Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës duke theksuar se është akt kriminal ajo që ka ndodhur së fundmi me djegien e zyrave.

Sipas Bashës këto akte dhune synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç.

Më tutje Basha ka thënë se detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Basha shprehet se nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit.

Postimi i Bashës:

Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit.
Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç.

Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate.

Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit.