Europa Nostra, javën e kaluar më 8 Prill, ka vendosur që Manastirin e Deçanit ta fusë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021 bashkë me 6 monumente tjera në Austri, Kroaci, Greqi, Itali, Maqedoni të Veriut dhe Spanjë (https://www.europanostra.org/europa-nostra-and-eib…/).

Ky proces i shpalljes ka ardhur pas nominimit fillimisht të Listës së ngushtë të 12 lokaliteteve të trashëgimisë që është shpallur më 10 Dhjetor 2020 (https://www.europanostra.org/12-european-heritage-sites…/).

Pas shpalljes së listës së ngushtë të 12 lokaliteteve, asokohe Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga z. Avdullah Hoti, nga Dhjetori 2020 e deri në Mars të vitit 2021, në periudhën e formimit të Qeverisë së re, nuk pati asnjë reagim publik për të cilën kemi njohuri por edhe ndonjë komunikim potencial me Europa Nostra-n që Manastiri i Deçanit të mos futet në listën finale të 7 lokaliteteve më të rrezikuara.

Ju pëlqen!

Kjo tregon papërgjegjësi të madhe për një temë të rëndësishme për vendin duke e ditur potencialin e “dëmit” që do të mund të shkaktonte një shpallje e tillë në procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas shpalljes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021, u publikua edhe letra e Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti (https://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,2468), bashkë edhe me reagimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Hajrulla Çeku (https://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,2470).

Këto letra dhe reagime kanë argumente të mjaftueshme, profesionale dhe të qarta për pozicionin e shtetit të Kosovës ku shpaloset korniza ligjore dhe statusi i mbrojtjes për manastirin, të drejtat ekskluzive të Kishës Ortodokse Serbe, kontestin e zgjidhur të rrugës për Plavë të Malit të Zi dhe elementet tjera të rëndësishme që janë ngritur në nominim të lokalitetit. Sidoqoftë, EC Ma Ndryshe, reagimet institucionale edhe pse të argumentuara mirë, i konsideron të vonshme dhe të pamjaftueshme për parandalimin potencial të një shpalljeje të tillë për Manastirin e Deçanit.

Për më tepër, letra e presidentes (në detyrë) dhe kryeministrit (në ardhje), e dërguar më 18 Mars nuk ka qenë publike dhe transparente për publikun, dhe fatkeqësisht për këtë reagim të tyre jemi njoftuar pasi që dëmi veçse është krijuar (më 9 Prill 2021).

Europa Nostra, letrës së datës 18 Mars 2020 i kthen përgjigje më 6 Prill duke “vlerësuar angazhimin e fuqishëm (të institucioneve) për të mbrojtur përparimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Kosovë, që është pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore e Europës dhe Botës” ku në ndërkohë Europa Nostra sugjeron të mban edhe një video konferencë virtuale në javët në vijim (https://www.facebook.com/…/a.23032391…/3623586351087128/).

Europa Nostra është një federatë Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore, që përfaqëson organizatat e qytetarëve që punojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. Kjo organizatë është zëri i kësaj lëvizjeje për organet përkatëse ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe UNESCO-n.

Për mbi 50 vjet, kjo organizatë njihet si organizata më përfaqësuese e trashëgimisë në Evropë me anëtarë nga mbi 40 vende të ndryshme përfshi edhe dy organizata anëtare në Kosovë.

EC Ma Ndryshe rekomandon që Europa Nostra, para se të publikonte një vendim të tillë do të duhej ta ndiqte një qasje më gjithëpërfshirëse, përkatësisht të konsultohej edhe me përfaqësues të shtetit të Kosovës, pasi që politizimi i trashëgimisë kulturore nuk sjell dobi, por veçse krijon ndasi të reja dhe është kundër përkushtimit të vet Europa Nostrës, të cilën e ndajmë edhe ne, për mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Ballkanin Perëndimor, si një komponent jetik i rrugëtimit dhe të ardhmes sonë evropiane.

EC Ma Ndryshe apelon tek institucionet shtetërore, në veçanti tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që të jetë më proaktive dhe të merret me identifikimin dhe parandalimin e problemeve të mundshme të trajtimit të trashëgimisë, në rastin konkret të trashëgimisë së komunitetit serb pasi që pasojat e neglizhimit siç po shihet mund të ofrojnë një imazh të shtrembëruar të realitetit në terren.

Kosova, me institucionet e saja të sapoformuara, duhet të jetë në përgjegjësinë më të lartë të detyrës së saj dhe të krijojë politika të qëndrueshme duke kontrolluar situatën në vend, në vend se t’i përgjigjet “pasojave” pasi ato të kenë ndodhur.

EC rekomandon që institucione përgjegjëse të bashkërendojnë veprimet e ardhshme me akademinë, profesionistë brenda dhe jashtë institucioneve përfshi edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.