Ndër shekuj janë raportuar sjellje anormale të kafshëve pak përpara tërmeteve. Mace që lëvizin dhunshëm, pula që ndalojnë në vend, bletë duke lenë zgjoin në panik, qen që vrapojnë. Të pafundme kanë qenë rastet kur pronarë kafshësh shtëpiake kanë pretenduar se kanë qenë dëshmitarë të maceve dhe qenve të tyre të cilët vraponin çuditërisht përpara dridhjes së tokës, duke lehur ose mjaulluar pa arsye të dukshme, ose duke treguar shenja nervozizmi ose shqetësimi.

Teoritë kanë qenë të shumta. Njëra sugjeron se kafshët e egra dhe ato shtëpiake i ndjejnë dridhjet e tokës përpara njeriut. Një tjetër thotë se ato dallojnë ndryshimet në ajër ose në gazrat e lëshuara nga Toka. Tërmetet janë dukuri e papritur. Sizmologët nuk kanë ndonjë mënyrë ekzakte për të ditur saktësisht se kur do të vijë ai i radhës.

Çdo vit ndodhin rreth 500.000 tërmete të dallueshme. Japonia, është një nga vendet më të prirura dhe prekura në botë, në të cilin tërmeti ka marrë jetë të panumërta dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në prona. Studiuesit atje thonë që prej kohësh kanë studiuar kafshët, me shpresën për të zbuluar atë që dëgjojnë ose ndjejnë përpara dridhjes së Tokës, në mënyrë që t’i përdorin për parashikime.

Sizmologët amerikanë, nga ana tjetër, janë skeptikë. Edhe pse ka pasur raste të dokumentuara të sjelljeve të çuditshme të kafshëve para tërmeteve, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara, një agjenci qeveritare që ofron informacion shkencor për Tokën, thotë se një lidhje e riprodhueshme midis një sjelljeje specifike dhe ndodhjes së një tërmeti, nuk ka arritur të bëhet kurrë.

“Ajo me të cilën jemi ndeshur janë shumë anekdota. Kafshët reagojnë ndaj kaq shumë gjërave – duke qenë të uritur, duke mbrojtur territoret e tyre, çiftëzimet, grabitqarët – kështu që është e vështirë të keni një studim të kontrolluar për të marrë atë sinjal paralajmërues të përparuar” tha Andy Michael, gjeofizikan i Institutit.

“Në vitet 1970, disa studime mbi parashikimin e kafshëve u bënë nga Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara, por asgjë konkrete nuk doli prej tij. Që nga ajo kohë agjencia nuk ka bërë asnjë hetim të mëtutjeshëm në teori” shpjegoi Michael.  /burimi: nationalgeographic/

Jenida Vladi