MekuliPress boton pjesën e fundit të vështrimit kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, nga libri i Rexhep Qosjes, “Realiteti i shpërfillur”.

Si ta sjellim Evropën në jetën tonë

          Nuk ka dyshim se rruga që ka ndjekur Ismail Kadare për ta treguar evropian identitetin tonë, është e gabuar dhe është e gabuar për dy arsye: e para, pse prej identitetit tonë është përpjekur të heqë ato që nuk mund të hiqen, dhe e dyta, pse në jetën tonë nuk po i sheh ato që do të duhej të hiqeshin.

Ju pëlqen!

          Duke vrapuar nëpër histori ai nuk u është afruar pothuaj fare çështjeve kryesore në jetën e sotme shqiptare.

          Pse Evropa po i afron shqiptarët më ngadalë se popujt e tjerë të Ballkanit? Sigurisht jo për shkak se në identitetin e tyre, në atë përgjithësinë, në atë të tërën, që i themi identitet kombëtar i shqiptarëve, është i përmbajtur edhe identiteti mysliman i numrit më të madh të tyre. Siç shkruan Rexhep Meidani në artikullin Eurobarometri dhe barometri shqiptar, të botuar në gazetën Panorama, më 11 janar 2005, Agjencia e Komisionit Evropian për Hulumtimin e Opinionit dëshmon se vetëm 33 për qind e qytetarëve evropianë e përkrahin pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kurse Bosnjën e Hercegovinën 40 për qind. Kjo e dhënë dëshmon mjaftueshëm se nuk është feja myslimane e shumicës së shqiptarëve arsyeja pse ata dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian se, po të ishte feja arsyeja , atëherë më pak se shqiptarët do të ishin të dëshiruar boshnjakët. Arsyeja e vërtetë pse shqiptarët dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian në të vërtetë është joevropa e sotme në jetën e tyre të sotme politike dhe shtetërore, janë mentalitetet, shprehitë, sjelljet, veprimet, të bërat e palejueshme, jodemokratike, primitive në politikën e tyre të sotme, që po ua vrasin sytë evropianëve që na vizitojnë, a që janë në Kosovë, që u kanë ardhur në majë të hundës edhe shqiptarëve e për të cilat Ismail Kadare nuk e quan të nevojshme të bëjë fjalë në sprovën e tij Identiteti evropian i shqiptarëve.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Dhe, këto mentalitete, shprehi, sjellje, veprime, të bëra të palejueshme, jodemokratike, në thelb cenuese për identitetin tonë në sytë e të tjerëve aq sa janë orientale janë edhe oksidentale, aq sa janë burimore janë edhe të mësuara prej botës së huaj të djeshme dhe të sotme.

          Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë për një intelektual shqiptar, që do të merrej me çështjen e përbërë të identitetit, shumë më e arsyeshme se të shemërojë identitetin kombëtar shqiptar dhe identitetin mysliman, që të shemërojë Lindjen dhe Perëndimin në kulturën dhe në qytetërimin tonë, është të bëjë betejën mendore pikërisht kundër kësaj joevrope të sotme në politikën dhe në jetën tonë të sotme. Është e rëndësishme për të sotmen dhe për të nesërmen tonë evropiane që të ngremë zërin e të mos lejojmë që në heshtje të bëhen përbërës i identitetit tonë: kultura e kuptuar vetëm si e drejtë e jo, para së gjithash, si obligim; shteti i privatizuar që po ngjan në Shqipëri e në Kosovë; shteti i kuptuar kryekëput si pushtet mbi popullin e jo si servis i tij; politika e kuptuar si sundim urdhërdhëniesh e jo si qeverisje demokratike; tribalizmi dhe krahinorizmi të dëshmuar jo vetëm në zgjedhje, në organizimin partiak e në administratë, po edhe në gjykimet politike të njerëzve të politikës; konflikti i ideve moderne dhe i shoqërisë së mbyllur folklorike; trajtimi i pabarabartë i dinjitetit të feve, që mund të cenojë baraspeshën e tyre historike dhe të ndikojë në çintegrimin e shoqërisë; politika e njerëzve të papërgjegjshëm që ia mësojnë popullit papërgjegjësinë, shfrenimin, shumëfytyrësinë, paqëndrueshmërinë morale, shndërrimet servile; lidhja pushtet-medie që sjell uzurpimin dhe shpërdorimin e sovranitetit të popullit dhe shpërfilljen e të drejtave dhe të lirive të qytetarëve; vetitë e pushteteve despotike siç janë vrazhdësia, arroganca, hipokrizia, nënshtrimi para të fuqishmëve dhe përçmimi i të vegjëlve; tirania e vazhdueshme e gënjeshtrave; demokracia frikësuese-predikimi i demokracisë me britmë, me kërcënime, me gënjeshtra dhe me urrejtje; trajtimi i partive si firma tregtare më parë se si organizata që reformojnë shoqërinë; korrupsioni tmerrësisht i përshtrirë si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë, në të cilin janë zhytur prijës politikë, familjarë, miq dhe të afërm të tyre të tjerë; plaçkitja marramendëse e pronës dikur të quajtur shoqërore në Kosovë nga ana e pushtetarëve dhe të afërmve të tyre; luksi  tragjiko-komik i njerëzve të politikës në Kosovë ndërsa 67 për qind të kosovarëve janë të papunë, 38 për qind jetojnë në varfëri, kurse 17 për qind jetojnë në varfëri të skajshme; despotët qesharakë, të cilët krye më vete, pa pyetur Kuvend, Qeveri a popull shpallin: ndërtimin e Shtëpisë së bardhë, afër Prishtinës,si ajo në Uashington dhe Ditën e presidentit, domethënë të vetvetes, si Dita e stafetës së rinisë e Marshall Titos; despotët qesharakë të cilët, pa pyetur Kuvendi,Qeveri a popull caktojnë flamur dhe himn të vendit ende të pabërë shtet, caktojnë urdhra, medalje e dekorata të folklorizuara me të cilat i bëjnë “figura kombëtare” miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët e vet; politikanët të cilët pjesë të teknikës nga kabinetet e veta çojnë në vilat vetjake, kurse pastruesit e zyrave në institucione i përdorin për pastrime në shtëpitë e tyre; administrata më e shtrenjtë partiake, politike dhe shtetërore në skajet më të varfra të Evropës; gropat e rrugëve në kryeqytetet shqiptare; telat e korrentit të rënë nëpër arat dhe livadhet e Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës; qërimhesapet foljore dhe trupore, tashmë të shpeshta, në Kuvendin e Shqipërisë; kthimi i Kuvendit të Kosovës në kuvend të familjarëve, miqve, shokëve, kushërinjve të kryetarëve, nënkryetarëve, sekretarëve të partive të përfaqësuara në Kuvend. E të tjera e të tjera.

