Gjithë bota pyet si duhet t’ia bëjmë me varfërinë, në Zvicër shtrohet një pyetje shumë më e sikletshme: Si u bë Zvicra kaq e pasur?

Çështja, shumë e vështirë për t’u hulumtuar siç duhet, vendoset në qendër të një dokumentari të televizioni publik zviceran, SRF, që e trajton atë në një kalim të natyrshëm mes klisheve popullore të analizës së këtij realiteti me analizën e ekspertëve. Bankat, sekreti bankar, imigracioni, politika fiskale, ari nazist, neutraliteti, pozicioni gjeografik, këto janë të gjitha arsyet që “përfliten” për pasurimin e Zvicrës, por ato ose absolutizohen, ose vihen jashtë kontekstit.

Zvicra duket se e ka ditur përherë se ku është paraja e botës, vihet në dukje në dokumentar, duke konsideruar një ecuri pasurimi që zgjat qindra vjet.

Ju pëlqen!

Ajo nis me mercenarët e Mesjetës që vunë pasuri për shërbimet e tyre, u shndërruan mandej në tregtarë duke rritur kapacitetin e transaksioneve me vendet fqinje, vazhdon me imigirimin e hugenotëve që sollën me vete mjeshtëri të mirënjohura të mikromekanikës si orat, ecën më tej me tesktilin si industri shumë e zhvilluar, që derivoi për nevojat e veta mekanikën dhe farmaceutikën.

Zvicra është në zonën Alpine, zona që preket nga e ashtuquajtura Banane Blu, aksi më i prosperuar ekonomikisht në botë dhe me intensitetin më të lartë industrial në glob. Me një mesatare asetesh gati 8 herë më të lartë se Gjermania dhe disa herë më shumë se Austria, Zvicra me 8.7 milionë banorë, lë pas çdo komb. Ajo qëndron ende në krye si vendi me më shumë ide novatore, një tjetër çelës ky për të mbajtur ritmin në një botë konkuruese, si dhe ka të diverisifikuar shumë ekonominë e vet.

Monopolizimi në ekonomi shihet si diçka që gërryen burimet dhe nuk lejon zhvillimin. Sektori bankar që solli fitime kolosale në Zvicër nuk shihet me aq optimizëm përderisa me pagat e larta vuri në vështirësi sektorë të tjerë.

Mirëpo një çelës më i mirë për ta kuptuar se pse një vend si Zvicra, pa dalje në det dhe pa pasuri natyrore pasurohet kaq shumë është edhe fati historik, neutraliteti i imponuar, por edhe aftësia për të menaxhuar çdo gjë me konsensus. Mënyra si qeveriset Zvicra, demokracia e drejtpërdrejtë e ushtruar realisht janë garantët e këtij prosperiteti që teksa krijohet dhe shtohet, shndërrohet në mësues për të ardhmen.

Arsimi, arsimi, arsimi, ja mesazhi që japin ekspertët. Jo vetëm për të zotëruar kapacitetet e teknologjisë, por edhe për të patur qytetarë që kuptojnë dhe dinë se si të vendosin kur thirren për të votuar.

Çdo pasuri ka anën e vet të errët dhe pabarazia është një prej tyre, sikundër fakti se ajo kërkon një element cerebral dhe amoral në shumë raste. Kështu edhe Zvicra që mesa duket kur të tjerët bënin histori, zgjodhi të bënte pasuri.

Paraja shkon te paraja – parim ky që mbyll si fjali dokumentarin.

s.zaimi

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!