: dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në  të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje, liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.

Historia e dhunës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1880, tregoi se punëdhënësit do të përdornin arsenalin e tyre, që nga gjykatat deri të policia. Ndërkohë që vrasjet në një nga sheshet kryesore të Çikagos, treguan se sa shumë ishte përkeqësuar situata. Por, përpjekjet e punëtorëve për orarin 8 orësh të punës në vitin 1880 treguan vendosmërinë e tyre.

Lëvizja nisi më 1884, kur Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve (paraardhëse e Federatës Amerikane të Punëtorëve) hartoi rezolutën se “duke nisur nga 1 Maji 1886 orari i punës për të gjithë punëtorët duhej të ishte 8 orësh”.

/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!