Gjithmonë shqiptarët kanë xhelozu me ua marrë ‘i huaji’ femrat.

Ama për vete kanë preferu ‘sllovenka’, dhe kur ia kanë dhënë dikujt vulën e hijeshisë, e kanë thirr ‘sllovenkë’, demek, sa t’mujsh me pa, ‘kuq-bardhë’, femër që i prek kryt’ n’tavan.

Janë dashuru me serbe, sa kanë mujt, me boshnjake, me turke…tash edhe me amerikane e evropiane.

I kanë leju vetes këtë ‘luks’ sepse janë shqiptarë, dinë me ‘ndal’ veten, m’u përmbajtë e mos me humb kokën në ‘ujërat e dashurisë’.

Burrat e mëdhenj n’vakt zaman janë mburr me kapacitetin e tyre mashkullor me ua ndërru grave të tyre serbe, fenë, emrin, gjuhën derisa i kanë kthy prej vetes komplet, e kjo u konsideru si sukses i madh i një burri dhe gjest i respektuar patriotik.

Meshkujt shqiptarë janë të bindur se femra shqiptare nuk e ka kapacitetin me ja ndërru identitetin asnjë mashkulli, se nisen prej vetes, prandaj, ‘nuk pranojnë’ që femra shqiptare me ‘humb’ veten, m’u ‘tret’, me një ‘të huaj’!

Se kur femra dashurohet, i hup lidhja, i ndërron me fe, me emër, me familje, e jep t’gjalltë për dashni, me ka krejt.

Kështu si shovinist ka menduar edhe Niçe. Ai bile thoshte se ‘Secila femër është një enigmë, dhe ajo enigmë zgjidhet me shtatëzani’.

Koha e ka dematuar Niçen, i cili anipse rrush prej mendve, në dashuri ishte i mjerë.

Vetmia nuk të bën të dukesh i mjerë, por kur mundohesh m’u bë më i mençur se dashuria, dukesh i mjerë..

Edhe nënat lypin dashuri.

Se dashuria është premtimi më i madh…i jetës.

Për me t’dasht dikush, është zanafilla e vuajtjes.

Nuk gëzohesh pse e do ti dikë, po pse ty të do dikush.

Ish dasht me ekzistu një shkollë që të mëson të jetosh pa dashuri, e jo të mbërrish në fund të jetës për ta kuptuar se secila këngë është më e bukur se dashuria jote.

Me qenë shqiptar është e mbivlerësuar, se kurrëfar kënaqësie nuk ndjen pse je shqiptar!

Ose: çfarë përparësie ke ti që je shqiptar!

Me demek, më përpara duhet me dal me pi kafe me Skender Hysenin sesa me Will Smithin, se Skenderi ‘i bardhë’ si bora.

Nuk është racizëm, s’besoj, se shqiptarët e pëlqejnë Muhamed Alinë e Michael Jacksonin, Eddie Murphyn e as Profeti i tyre nuk ishte shqiptar, për shembull, por është xhelozi…shqiptarëve ju vjen shumë inat me ua marrë çikat ‘i huji’.

Që nuk është shkaku i racës, marrim shembull shamjet masive që i ka ‘hëngër’ dhe i ‘han’ këngëtarja shqiptare që u martua me maqedon.

E sa i përket moshës…feja thotë se shpirtërat janë moc, unë nuk e di a janë…por e di se Profeti Muhamed ishte 25 vjeçar kur u martua me Hatixhen 40 vjeçare….Dhe, jetoi vetëm me të 25 vite derisa ajo vdiq…!

S’mund të kerkosh dashuri të thellë, te njeriu i cekët…

‘Mëkati’ i vetëm i Adrianës është që e bën publike jetën e saj private, sepse ‘dashurisë i mjafton vetvetja’.

Fshihe lumturinë edhe prej vetes.

Lumturi e quajmë gjendjen që krijohet nga varësia e tjetrit (që duam), dhe prandaj çdo lumturi e varur nga tjetri, është e pasigurt.

Asnjëri që sot e shan Adriana Matoshin nuk është, as nuk ka qenë kurrë i dashuruar.

P.S. E dhimbshme është veç një gjë: që dashuria ka fund, dhe dikur edhe lumturia bëhet e lodhshme.

E në fund, nuk të ka hije as të dukesh i lumtur! Por lypset prej teje me qenë serioz.

Sepse, njerëzit e lumtur nuk i marrin seriozisht.

Prandaj, në këtë jetë më shumë ka këngë të dashurisë sesa dashuri!