. . . «Shqyptarë! me vllazën jeni tue vram, dhe në njëqint çeta jeni shpërndam», ashtu siç e kuptuan në fakt poetin atëherë dhe më pas. Ajo që e dallon vjershën e Pashko Vasës midis kaq krijimesh të kohës, është një figuracion poetik nga më të efektshmit; të traditës më të shquar të poezisë evropiane të vjetër e të re. Paraqitet kështu vjersha e një fakture vërtet klasike në llojin e vet dhe e një patosi romantik jo të zakonshëm që na bën të na vijë keq, se poeti u mor aq pak me vjershërinë shqipe, në mos paçim pësuar ndonjë humbje të pazëvendësueshme, po të supozohet se Pashko Vasa shkroi edhe vjersha të tjera në gjuhën amtare, por ato s’na arritën.
[…]
Dhe poema e Naimit fillonte me dy vargje krenare, të cilat, me atë hiperbolë inatçore, i përgjigjeshin Evropës sa injorante aq edhe të pabesë ndaj shqiptarëve, Fuqive të Mëdha, që në Berlin u patën mohuar atyre kombësinë e gjer ekzistencën, – Shqipëria «një shprehje gjeografike» në gojë të Bismarkëve, të cilëve poeti ua priste : – Bota që kur është zënë, Shqipëria gjall’ ka qënë!

Një shprehje të tillë e ka pasur, po atë vit, edhe Mitkoja, kur shkroi se «Shqipëria ishte më e lashtë se dhe hëna» në qiell. Vinin pastaj , në poemën e Naimit, temat e njohura të kohës mbi origjinat pelasgjike, shembullat nga trimëria e përhershme e popullit të vet, që nga Aleksandri te Skënderbeu, simboli i madh i qëndresës shekullore dhe i luftës së tanishme, bashkë me heronj më të rinj, – «shqiptari trim me fletë», që i dha «dërmën Tyrqisë», – por, medet! «nga gjithë trimëria / s’fitoi gjë Shqipëria!».
FB: Thënie për shqiptarët
__________________________
Titulli: “Mbi letërsinë shqipe në vitet e Lidhjes Shqiptare (1878-81)”, Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 1878-1881: 12-28 qershor 1978, Volumi 1
Autori: Dhimitër Shuteriqi
Redaktor: Aleks Buda, Instituti i Historisë
Botues: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1979

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!