Nicola Sturgeon ka thënë se dëshiron të ketë një “referendum ligjor, kushtetues” për pavarësinë e Skocisë, pasi ajo njoftoi se një projekt-ligj i ri do të publikohej në Holyrood për një votim konsultativ për këtë çështje.

Ministrja e Parë skoceze, Nicola Sturgeon tha se projektligji do të parashikojë një referendum që do të mbahet më 19 tetor 2023, me pyetjen që do të shtrohet njësoj si në votimin e vitit 2014: “A duhet të jetë Skocia një vend i pavarur?”

Sturgeon tha se do t’i shkruante kryeministrit britanik Boris Johnson për leje për të mbajtur një referendum konsultativ, duke thënë se ishte jetike që votimi të ishte i ligjshëm. Ajo tha se çështja do t’i referohet Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.

Votuesit në Skoci, e cila ka një popullsi prej rreth 5.5 milionë banorësh, refuzuan pavarësinë në vitin 2014. Por qeveria gjysmë-autonome e Skocisë thotë se largimi i Britanisë nga BE-ja, që u kundërshtua nga shumica e skocezëve, do të thotë se çështja duhet të vihet në një votim të dytë .

Johnsoni dhe Partia e tij Konservatore në pushtet, e cila është në opozitë në Skoci, kundërshtojnë fuqishëm një referendum të ri, duke thënë se çështja u zgjidh në vitin 2014 kur skocezët votuan kundër pavarësisë me 55% ndaj 45%.

Më parë ai ka refuzuar të lëshojë një urdhër “Seksioni 30” për të lejuar mbajtjen e referendumit.