Dipl.-Ing. Faton Piraj

Shteti në SPAM

Lexues të nderuar, është koha e zgjedhjeve dhe secili prej jush i ka preferencat e veta politike. Qytetarët, banorë të Kosovës, përkundër bllokadës mediale nga mediat e kapura prej pushtetit arritën të mobilizohen kundër partive, që në brendinë e tyre e sidomos nëpër udhëheqësitë e tyre, kanë njerëz të korruptuar dhe me të kaluar kriminale. Mobilizimi ende vazhdon….

Ju pëlqen!

Diaspora, si gjithmonë e kthjellët dhe shumë e vetëdijshme për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, por edhe për rëndësinë e vet në raport me vendlindjen, arriti të regjistrohet për të votuar në numër sa më të madh (regjistrimi ende vazhdon deri me 10 Shtator). Gjithandej nëpër diasporën tonë atdhetare dëgjohet thirrja: “Votoni kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe pro zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror” ose “Votoni për të rinjtë”, madje pati edhe shumë të atillë, që remitancat i kushtëzuan me “fitoren e partive të pa korruptueshme”.

Gjatë regjistrimit me postë, siç kemi mësuar tashmë nga ata që po regjistrohen, po ndodhin pengesa të çuditshme: nuk funksionon serveri i E-Mail-ave, ose nuk kthehet përgjigjja, ose ajo vonohet… etj… por edhe kur kthehet, ajo përgjigje shoqërohet nga gabime të shumta drejtshkrimore, sintaksore etj…

Një dukuri tjetër e çuditshme është se programi Outlook, apo edhe programe të tjera, të dedikuara për shkëmbime E-Mail-ash, përgjigjet e tilla po i dërgojnë në folderin SPAM,  ku shfrytëzuesi nuk i vëren.

Dihet mirë, që SPAM folderi është një folder i rezervuar si një kantë bërlloku, ku hidhen E-Mail-at monoton, të rrezikshëm, apo tërësisht të parëndësishëm. (kontrolloni SPAM-in gjithnjë!).

Në raste kur E-Mail programi e njeh adresën elektronike, nuk besohet që përgjigjen, nga po kjo adresë, ta kualifikojë si SPAM. Pyetja që shtrohet vetvetiu është:

Ka këtu ndonjë dredhi që fshihet prapa pushtetarëve të korruptuar, duke pasur parasysh mobilizimin e diasporës kundër korrupsionit e nepotizmit?

Pra një fakt më tepër, që diaspora të votojë kundër këtyre partive dhe këtij soji të njerëzve.

I tregova lidhur me këtë një miku të mirë, pra që E-Mail-i nuk më kishte ardhur. Ai më sugjeroi ta kontrolloj folderin SPAM dhe ja çudia, E-Mail-i ishte aty.

Mikun e falënderova përzemërsisht duke e pyetur: “Po kujt i shkon mendja që ky E-Mail përfundon në SPAM?” e miku mu përgjigj:

“Shpesh po na ndodh. Këta e hodhën në SPAM shtetin, se lëre më votën time e tënden”

Po, po, nëse këta sërish do ta merrnin pushtetin (Zoti mos e bëftë) vërtet do ta hidhnin krejt shtetin në SPAM, si diçka të pavlerë kundrejt syrit të tyre të etur, i cili “do ta pinte një det të tërë”. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!