Në kushtet aktuale, kur bota është në krizë për furnizmin me energi dhe dimri që na pret është i gjatë, ka disa gjëra që mund të bëni për të kursyer sa më shumë në faturën elektrike mujore.

Me rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët, vigjilenca e shtuar ndaj ‘ngrënësve të elektricitetit’ në shtëpi do të ndihmojë në reduktimin e kostove financiare mujore.

Një nga mënyrat kryesore që duhet të keni parasysh për të kursyer është heqja nga priza e çdo paisjeje elektrike që nuk përdorni, pasi çdo gjë harxhon energji edhe nëse qëndron në prizë pa u vendosur në punë.

Te gjërat shumë të thjeshta që mund të bëni është edhe fikja parakohe e sobës kur gatuani, kështu ushqimi do gatuhet në nxehtësinë e mbetur dhe do të kurseni energji.

Vendosni limite për veten kur bëni dush, duke u përpjekur t’i përmbaheni një harku kohor prej 10 minutash. Gjithashtu do ishte mirë nëse shmangni larjen në vaskë, pasi harxhohet më shumë ujë i ngrohtë. Nëse keni mundësi, mund të ndërroni bolierin tuaj të vjetër, me një opsion më modern që kursen energji për ngrohjen e ujit.

Për përdoruesit e rregullt të kondicionerit, ka opsione moderne që kursejnë energji, ndërsa për më shumë efikasitet këshillohet që të vendosen perde të mëdha e të trasha që ndihmojnë në ruajtjen e temperaturës së ambjentit.

Një opsion ndihmues për kursim është zëvendësimi i llampave me drita LED, të cilat zgjasin më shumë dhe kursejnë 80% të energjisë. Gjithashtu, nëse do vendosnit sensor te një pjesë e dritave, teknologjia do kursente për ju pa u munduar. Me ardhjen e festave, mos harroni të tregoheni të kujdesshëm me përdorimin e dritave festive.

Do ishte mirë edhe të konsideronit instalimin e paneleve diellore, që është një investim i konsiderueshëm, por në terma afatgjatë.

Mos harroni gjithashtu të tregoni kujdes me detaje të tilla si fikja e dritave kur dilni nga dhoma apo përdorimi i paisjeve të vogla për të gatuar në vend të sobës.

Nëse e keni opsionin që këtë dimër ta kaloni duke u ngrohur me drurin si burim kryesor, kursimi i energjisë do ishte edhe më i lartë. Nëse doni të kurseni edhe më shumë, izolimi i shtëpisë do ndihmonte në ngrohjen më shpejt të saj.

Xhenisa Xhangoli