Përgjimi i disa gazetarëve në Itali, pa qenë subjekt hetimi, ka hapur një debat të madh. I njohur ndryshe si pushteti i katërt, media kontrollon edhe pushtetin gjyqësor si të tjerët. Por në rastin konkret, rezulton si ai është bërë vetë subjekt monitorimi.

Rasti ka të bëjë me hetimet e nisura nga Prokuroria e Trapanit ndaj disa OJQ-ve lidhur me trafikun e emigrantëve libianë drejt Italisë.

Mes gazetarëve të përgjuar spikat emri i Nancy Porsias.

Përgjimi i saj nuk është i rastësishëm, pasi një hap i tillë është shqyrtuar më parë nga një prokuror, me kërkesë të policisë gjyqësore dhe është autorizuar nga një gjyqtar.

Përgjimi ndaj gazetares investigative, e kërcënuar vazhdimisht me vdekje nga trafikantët libianë, konsiderohet i paligjshëm. Mes përgjimeve është edhe një bisedë mes Porsia-s dhe avokates së saj, Alessandra Ballerini. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me reporterë të tjerë dhe përgjimet shkojnë përtej aktivitetit professional.

Federata Kombëtare e Shtypit Italian, FNSI, ka kërkuar shpjegime në lidhje me përgjimet e kryera në vitin 2016 nga prokuroria e Trapanit, si pjesë e një hetimi për mbështetjen e emigracionit të paligjshëm.

Në rastin e Porsias, bisedat me avokaten janë transkriptuar edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me hetimin.

Raffaele Lo Russo, sekretari i përgjithshëm i Federatës Kombëtare të Shtypit Italian thotë se është “shumë serioze që gazetarët të përgjohen ndërsa bëjnë punën e tyre”.

Në dosjen e hetimit figurojnë emra burimesh, kontakte, raporte personale etj., elementë të cilët ligji i mbron duke i konsideruar sekret profesional.

Të tjerë gazetarë që kanë rënë pre e përgjimit janë reporterë të “Avvenire”, Radio Radical, “Il Fatto Quotidiano”, “Giornale” dhe “Report”.