          Të gjithë shembujt e sipërthënë të joevropës së sotme në politikën dhe në jetën tonë të sotme flasin mjaft për mbetjet e shumta:

          1.të despotizmit oriental,

          2.të tribalizmit primitiv, dhe

          3.të totalitarizmit komunist në identitetin tonë të sotëm.

          Do të duhej të shqetësoheshim: mos shembujt e sipërthënë dhe shumë të tjerë si ata, mund t’i nxisin institucionet evropiane të mendojnë se klasës politike, që prodhon aq të këqija në jetën e popullit të vet, i mungon përgjegjësia për jetë të përbashkët institucionale në një bashkësi demokratike, moderne, siç është Bashkimi Evropian!

Për këtë arsye është e nevojshme që parullat e Ismail Kadaresë për identitetin tonë evropian t’i zëvendësojmë me përpjekje të sinqerta, këmbëngulëse, të vazhdueshme që të sjellim Evropën në jetën tonë: shtetin e së drejtës, demokracinë e vërtetë, kulturën politike, gjedhen kulturore kritike, standardet dhe vlerat evropiane. Vetëm kështu do ta shpejtojmë integrimin në Evropë.

          Një nga personazhet në romanin Mbreti i xhindeve të shkrimtarit bashkëkohor francez, Mishel Turnie, thotë se çdo popull i shquan si virtyte të vetat pikërisht ato që më së shumti i mungojnë. Ismail Kadare në sprovën e tij Identiteti evropian i shqiptarëve është përpjekur që t’i japë sa më shumë të drejtë këtij personazhi dhe ta bëjë përbërës të identitetit tonë pikërisht atë që më së shumti na mungon: identitetin evropian! Jo rastësisht këtë identitet edhe e ka rrëgjuar në gjeografinë.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          E kuptueshme!

          Popullorësia e Ismail Kadaresë, përpos në atë pjesë të çmuar të krijimtarisë së tij, që i ka shpëtuar realizmit socialist, në masë të madhe u detyrohet edhe iluzioneve, gjysmë të vërtetave dhe të pavërtetave historike dhe bashkëkohore me të cilat i ka ushqyer ai gjatë shumë viteve përkushtimet politike, ideologjike, kurse tani edhe anshëm fetare të lexuesve e me të cilat është bërë edhe frymëzuesi më përshtypjelënës i atdhetarizmit të rendit të tretë në jetën tonë kombëtare. Për këtë arsye, është shumë e nevojshme, është në interesin e shkencës letrare shqipe dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, që krijimtaria e tij, aq shumë politike dhe e politizuar, të shpjegohet dhe të paraqitet kritikisht, objektivisht, ndershëm. Kjo do të jetë e dobishme edhe për vetë Ismail Kadarenë sepse leximi, shpjegimi, vlerësimi glorifikues i krijimtarisë së tij e ka bërë të vetëkënaqur: i ka krijuar iluzionin se të gjithë lexuesit, paraqitësit dhe kritikët pajtohen edhe me koniunkturizmin e tij politik. Ky koniunkturizëm është edhe arsyeja kryesore pse Ismail Kadare nuk është bërë pikë referimi në kulturën shqiptare. Dhe s’mund të bëhet. Kurrë.

          Prirja e Ismail Kadaresë për të qenë me çdo kusht i koniunkturshëm politikisht, nuk është më vetëm çështje e tij: kjo është, tani, mëzirë e letërsisë dhe e kulturës sonë, sepse letërsia dhe kultura jonë prirjen e tillë po e shpërblejnë! Dhe, kjo ka një çmim moral që letërsia dhe kultura jonë e paguajnë në dëmin e vet!

          E, kulturës dhe jetës sonë publike, për shkak të shtrirjes së jashtëzakonshme të korrupsionit mendor, moral dhe material në jetën kombëtare, sot më tepër se kurrë i nevojiten:

          -ndershmëria intelektuale;

          -intelektualë të qëndrueshëm, me karakter të fuqishëm, që nuk shikojnë si t’iu përshtaten pushteteve dhe opinionit mbizotërues, që të vërtetën dhe të drejtën nuk pranojnë t’ua flijojnë leverdive vetjake:

         -intelektualë që në çdo kohë nuk ngurrojnë që –si thuhet për ta në botë- të tregojnë terrin që mund të pllakosë shoqërinë dhe, njëkohësisht, të ndezin qiriun që të shohim në atë terr.FUND! /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!