Në vend që ta shfrytëzonte këtë mundësi për të ulur polarizimin dhe për të rritur besimin e publikut te qeveria, autoritetet turke kanë bërë krejt të kundërtën e kësaj.

Ndërsa pandemia e koronavirusit mbërtheu botën në mars, një përdorues turk i rrjeteve sociale u shpreh në një video: “Ju po thoni ‘Qëndro në shtëpi, Turqi’. E di ta bëj këtë? Nuk jam i pasur. Unë jam punëtor. Jam shofer kamioni.

Nuk e fitoj dot bukën e gojës, nëse nuk punoj. Nuk i paguaj dot faturat dhe qiranë. Të mos mund të paguash këto është më keq sesa të vdesësh.” Kjo video çoi në arrestimin e tij.

Situata e tij nuk ishte një rast i izoluar. Që nga 21 maji, të paktën 510 shtetas turq janë arrestuar për postime në rrjetet sociale që dyshohet se përhapin informacione të rreme ose manipuluese mbi pandeminë e koronavirusit.

Kufizimet e vendosura për shkak të COVID-19 kanë thelluar pabarazitë ekzistuese në të gjithë botën, me shumicën e vendeve që kanë ende kufizime në lëvizje. Ndërsa kufizimi i të drejtave gjatë një kohe krize mund të jetë një përgjigje e ligjshme ndaj një emergjence, kufizimi i një të drejte mund të çojë në kufizime të të tjerave. Turqia nuk bën përjashtim nga kjo.

Turqia mbetet “Jo e Lirë” në Indeksin e Lirisë 2020 të publikuar nga Freedom House, në pjesën më të madhe për shkak të nivelit të ndëshkimit ndaj ushtrimit të së drejtës për lirinë e të shprehurit. Shumë prej këtyre masave mbrojtëse për mbrojtjen e të drejtave në Turqi ishin hequr përpara shpërthimit të COVID-19.

Në vitin 2016, pas një përpjekje të dështuar për grusht shteti ushtarak, më shumë se 150 media u mbyllën, dhe mijëra gazetarë, aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë u burgosën nën akuzat për pjesëmarrje në aktivitete terroriste.

Në Freedom House, përpara se të shpërthente pandemia, ne kryem hulumtime mbi besimin e publikut te mediat në Turqi. Zbuluam se presionet dhe kufizimet ndaj mediave në Turqi kanë kontribuar në uljen e besimit të publikut në përgjithësi ndaj mediave. Mësuam se publiku turk i është drejtuar gjithnjë e më shumë internetit dhe rrjeteve sociale si burim informacioni dhe lajmesh.

Megjithatë, kjo zhvendosje shoqërohet me shqetësime dhe ankth të konsiderueshëm të publikut në lidhje me censurimin, mbikëqyrjen dhe informacione jo të besueshme. Gjashtëdhjetë e nëntë për qind e të anketuarve shprehen shqetësim për efektet e censurës në Turqi, dhe 64 për qind zbuluan se ishin të shqetësuar për monitorimin e aktiviteteve të tyre onë internet nga ana e qeverisë. Tridhjetë e pesë për qind e atyre që shprehen shqetësim në lidhje me këto çështje ishim posaçërisht të shqetësuar nga fshehja që qeveria i bën abuzimeve të të drejtave të njeriut.

Në prill të këtij viti doli në skenë një projektligj i propozuar për rrjetet sociale dhe këtë muaj, presidenti Rexhep Tajip Erdogan u zotua të shtrëngojë kontrollin e tij ndaj rrjeteve sociale. Pas këtij zotimi, të paktën 11 persona u ndaluan sepse dyshohet se postuan në Twitter ofendime për nipin e porsalindur të Erdoganit.
Miratimi i këtij legjislacioni do t’i jepte autoriteteve më shumë kontroll mbi përmbajtjen në internet, përfshirë Facebook-un, Instagram-in, dhe aplikacione të njohura si WhatsApp dhe Messenger. Këto masa ndikojnë te fjala e lirë jo vetëm e gazetarëve dhe aktivistëve, edhe edhe tek ajo e publikut të gjrë, duke qenë se ata po i drejtohen gjithnjë e më shumë rrjete sociale dhe mediave online për informacione dhe për t’u shprehur. Këto vendime prekën gjithashtu edhe sferën e argëtimi. Netflix u bllokua në kampusin e parlamentit turk këtë muaj. Ndërsa 130,000 faqe interneti në Turqi u ndaluan vetëm në vitin 2019. Netflix mund të ndjekë të njëjtin shembull.

Pasi një personazh homoseksual në një dramë në gjuhën turke në Netflix shkaktoi reagime të ashpra në qarqet konservatore të Turqisë, Erdogan tha për Reuters: “E kuptoni tani pse ne jemi kundër platformave të mediave sociale si YouTube, Twitter dhe Netflix? Këto platforma nuk i përshtaten këtij kombi. Ne duam t’i mbyllim ato, t’i kontrollojmë ato duke sjellë një projektligj në parlament sa më shpejt që është e mundur.”

Edhe ata njerëz që janë burgosur për lirinë e shprehjes para pandemisë përballen me rreziqe serioze teksa autoritetet po forcojnë më tej kufizimet mbi liritë themelore. Autoritetet e Turqisë miratuan një ligj të ri në prill që lejon lirimin e parakohshëm të afro 100,000 të burgosurve për shkak të COVID-19, duke pasur parasysh që burgjet e mbipopulluara mund të ishin vatra për përhapjen e koronavirusit. Megjithatë, nga nisma e lirimeve të parakohshme përjashtoheshin ata që ishin akuzuar për terrorizëm, një ligj i formuluar në mënyrë të paqartë që hap rrugën që pas hekurave të përfundojnë edhe shumë gazetarë.

Ligji qëllimisht nuk mbuloi ata që ishim në paraburgim, veçanërisht për çështje që kanë të bëjnë me akuza politike në të cilat kritikët e qeverisë u dënuan sipas ligjeve të Turqisë kundër terrorizmit. Filantropi dhe drejtuesi i shoqërisë civile Osman Kavala ka kaluar më shumë se 900 ditë në burg, pavarësisht se nuk është dënuar kurrë për një asnjë krim. Gazetari dhe shkrimtari Ahmet Altan, i cili është në të shtatëdhjetat, ka qëndruar pas hekurave këto katër vitet e fundit për akuza të rreme, bashkë me kriminelë të tjerë që u përjashtuan nga ligji për lirimin e parakohshëm për shkak të COVID-19: vrasës, trafikantë droge dhe persona të dënuar për vepra seksuale.

Mënyra se si Turqia do ta trajtonte pandeminë e koronavirusit mund të kishte qenë një mundësi e mirë për të ulur polarizimin dhe për të rikthyer besimin e publikut te qeveria. Falë reformave të fundit dhe investimeve publike në kujdesin shëndetësor, Turqia bëri një punë të shkëlqyeshme në uljen e kurbës së infeksioneve, duke u përgëzuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, për masat e saj “vigjilente dhe të kujdesshme”. Në këtë peizazh të ri, Turqia ka kufizuar më tej të drejtat themelore dhe ka përdorur qëllimisht manovra politike për ta përçarë edhe më shumë shoqërinë. Në vend të unitetit, besimit të publikut dhe debatit të hapur, kjo ka sjellë ndarje, kufizime dhe censurë.