Një nga skandalet më të mëdha në këtë shoqëri tashmë ka marrë goditjen e fuqishme. Rreth 100 vila tashmë janë mbyllur, rrethuar nën forcën e masës së ‘sekuestrimit’. Ende nuk kanë dalur emrat e pronarëve. Sigurisht shumë prej tyre nuk do të na befasojnë. Por, ajo që është e frikshme, del të jetë se ne ende nuk kemi filluar ta zbulojmë fuqinë e botës së krimit, aq i ndërlikuar, sa e ka vështirësuar ekzistencën e një pjese të konsiderueshme të njerëzve në Kosovë.

Politikanë, biznesmenë…

Sigurisht se në mesin e atyre që ndërtuan 100 vila do të jenë politikanë, biznesmen, por edhe anëtar apo zyrtar të institucioneve shtetërore, me pozita nga më të ndryshmet. Sigurisht se mund të ketë edhe qytetarë, të rastit, të përfshirë në euforinë e ndërtimit të vilave, në njërën nga zonat më strategjike të turizmit, por e ndaluar për ndërtim.

Ju pëlqen!

Përfshirjen e figurave nga më të ndryshmet, e fakton edhe vet pohimi për media i prokurorit të rastit Rasim Maloku: “Po ka prej të gjitha strukturave”.

Deri më tani, sipas hetimeve të kryera, sipas pohimeve të prokurorit të rastit, është një aktakuzë për 11 të pandehur, vetëm tre prej tyre janë zyrtarë, ndërsa 8 janë investues, por nën hetim janë 70 të pandehur, në dy lëndë.

Bilanci aktual është 30 të arrestuar, 18 në paraburgim, 3 në arrest shtëpiak dhe disa me masa më të lehta, kishte deklaruar Maloku për media.

Sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajit masa e sekuestrimit është vendosur pas vlerësimit “të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe raporteve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të ndërtuara në Brezovicë – Zona e II, e Parkut Kombëtar “Sharri””.

Nga fotot dhe videot e shpërndara deri më tash, nuk mund të thuhet se të gjitha ato vila i takojnë marrëveshjeve të hershme, me ryshfet dhe mënyra tjera. Duket se ka nga ato, që qëllimisht mund të jenë ndërprerë punimet, për arsyet që i dinë pronarët apo investitorët aty.

Por, fakti se disa prej tyre nuk janë të përfunduara, të krijon përshtypjen se kishte një valë të re ndërtimi.

Një tregues, që ato shkelje ligjore po vazhdonin të bëheshin, pavarësisht se ndodhën ndryshimet politike!

Po ashtu kjo tregon se ata nuk frikësoheshin nga ndryshimet në pushtet, duke llogaritur në grupimet paraprake.

Skandali me uzurpimet e pronave të Institutit të Bujqësisë

Një tjetër skandal sot është publikuar nga ministri i Bujqësisë Faton Peci. Ai e ka publikuar një skandal tjetër, të jashtëzakonshëm, ku pronat e Institutit të Bujqësisë vazhdojnë të jenë nën uzurpim, dhe të cilat shkelje janë heshtur. Janë heshtur nga të gjitha qeveritë thuaja pas luftës, sikurse edhe nga institucionet e drejtësisë.

Ky skandal i heshtur ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve, e që përveç tjerash, lidhet edhe me ndërtimin ilegalisht të vilave në prona ilegale publike.

Rasti tjetër tejet abuziv e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilave, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.

Sipas këtyre informacioneve, në disa prej këtyre pronave, janë ushtruar veprimtari biznesi, dhe madje janë lëshuar me qira, duke përfituar, në emër të një kontrate fiktive të qirasë bazë, simbolike krejtësisht.

“Të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori”, pohon ministri Peci, në reagimin e tij, ku sqaron se e ka ngritur një komision për hetimin e të gjeturave të auditorëve në 10 vitet e fundit./Idriz Morina/

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!